Ndërlidhjet


Përkundër paralajmërimeve të vazhdueshme, sistemi i drejtësisë në Kosovë, 10 vjet pas çlirimit të vendit, nuk po arrin të reformohet. Këtë vlerësim japin ekspertët për çështje juridike, duke u vënë një theks të veçantë vonesave në emërimin dhe riemërimin e gjyqtarëve e prokurorëve.

Eksperti i drejtësisë, Ismet Salihu, si arsye të ngecjes së reformave numëron edhe, siç thotë ai, angazhimin jo të duhur të misionit të atëhershëm administrues në vend, UNMIK, për konstituimin dhe konsolidimin e gjykatave të Kosovës.

“Ngecje të shumta dhe të natyrës konceptuale strategjike. Së pari, UNMIK-u nuk i ka kushtuar kujdes të duhur konstituimit dhe konsolidimit të gjykatave të Kosovës, për shkak se ka qenë mjaft i ngathët, posaçërisht kur nuk ka emëruar gjyqtarë të mjaftueshëm dhe prokurorë”.

“Pagat kanë qenë nën çdo nivel, infrastruktura... Kjo ka vazhduar dhe tani e kemi këtë gjendje shumë të rëndë në sistemin e drejtësisë së Kosovës”,
thotë Salihu.

Vlerësim të ngjashëm jep edhe juristi Kujtim Kërveshi. Sipas tij, reformat në drejtësi janë duke shkuar me një ritëm të ngadaltë. Zvarritjet në procesin e riemërimit të gjyqtarëve, thotë Kërveshi, kanë bërë që drejtësia në Kosovë të ngecë në shumë drejtime.

“E meta më e madhe sivjet në sistemin e drejtësisë është moskompletimi i procesit të riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky është një proces që po zgjat me vite të tëra - planifikimi dhe ngecjet në realizimin e tij përfundimtar”.

“Një proces, i cili ka dëshmuar se institucionet e gjyqësisë në Kosovë kanë një numër të madh të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët nuk janë të denjë për t’i mbajtur pozicionet e gjyqtarëve dhe prokurorëve”,
thotë Kërveshi.

2009-a, sipas Kërveshit, mund të konsiderohet vit i dështimit të drejtësisë në Kosovë. Formimin e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse me funksione të limituara, ai e konsideron si të vetmen arritje të drejtësisë kosovare në këtë vit.

“Një nga mangësitë evidente në këtë vit ka qenë edhe mosshtrirja e juridiksionit të institucioneve të Kosovës në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, si dhe shumë procese të tjera, të cilat kanë ngecur”.

“Do të mund të quhej një vit i ngecjeve të sistemit të drejtësisë - përveç konstituimit të Gjykatës Kushtetuese, gjithashtu me aftësi të limituara funksionale, që ka ndodhur këtë vit”,
shprehet Kerveshi

Për tejkalimin e kësaj gjendjeje, eksperti Salihu mendon se duhet të ndërmerren hapa rrënjësorë. Krijimi i kushteve më të mira të punës, siguria, rritja e pagave janë disa nga masat, të cilat, sipas Salihut, do të ndikonin në një sistem më efikas të drejtësisë.

“Kjo është e patolerueshme. Këtë gjendje nuk e keni në asnjë vend të rajonit. Kjo ka kushtëzuar madje edhe një pjesë të korrupsionit, të ngathtësisë, të numrit të madh të lëndëve të pazgjidhura etj. Duhet të bëhet emërimi i gjyqtarëve, prokurorëve...”.

“Shikoni, një vjet e gjysmë zgjat procedura e emërimit të gjyqtarëve e prokurorëve. Duhet t’u rriten pagat, që janë nën çdo nivel. Me këto paga nuk mund të ketë gjyqësor të mirëfilltë, as prokurori të mirëfilltë. Nuk kanë siguri elementare. Imagjinoni situatën kur dy gjyqtarë punojnë në një zyrë”,
thotë Salihu.

Sistemi i drejtësisë, disa herë, është kritikuar në mënyrë të hapur nga organizatat ndërkombëtare dhe ato vendore. Ato, në raportet e tyre, kanë nënvizuar se sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë me një performancë të dobët dhe i korruptuar.

Nga ana tjetër, zyrtarët përgjegjës për këtë fushë thonë se janë në proces të reformimit të këtij sistemi, pas të cilit, mbase do të ketë sundim të plotë të ligjit dhe vënie të drejtësisë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG