Ndërlidhjet

Me gjithë resurset e mjaftueshme turistike në Kosovë, sektori i turizmit nuk është i zhvilluar dhe i shfrytëzuar sa duhet. Ekspertë të fushës së turizmit dhe zyrtarë qeveritarë pohojnë se, me gjithë përpjekjet për të përmirësuar këtë sektor, problem mbetet mungesa e energjisë elektrike dhe e infrastrukturës së duhur.



Rajoni qendror turistik i Prishtinës, ai i Alpeve Shqiptare, rajoni turistik i Sharrit, i Mitrovicës dhe ai i Anamoravës, konsiderohen si pesë rajonet kryesore turistike në Kosovë. Kështu thotë Bujar Kuqi, udhëheqës i Departamentit të Turizmit, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Këto mjedise, sipas tij, dallohen jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, me mundësitë që ekzistojnë për zhvillimin e turizmit malor, e sidomos të atij dimroro-sportiv.

Por, me gjithë resurset e mjaftueshme turistike, interesimi i vizitorëve të huaj nuk është në nivelin e duhur, thotë Kuqi, duke shtuar se, megjithatë, ndërkombëtarët janë ata që më së shumti e vizitojnë Kosovën.

“Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, interesimi është më i madh. Kryesisht, interesimi vjen nga njerëzit, të cilët e kanë vizituar Kosovën në një formë apo tjetër - kryesisht ndërkombëtarë që për një kohë të gjatë kanë qenë në Kosovë”.

“Janë ata që tash kthehen për të vizituar Kosovën si vizitorë, në vende të ndryshme që ata i kanë parë gjatë misioneve të tyre. Unë mendoj se ka hapësirë për të bërë më shumë”,
thotë Kuqi.

Sa i përket nivelit të interesimit, Kosova nuk mund të jetë e kënaqur me numrat e turistëve, mirëpo janë trimërues trendët pozitivë, sidomos rritja e numrit të vizitorëve të ardhur nga Shqipëria, thonë ekspertë të turizmit.

Zekë Çeku, udhëheqës i Kompanisë për Planifikim dhe Zhvillim të Turizmit, thotë se, edhe pse Kosova është vend i vogël, ka mjaft resurse turistike, që krijojnë mundësitë për zhvillimin e llojeve të ndryshme të turizmit, trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Ai thotë se rajonet turistike janë mjaft interesante dhe atraktive për vizitorët, por këto potenciale, sipas tij, ende nuk vlerësohen nga institucionet vendore.

“Mungesa e energjisë elektrike është problem mjaft i madh. Janë hedhurinat që i kemi në Kosovë - ne kemi natyrë të bukur, ne kemi lumenj, lugina, male shumë të bukura, mirëpo gjithandej janë të mbuluara me hedhurina. Një nga vërejtjet kryesore që i kemi prej mysafirëve, të cilët vijnë këtu, janë hedhurinat”, thekson Çeku.

Ai konsideron se numri i vogël i turistëve është pasojë e vetëdijes se ulët të qytetarëve, të përfaqësuesve institucionalë, por edhe të operatorëve turistikë për zhvillimin e turizmit.

“Operatorët tonë turistikë janë marrë kryesisht me dërgesën e kosovarëve jashtë, ndërkaq fare, gati kurrë, nuk janë interesuar që të sjellin turistë brenda. Nuk është investuar. Buxheti në Departamentin e Turizmit ka qenë aq i vogël, sa nuk ka mjaftuar as për ndonjë prezantim dinjitoz në ndonjë panair të jashtëm”,
vlerëson Çeku.

Në anën tjetër, Ilaz Beqiri, pronar i agjencisë turistike “Veneta Travel”, thotë se gjatë këtij viti nuk kanë munguar turistët e huaj. Ndërsa, sa i përket promovimit të vlerave turistike të Kosovës në vende të ndryshme të Evropës, ai thekson se kjo është kompetencë e institucioneve qeveritare.

“Për promovimin e Kosovës duhet të shkohet në nivel shtetëror, në bashkëpunim me subjektet afariste ose me agjencitë dhe tërë operatorët në Kosovë”, thotë Beqiri.

Por, Bujar Kuqi, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se Departamenti i Turizmit vazhdimisht bën përpjekje për përmirësimin e kësaj fushe. Ai shpreh bindjen se me mjetet e pakta buxhetore, të cilat i posedon Departamenti i Turizmit, rezultatet janë inkurajuese.

“Ne, si Departament i Turizmit, kemi kufizime buxhetore sa i përket këtij sektori. Mirëpo, me këtë buxhet që kemi dhe marrë parasysh bashkëpunimin e mirë që kemi me donatorë të huaj, si GTZ-në gjermane dhe USAID-in, ne kemi arritur, në njëfarë forme, të bëjmë promovime të ndryshme”.

“Në vitin 2009, Departamenti i Turizmit, së bashku me komunitetin e biznesit, ka paraqitur Kosovën në tri panaire ndërkombëtare, që ka qenë ngjarja kryesore sa i përket promovimit të turizmit në Kosovë”,
thotë Kuqi.

Pavarësisht këtyre, si shqetësim tjetër në fushën e turizmit, Zekë Çeku thekson edhe mungesën e kapaciteteve hoteliere në rajonet turistike.

“Kemi probleme edhe me hotelet tona. Hotelet tona në Prishtinë kanë mjaft kërkesa nga mysafirët, nga ndërkombëtarët, delegacionet - nuk janë shumë të interesuara për dhënie, për pranimin e grupeve turistike”.

“Kemi probleme edhe në qendrat e njohura turistike në Kosovë. Nuk kemi kapacitete të mjaftueshme, sepse ndërtimet janë bërë kryesisht pa ndonjë vlerësim, pa ndonjë analizë paraprake”.

“Ndërtimet janë bërë përgjatë rrugës magjistrale. Ndërsa, aty kemi resurset turistike, aty kemi shumë pak kapacitete”,
shprehet Çeku.

Ndryshe, përveç pesë rajoneve për turizmin malor, Kosova është e pasur dhe e njohur edhe me atraksione të tjera turistike, siç janë: Gryka e Rugovës, Burimi i Drinit të Bardhë, Ujëvara e Mirushës, një numër i konsiderueshëm shpellash, duke veçuar Shpellën e Gadimës, dhe bifurkacioni i Lumit të Nerodimes.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG