Ndërlidhjet

logo-print

Festa e Krishtlindjeve u festua edhe nga komuniteti kroat në Kosovë, i cili jeton në Janjevë. Banorët thonë se ky komunitet po jeton në kushte shumë të rënda ekonomike, të cilat po i detyrojnë ata të largohen nga Kosova.


Krishtlindjet kanë kthyer për pak momente harenë dhe gëzimin te komuniteti kroat në Kosovë. Vendbanimi ku ky komunitet jeton, Janjeva, çdo ditë e më tepër po zbrazet nga kroatët, të cilët kërkojnë një vend me më shumë perspektivë për ta dhe familjet e tyre.

Banorët e Janjevës thonë se nuk kanë pasur konflikte ndëretnike dhe se në pronat e tyre, ata ndihen të sigurt. Por, kërcënimi më i madh për të ardhmen e tyre në Kosovë është papunësia.

Nga 4 mijë banorë, sa jetonin dikur në Janjevë, sot kanë mbetur 250 sish. Lubica Berishiq është mësuese në shkollën fillore. Shqetësimi i saj kryesor është se nxënës kroatë në Janjevë ka gjithnjë e më pak.

“Kemi 85 nxënës, 47 prej tyre janë kroatë, kurse kemi edhe romët me ne. Kur mbarojnë edhe shkollën e mesme, nuk gjejnë punë dhe normal largohen”, thotë kjo mësuese.

Ajo rrëfen se ngjarje e njëjtë i ka ndodhur edhe me djalin e saj, i cili, sapo kishte kryer shkollën e mesme, i mbetur pa punë, ishte larguar.

Janjeva njihej dikur për prodhimin e lodrave dhe gjësendeve të tjera prej plastikës. Ndërkaq sot, banorët ankohen për kushtet e rënda ekonomike. Megjithatë, ata janë munduar që për Krishtlindje t’i kenë sofrat e shtruara dhe t’i zbukurojnë shtëpitë e kopshtet.

Cveta Golomeriq pastron oborrin e shtëpisë dhe përgatitet për Krishtlindjet në familjen e saj. Ajo thotë se e siguron ekzistencën nga shitblerja e bagëtive. Ndërsa, kursimet shfrytëzohen për shkollimin e fëmijëve dhe festat si kjo e Krishtlindjeve.

“I kemi përgatitur të gjitha nga pak. Byrek, fasule e gjëra të tjera ushqimore që zakonisht shtrohen për Krishtlindje”,
thotë Golomeriq.

Në vendbanimin e kroatëve në Janjevë ndodhet edhe kisha katolike, ku banorët luten apo mblidhen, sidomos gjatë festave fetare. Aty ka edhe kafiteri e dyqane të vogla tregtare.

Tadija Guciq ka një kafiteri të vogël. Por, në pamundësi që të sigurojë ekzistencën, edhe ai planifikon të largohet.

“Deri në pranverë, me siguri se do të largohem. Nuk ka perspektivë. Kam tre fëmijë dhe ata kërkojnë të ushqehen”, thotë Guciq, sipas të cilit, çdo vit në këtë vendbanim, kushtet e jetës po bëhen më të rënda.

Sidoqoftë, me gjithë kushtet e vështira, banorët kroatë të Janjevës thonë se kur vijnë Krishtlindjet, ata bëjnë të pamundurën që aty të mbretërojë atmosferë festive. Kurse, me të mbaruar festa, problemet mbesin dhe zgjidhja e vetme, sipas tyre, është të kërkojnë punë diku jashtë Kosovës, në Kroaci, sidomos në viset bregdetare, ku mund të ketë nevojë për punëtorë sezonalë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG