Ndërlidhjet

Papunësia, sfidë edhe në 2010-ën


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Papunësia do të jetë një nga sfidat kryesore edhe në vitin 2010, thonë përfaqësues të punëtorëve dhe ekspertë të ekonomisë. Sipas tyre, shkalla e papunësisë në Kosovë është më e larta në Evropë, ndërkaq, siç thonë ata, institucionet vendore nuk kanë projekte për zbutjen e nivelit të papunësisë.




Niveli i lartë i papunësisë vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore të shoqërisë dhe institucioneve kosovare, sfidë kjo që do të përcillet edhe në vitin 2010.

Kështu thonë përfaqësues të punëtorëve dhe ekspertë për çështje ekonomike, sipas të cilëve, shkalla e papunësisë në Kosovë është më e larta në Evropë.

Xhemshit Duriqi, njohës i çështjeve ekonomike, vlerëson se shqetësues në këtë aspekt mbetet fakti se struktura e re e popullsisë, bën që çdo vit, tregut të punës t’i bashkëngjiten 30 mijë të rinj të papunë.

Për këtë, Duriqi thotë se institucionet vendore, gjatë vitit të ardhshëm duhet të orientohen më tepër për krijimin e vendeve të reja të punës.

Ndërsa, në rritjen e shkallës së papunësisë, sipas Duriqit, ka ndikuar edhe privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore.

“Papunësia është problem i madh; shkalla e papunësisë është më e larta në Evropë. Fatkeqësia është se ajo jo vetëm që është më e larta, por ajo vjen vazhdimisht duke u shtuar çdo vit”.

“Kontingjenti i ri që kërkon punë, sillet 30 mijë për çdo vit. E, absorbimi, apo hapja e vendeve të reja të punës është 10 herë më e vogël sesa kjo shifër”,
thekson Duriqi.

Ndryshe, në bazë të statistikave zyrtare, thuhet se mbi 40 për qind e popullatës të aftë për punë, janë të papunë, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që kjo përqindje të jetë më e lartë, për shkak se jo të gjithë të papunët regjistrohen në zyrat e punësimit.

Por, sipas statistikave të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, konsiderohet se afër 70 për qind e popullatës janë të papunë, përqindje kjo që, sipas tyre, vështirë se mund të ulet edhe në vitin tjetër.

Ndue Kalaj, nga BSPK-ja, thotë se papunësia në Kosovë do të jetë sfidë edhe në vitin 2010.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës mendon se edhe viti 2010 do të jetë vit i sfidave shumë të rënda. Mendojmë se punësimi dhe çështja sociale, çështja e njerëzve në përkujdesje, do të jetë shumë e madhe. Dhe, nuk besojmë se Qeveria do të mund të arrijë diçka”, shprehet Kalaj.

Në anën tjetër, udhëheqës të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, tashmë kanë deklaruar se Qeveria e Kosovës, gjatë këtij viti, në bashkëpunim me ekspertë nga Banka Botërore, ka punuar ngushtë në identifikimin e projekteve për sigurim të punësimit të qëndrueshëm.

Për këtë qëllim, Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 8 milionë euro, ndërsa Banka Botërore vitin e ardhshëm pritet të alokojë 20 milionë euro.

Por, eksperti Xhemshit Duriqi thotë që nuk është optimist se me këtë shumë të mjeteve mund të ulet shkalla e papunësisë, sepse për këtë nevojiten projekte konkrete, projekte këto, që, sipas tij, nuk ekzistojnë.

“Thuajse institucionet tona po presin që Banka Botërore, edhe do t’ua bëjë konceptin e zhvillimit, edhe do t’i bëjë projektet e gatshme, edhe do t’iu ndajë para. E, ajo është e pamundur”.

“Pra, institucionet e Kosovës duhet patjetër, shpejt, të bëjnë projekte, siç janë projektet për bujqësi, për industri përpunuese dhe ndërmarrje të vogla e të mëdha në lëmin e prodhimit”,
thekson Duriqi.

Edhe Ndue Kalaj shprehet të jetë skeptik se këto mjete do të shfrytëzohen për uljen e shkallës së papunësisë në Kosovë.

“Të them të vërtetën, nuk jemi shumë optimistë në atë, sepse Qeveria e Kosovës edhe deri më tani shumë projekte, të cilat i ka marrë nga bashkësia ndërkombëtare, nuk ka mundur t’i realizojë”.

“Mandej, mendoj se një problem shumë i madh është se në Kosovë sot mungon edhe një përgjegjësi institucionale e bartësve të njerëzve, të cilët sot udhëheqin
”, shprehet Kalaj.

Mosha mesatare e të papunëve në Kosovë është 18 - 35 vjeç, shumica prej të cilëve konsiderohet të jenë të pakualifikuar, gjë që, sipas autoriteteve kompetente, e vështirëson edhe më shumë mundësinë e punësimit të tyre në të ardhmen.
XS
SM
MD
LG