Ndërlidhjet

Teheran: Përleshje të dhunshme në ditën e Ashuras



Faqet e internetit të opozitës në Iran raportojnë se forcat e sigurisë kanë hapur zjarr gjatë demonstratave antiqeveritare në Teheran, kurse një uebsajt njoftoi se tre persona janë vrarë.

Raporti për të vrarët, të cilin e bëri publik uebsajti proreformator Rah-e-Sabz nuk ka mundur të verifikohet nga burime të pavarura.

Më herët, dëshmitarët thanë se policia dhe forcat e sigurisë përdorën shufra dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë mijëra protestuesit, të cilët ishin nisur drejt qendrës së Teheranit.

Raporte tjera thonë se disa protestues brohoritnin “Vdekje diktatorit” dhe “Në këtë muaj të përgjakur, basixh do të bjerë”, duke iu referuar milicisë qeveritare, e cila luan rol kryesor në shtypjen e protestave.

Protestat e sotme në Teheran vijnë në ditën e kulminimit të festës shiite të Ashuras, e cila përkujton nipin e vrarë të Profetit Muhamed.

Sot gjithashtu mbushen shtatë ditë nga vdekja e Ajatollahut të Madh, Hosein Ali Montazeri, i cili ishte kritik kryesor i regjimit aktual.
XS
SM
MD
LG