Ndërlidhjet

logo-print

Teheran: Vritet nipi i liderit të opozitës


Teheran, 27 dhjetor 2009

Teheran, 27 dhjetor 2009


Uebsajti reformator i Iranit “Parlemannews” raportoi se njëri nga nipërit e liderit të opozitës Mir Hosein Musavi u vra të dielën, gjatë përleshjeve ndërmjet policisë dhe protestuesve kundër Qeverisë në Teheran.

Në njoftimin në faqen e internetit thuhet se, “Ali Musavi është vrarë në përleshje, të dielën në mesditë dhe trupi i tij po mbahet në një spital në Teheran”.

Një bashkëpunëtor i Musavit, nën kushte anonimiteti, ia konfirmoi raportin Radios Evropa e Lirë.

Më herët, burimet e pavarura lokale të lajmeve thanë se të paktën katër vetë u vranë të dielën gjatë përleshjeve të mijëra protestuesve me forcat e sigurisë.

Një uebsajt proreformator tha se tre demonstrantë u qëlluan për vdekje nga forcat e sigurisë në qendër të Teheranit, ku u raportua për konfrontime të ashpra.

Raporti nuk mundi të verifikohet nga burime të pavarura, por dëshmitarët thanë se përleshjet në atë zonë po vazhdonin.

Një aktivist për të drejtat e njeriut në Teheran i tha Radios Evropa e Lirë se protestuesi i katërt ka vdekur pasi ishte qëlluar me shkop në kokë nga forcat e sigurisë. Policia ka mohuar çdo vdekje.

Një dëshmitar okular i tha Radios Evropa e Lirë se forcat e policisë kanë përdorur gaz lotsjellës kundër ithtarëve të opozitës për t’i detyruar të shpërndahen nga qendra e qytetit.

Protestat gjatë ditës së diel, u mbajtën një ditë pas përleshjeve të dhunshme dhe erdhën në ditën e kulminimit të festës shiite të Ashuras, e cila përkujton Imam Huseinin, nipin e vrarë të Profetit Muhamed në shekullin e shtatë.

Pikërisht të dielën, më 27 dhjetor, mbushen shtatë ditë nga vdekja e Ajatollahut Hosein Ali Montazeri, kritik i regjimit aktual.

Demonstrata janë raportuar edhe në qytetet Isfahan, vendlindjen e Montazerit në Naxhafabad, Shiraz dhe Kom. (V.P.)


XS
SM
MD
LG