Ndërlidhjet

Nigeriani akuzohet për sulm kundër aeroplanit amerikan



Autoritetet e Shteteve të Bashkuara kanë ngritur akuza kundër 23 vjeçarit nga Nigeria, i cili u përpoq ta hedhë në erë aeroplanin e udhëtarëve në Ditën e Krishtilindjeve.

Në spitalin e Miçiganit, gjykatësi e lexoi akt akuzën kundër të dyshuarit Umar Faruk Abdulmutalib, ku ai po trajtohet nga plagët që mori kur u përpoq ta aktivizojë mjetin e tij shpërthyes në qytetin e Detroitit pasi aeroplani mbërriti nga Amsterdami.

Zyrtarët amerikanë thanë se materiali shpërthyes ishte eksploziv i lartë PETN, i njohur edhe si pentaetritol.

I dyshuari është përshkruar si ish student i universitetit në Londër, babai i të cilit është ish drejtues i Bankës së Parë të Nigerisë, njërit nga grupet më të mëdha financiare në këtë vend.

Zyrtarët amerikanë thanë se hetuesit po përpiqen t’i konfirmojnë pohimet e të pandehurit se ai ka lidhje me rrjetin terrorist Al Kaida, dhe se mjetin shpërthyes e ka siguruar në Jemen.
XS
SM
MD
LG