Ndërlidhjet

Kosovë – Mali i Zi: Ambasadat në 2010-ën?


Podgoricë
Podgoricë

Qeveria e Kosovës beson se, në pjesën e parë të 2010-ës, do të vendosen marrëdhëniet diplomatike me Malin e Zi. Ky qëndrim bëhet i ditur pas sinjaleve nga Mali i Zi, se raportet diplomatike do të vendosen para vendimit të GJND-së.


Mali i Zi, edhe pas 14 muajsh të njohjes së pavarësisë, nuk ka vendosur marrëdhëniet diplomatike me Kosovën.

Sinjalet e fundit që vijnë nga fqinji i Kosovës, janë se këto marrëdhënie mund të vendosen para vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila, në pranverë të vitit të ardhshëm, pritet të japë mendimin këshillëdhënës në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë.

Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, citohet nga mediat malazeze të ketë thënë se nuk duhet ngurruar dhe nuk duhet qëndruar pas alibisë së pritjes së vendimit të GJND-së.

Ndërsa, Gjukanoviq nuk ka përcaktuar ndonjë datë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, mendon se pranvera e vitit të ardhshëm do të sjellë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Ajo që duhet theksuar, është se ekziston një vullnet i plotë, i dyanshëm, për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe ngritjen e këtyre marrëdhënieve në këtë nivel”.

“Besojmë se, gjatë pjesës së parë të vitit të ardhshëm, do të ketë nënshkrim formal të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, me ç’rast edhe formalisht do të bëhet emërimi i ambasadorëve nga Kosova në Mal të Zi dhe nga Mali i Zi në Kosovë”,
shprehet Krasniqi.

Maqedonia dhe Mali i Zi njohën Kosovën në kohën kur Serbia paraqiti kërkesën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, për të çuar rastin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ky veprim i vendeve fqinje vlerësohet lart nga profesori në Fakultetin e Shkencave Politike, Ibrahim Gashi, njëherësh nënkryetar i partisë opozitare, Aleanca Kosova e Re. Ai thotë se zhargitja e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Malin e Zi, edhe mund të arsyetohet.

“Unë jam i prirë ta mirëkuptoj dhe ta përshëndes tash gatishmërinë dhe ta mirëkuptoj vonesën, kur kihet parasysh presioni i madh që bëhet mbi Malin e Zi nga Serbia”.

“Duhet pasur parasysh se në Mal të Zi, partia e dytë më e fuqishme është pro serbe dhe gjysma e opinionit publik nuk e akcepton dhe nuk e arsyeton një vendim për vendosjen e marrëdhënieve, madje as njohjen e Kosovës”,
thekson Gashi.

Vendosja e raporteve diplomatike me Maqedoninë, sipas analistëve, qe kushtëzuar nga shteti maqedonas me përfundimin e shënimit të kufirit. Kosova duhet ta përcaktojë kufirin edhe me Malin e Zi.

Qeveria e Kosovës
Por, zëdhënësi Memli Krasniqi nuk e sheh këtë si një nga problemet, të cilat ndikojnë në mosvendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

“Me Malin e Zi nuk kemi kontest kufitar. Baza e demarkacionit me shtetet e ish-Jugosllavisë, përveç Maqedonisë, është Kushtetuta e 74-ës”, thotë Krasniqi.

Megjithatë, verën që shkoi, ka pasur disa incidente në kufirin kosovaro-malazez. Një pllakë që uronte mirëseardhjen në Mal të Zi, sipas banorëve lokalë, por edhe policisë kufitare të Kosovës, qe vendosur në brendi të territorit të Kosovës. Kjo pati nxitur protesta të banorëve lokalë.

Drejtori i Policisë së Malit të Zi, Veselin Veloviq, pati thënë në Prishtinë se pllaka gjendej në territorin malazez. Megjithatë, zyrtarët malazezë vazhdojnë të përsërisin se nuk kanë pretendime territoriale ndaj Kosovës.

Ibrahim Gashi mendon se kosovarët duhet të jenë të matur, që të vendosin raporte të mira fqinjësore me Malin e Zi, por jo edhe të falin tokën kosovare.

Sigurisht që Kosova duhet të jetë e hapur për bisedime teknike, por jo edhe për lëvizjen e kufijve. Ata janë të vendosur, konstantë, janë të pandryshueshëm, janë ata që i ka njohur dokumenti i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës”.

“Nuk kemi nevojë që të negociojmë për diçka të tillë, në rast se kushtëzohet vendosja e raporteve diplomatike me demarkacion”,
thotë Gashi.

Ndryshe, njohja e Kosovës nga vendet fqinje, përfshirë këtu edhe Malin e Zi, është përdorur si argument i fuqishëm pro pavarësisë në GJND nga shtetet e mëdha botërore si SHBA-të dhe disa vende të BE-së, që u vunë në mbrojtje të Kosovës.

Republikën e Kosovës, deri më tash, e kanë njohur 64 shtete. Hovi i njohjes ka qenë i ulët në vitin që po përmbyllet, vetëm 11 sosh, në krahasim me 2008-ën, kur Kosova u njoh nga 53 shtete.
XS
SM
MD
LG