Ndërlidhjet

Shqetësime për sigurinë


Qeveria e Kosovës dhe misioni i EULEX-it janë kritikuar nga opozita dhe përfaqësues të shoqërisë civile për mosfunksionimin e mekanizmave shtetërorë të sigurisë. Shqetësimet për nivelin jo të kënaqshëm në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit janë paraqitur përmes konferencave përmbledhëse, ku kryesisht janë trajtuar zhvillimet në fushën e sigurisë gjatë vitit 2009.


Opozita dhe shoqëria civile kanë shprehur shqetësimet e tyre për sekretin e sigurisë në Kosovë.

Përderisa gjendja e tërësishme e sigurisë gjatë vitit 2009 është vlerësuar relativisht e qetë, megjithatë shqetësimet kanë të bëjnë me mungesën e kapaciteteve të nevojshme dhe mosfunksionimin e mekanizmave shtetërorë të sigurisë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes sekretarit të saj të përgjithshëm, Burim Ramadani, ka identifikuar 10 dështime në angazhimet dhe politikat e Qeverisë në sektorin e sigurisë.

Mos-hartimi i Strategjisë së sigurisë kombëtare, moskontrolli i pikave kufitare dhe mosfunksioni i doganave në veri, e deri te mosfunksionimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, ishin disa nga vërejtjet që Burim Ramadani i ka paraqitur gjatë një konference, ku AAK-ja kishte përmbledhur ngecjet në fushën e sigurisë gjatë vitit që po e lëmë pas.

“Dështimi kryesor, ka të bëjë me mosfunksionalizimin e mekanizmave shtetërorë të sigurisë”.

“E dini që Agjencia Kosovare për Inteligjencë është pothuajse e bllokuar plotësisht; Forca e Sigurisë së Kosovës është duke shkuar me hapa të ngadaltë dhe me disa gabime që kanë ndodhur gjatë procesit; Policia e Kosovës ndodhet nën një trysni të madhe politike të një grupi të caktuar të Qeverisë dhe Grupi Parlamentar për Siguri nuk e ka kryer detyrën e vet, siç është paraparë me mandatin e tij”,
ka thënë Ramadani.

Krahas kritikave të bëra Qeverisë së Kosovës nga opozita, shoqëria civile ka shprehur shqetësimin e saj për angazhimet jo të mjaftueshme të EULEX-it në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

Instituti Ballkanik i Politikave (IPOL) përmes një studimi për punën njëvjeçare të EULEX-it, ka konstatuar se ky mision është marrë më shumë me vetveten, sesa me prioritetet në fushën e sundimit të ligjit.

Drejtori i IPOL-it, Seb Bytyçi, ka thënë se EULEX-i e kishte paralajmëruar si shumë të rëndësishëm protokollin e bashkëpunimit policor me Serbinë, por deri tash, sipas tij, ky protokoll nuk ka prodhuar asnjë rezultat për Kosovën.

Ndërkaq, si dështim më të madh të EULEX-it ai ka përmendur mosfunksionimin e gjykatave në veri, mosfunksionimin e pikave doganore në kufi me Serbinë si dhe rastin Bllaca.

“Rasti më flagrant ka qenë ai Bllaca. Ky rast ka ngritur disa pyetje për punën e EULEX-it, domethënë ka pasur pohime se EULEX-i ka qenë në dijeni të këtyre akuzave qysh moti, mirëpo nuk ka reaguar dhe të njëjtën kohë, dështimi i radhës ishte kur pas daljes publike të Bllacës, kishte hezitim që të arrestohet ky person”, ka theksuar Bytyçi.

Si dështime tjera që janë evidentuar në fushën e sigurisë, qoftë nga opozita apo shoqëria civile, janë përmendur edhe vjedhja e 47 kilogramëve drogë dhe e një sasie të hollash në dhomën e dëshmive dhe moszbardhja e rastit, pastaj mungesa e koordinimeve ndërmjet EULEX-it dhe Qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, si dhe mungesa e luftimit të krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit.
XS
SM
MD
LG