Ndërlidhjet

Në vitin 2009, Kosovën e kanë njohur vetëm 11 shtete, ndryshe nga viti paraprak, kur shteti i ri u njoh nga 53 vende të ndryshme të botës. Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se procesi në GJND ka shkaktuar ngecjen.



Viti që po përmbyllet, nuk ka sjellë shumë njohje për Kosovën - vetëm 11, ndryshe nga ai i kaluari, në të cilin Kosova u njoh si shtet i pavarur nga 53 shtete.

2008-a po ashtu solli njohjet nga shtetet më të fuqishme botërore, si SHBA-të dhe 22 vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkaq, këtë vit, ka qenë shteti i Amerikës Qendrore, Panamaja, ai që më 16 janar nisi procesin e njohjes, për t’u përmbyllur me Malavin, shtet ky afrikan, që njohu Kosovën më 16 dhjetor.

Ministria e Punëve të Jashtme jep dy arsye për këtë ecuri të ngadaltë të njohjeve. Zëdhënësja Albana Beqiri konsideron se nuk duhet të bëhen krahasime mes dy viteve.

“Nuk mund të kemi krahasime mes vitit të parë dhe vitit të dytë, për vetë specifikat që ka pasur viti i parë i pavarësisë së Kosovës. Ju e dini se bumi më i madh i Kosovës ka ardhur në ditët e para, në muajin e parë, nga shtetet që edhe e kanë sponsorizuar pavarësinë, e që kanë qenë edhe shtetet e para që e kanë njohur dhe e kanë ndërmarrë këtë hap”, shprehet Beqiri.

Beqiri pranon se edhe në muajt e fundit të 2008-ës ka pasur rënie të njohjeve. Ndërkaq, ndër shkaqet kryesore, që përmend Beqiri, është procesi i ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë që u zhvillua në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Arsyeja tjetër, që nuk mund ta fshehim dhe Ministria e Punëve të Jashtme gjithmonë e ka potencuar këtë haptas, ka qenë procesi në GJND i Kosovës, i ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ka qenë një proces, i cili, një numër shtetesh që kanë hezituar, e ka bërë të mendojë dhe të presë mendimin e gjykatës”, thekson Beqiri.

Me iniciativë të Serbisë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në vjeshtë të 2008-ës, pati autorizuar GJND-në që të japë mendimin këshillëdhënës në pyetjen e parashtruar nga Serbia - nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Njohësit e së drejtës ndërkombëtare e rendisin procesin në GJND si një nga argumentet kryesore, që ka shkaktuar ngecje në njohjen e Kosovës.
Afrim Hoti konsideron se, ndryshe nga 2008-a, kur u shënua vala më e madhe e njohjes së Kosovës, ky vit, sipas tij, ishte më i suksesshëm për diplomacinë serbe, e cila ia doli që përkohësisht ta bllokojë procesin e njohjes së shtetit më të ri në botë.

“Blloku kundër njohjes, që është i udhëhequr nga Serbia, Rusia, Spanja dhe shtete të tjera, ka shënuar një lloj suksesi, nëse mund ta quajmë sukses, në kuptimin e bllokimit të përkohshëm, ose momental, me argumentin e pasimit të Kosovës, të çështjes së Kosovës para GJND-së, e që mendoj se kjo nuk është zgjidhja dhe nuk mund të konsiderohet sukses, sepse, megjithatë, shtetet tjera presin që ky mendim, ose ky opinion juridik për Kosovën, të jepet dhe më pas normalisht të marrin pozicione tjera”, thotë Hoti.

Hoti vlerëson numrin prej vetëm 11 njohjeve si një fakt negativ për Kosovën. Megjithatë, ai sheh diçka pozitive në vitin që po lëmë pas - anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, që, sipas tij, ka arritur të balancojë sadopak këtë ngecje në procesin e njohjeve.

Afrim Hoti konsideron se edhe moskonsolidimi i plotë i shërbimit të jashtëm të Kosovës ka shkaktuar ngecje.

Lobimi i institucioneve tona ka qenë i një niveli shumë të ulët, edhe pse kjo ka qenë si prioritet për ambasadat tona ose për përfaqësuesit tanë jashtë vendit, të cilët, përkundër vullnetit të mirë, asnjëherë nuk arritën të konsolidohen dhe asnjëherë nuk arritën të përçojnë zërin e tyre fuqishëm”, thekson Hoti.

Kosova, deri më tash, është njohur nga 64 shtete të botës. Udhëheqësit kosovarë presin epokë të re njohjesh pas përfundimit të procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila pritet ta japë mendimin këshillëdhënës në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

Ndryshe, procesi i dëgjimit të deklaratave për dhe kundër pavarësisë së Kosovës në Hagë u mbajt në 10 ditët e para të dhjetorit, për t’u përmbyllur me 14 shtetet që u deklaruan pro pavarësisë së Kosovës dhe 12 kundër saj.

Legjitimitetin dhe ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e kanë mbështetur: Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Arabia Saudite, Austria, Bullgaria, Kroacia, Danimarka, Holanda, Norvegjia, Finlanda dhe Jordania.

Në mbrojtje të qëndrimit të Serbisë kanë dalë: Rusia, Kina, Spanja, Brazili, Argjentina, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bolivia, Rumania, Qipro, Venezuela dhe Vietnami.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG