Ndërlidhjet

NYT: “Trashëgimia e Ajatollah Montazerit”


Ajatollah Montazeri
Ajatollah Montazeri
“New York Times”


Në jetë, Ajatollah Hosein Ali Montazeri, ka luajtur një rol vendimtar në Iran, si kleriku kryesor disident, i cili ka kritikuar qeverinë ekstremiste, moralisht të bankrotuar dhe johumane.

Në vdekje, ai duket të jetë shndërruar në frymëzim dhe pikë bashkimi për opozitën e brishtë, duke u bërë sfida më thelbësore e regjimit që prej Revolucionit Islamik më 1979.

Deri në kohën kur vdiq, në moshën 87-vjeçare, Ajatollah Montazeri kishte kaluar dy dekadat e fundit duke argumentuar se establishmenti klerik në Teheran kishte braktisur parimet thelbësore të revolucionit.

Ai ka ndihmuar në themelimin e Republikës Islamike me Ajatollah Ruhollah Khomeinin dhe pritej ta trashëgonte atë si lider suprem, por planet ndryshuan pas kundërshtimeve të Montazerit mbi ekzekutimet e të burgosurve politikë më 1989.

Ajatollah Montazeri ka vazhduar, ndërkohë, të proklamojë nga aspekti fetar reformën dhe të drejtat e njeriut, duke bërë përpjekje të pajtojë islamin me demokracinë.

Pas zgjedhjeve të manipuluara të presidentit Mahmud Ahmadinexhad, qershorin e kaluar, kleriku u rreshtua me opozitën, duke mbrojtur qëndrimin se edhe në një shtet fetar, legjitimiteti vjen nga vetë populli.

Regjimi është duke u bërë gjithnjë e më i dëshpërueshëm përballë paaftësisë për ta heshtur këtë sfidë të brendshme.“Kemi frikë se veprime kërcënuese të regjimit do të pasojnë”. Ka edhe thashetheme për mundësinë e arrestimit të liderëve opozitarë, Mir Husein Mosavi dhe Mehdi Karrubi.

Në vend se t’i adresojë shqetësimet mbi programin nuklear të Iranit, presidenti Ahmadinexhad ka thënë se Teherani do të injorojë afatin e përcaktuar nga presidenti Obama, që deri në fund të vitit, të pranohet një kompromis, për hir të diplomacisë.

Zoti Obama duhet t’i përmbahet këtij afati dhe të shtyjë edhe anëtarët të tjerë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të vendosur sanksione më të rrepta.

Para se të vdiste, Ajatollah Montazeri ka kërkuar falje për pengmarrjen e ambasadës amerikane në Teheran, më 1979, dhe ka kundërshtuar ashpër ambiciet nukleare të regjimit.

Për riparimin e raporteve të trazuara amerikano-iraniane do të kishte më shumë shpresë, nëse idetë e tilla do të kishin lëshuar më shumë rrënjë në Iran.
XS
SM
MD
LG