Ndërlidhjet

Maqedoni, opozita shqiptare e pakonsoliduar


Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi


Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë opozitë të mirëfilltë, që do t’i denonconte të gjitha gabimet e pushtetit, por në të njëjtën kohë do të ofronte edhe alternativa për zgjidhjen e shumë problemeve, me të cilat përballet në veçanti popullata shqiptare, thotë analisti politik, Mersel Bilalli.


Sipas tij, me veprimin e deritashëm, dy partitë opozitare, Partia Demokratike Shqiptare dhe Demokracia e Re, në paraqitjen e tyre janë të njëanshme, jobindëse dhe kjo gjithnjë e më shumë e largon elektoratin nga platforma e tyre politike.

“Ajo nuk i trason çështjet kyçe fundamentale në nivel të oportunitetit politik, që të mund të krijojë masë kritike, e cila do të shndërrohej në presion ndaj qendrave të vendosjes në qeveri, e kështu me radhë”.

“Pra, paraqitja e saj është deklarative, shpeshherë e njëanshme dhe jo bindëse, ose deri në fund ekstreme, radikale, pra e pakuptueshme dhe e pabesueshme për opinionin, e që nuk lë përshtypje për tërheqjen e votuesit të zakonshëm ”,
thotë zoti Bilalli.

Sipas tij, fatkeqësia kryesore e opozitës qëndron në faktin se ajo në të shumtën e kohës merret me vetveten dhe kjo edhe më shumë e dëmton kredibilitetin e saj.

Kurse, në anën tjetër, sipas Bilallit, i dëmton rëndë edhe interesat e shqiptarëve, të cilët mbeten pa opozitë që do t’i detektonte gabimet që bën pushteti aktual.

Me shfaqjen e rivalitetit, thotë Bilalli, dy partitë opozitare vetëm sa nxjerrin në sipërfaqen dëshirën e tyre për të ardhur në pushtet.

“Ato mendojnë se njëra-tjetrës i marrin terrenin politik duke u frikësuar për mbijetesën e tyre politike. Pra, çështja themelore qëndron në atë se sa qytetari mund të bindet se partitë opozitare angazhohen për ndonjë ideal të rëndësishëm, për zhvillimin e përgjithshëm apo ndryshimin e procesit”.

“Por, kur nga bërthama e tyre del një luftë e brendshme për pushtet, e cila është interne dhe për interesa të ngushta, atëherë është e qartë se një politikë e tillë nuk do të mbështetet në masë ”, vlerëson thotë Bilalli duke rithkesuar edhe një herë nevojën për konsolidimin e opozitës, pikësëpari përmes konsolidimit të radhëve të saj me kuadro profesioniste.

“Hapi i parë që duhet të bëjnë ato është ekipimi profesional i strukturës ndërtuese të politikës, së bashku me sistemin, i cili do të menaxhojë komunikimin me opinionin. Nëse kjo nuk bëhet, atëherë gjithçka tjetër është e kotë”, thotë Mersel Bilalli.

Analistët mendojnë se opozita e dobët në Maqedoni është pasojë e ndarjes së Partisë Demokratike Shqiptare, në dy parti politike, të cilat edhe zhvillojnë rivalitet të madh mes tyre.

Kjo ka bërë që në të gjitha anketat e realizuara muajve të fundit, ato të kenë besueshmëri të ulët tek elektorati shqiptar dhe si rezultat i mungesës së alternativave tjera, edhe më tej popullaritet më të lartë gëzon partia Bashkimi Demokratik për Integrim që qeverisë vendin së bashku me VMRO- DPMNE.
XS
SM
MD
LG