Ndërlidhjet

Përsëritja e votimeve - test për demokracinë


Të hënën KQZ-ja, pritet të marrë vendimin për nisjen e rinumërimit të votave të Gjilanit. Parregullsitë në zgjedhjet lokale, sipas analistëve, përveç që po vonojnë konstituimin e kuvendeve komunale, po e dëmtojnë demokracinë.




Ende nuk janë formuar kuvendet e reja komunale të dala nga zgjedhjet e 15 nëntorit.

Prishtina, kryetari i së cilës fitoi që në raundin e parë, pritet që të hënën të konstituojë kuvendin komunal.

Por, është Gjilani, në anën tjetër, për të cilin pritet, që po të hënën, të nisë rinumërimi i vendvotimeve, ku janë regjistruar parregullsi. Prizreni e Lipjani shkojnë në rivotim.

Këto dhe të tjera parregullsi që kanë pasuar zgjedhjet lokale, sipas analistëve kosovarë, po e dëmtojnë demokracinë në vend.
Dardan Gashi thotë se institucionet që i organizuan zgjedhjet, nuk kanë qenë në nivel të duhur të detyrës.

“Fajin kryesor e ka KQZ-ja dhe organet tjera të KQZ-së, komisionet komunale. Që në raundin e parë të zgjedhjeve, KQZ-ja ka krijuar huti dhe mosbesim edhe te partitë politike, edhe te votuesit me vonesat, me premtimin se do t’i shpallin rezultatet që në natën e parë”.

“I njëjti problem është përsëritur edhe në raundin e dytë, sidomos në komunat që tash do të shkojnë në rinumërim. Në përgjithësi, KQZ-ja nuk mund të lavdërohet me punën e vet
”, thotë Gashi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve asnjëherë nuk ka pranuar se është vonuar në publikimin apo certifikimin e rezultateve, duke thënë se gjithçka është zhvilluar sipas ligjit.

Përderisa zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor nuk kanë dashur të flasin për zhvillimet rreth Prizrenit, Gjilanit e Lipjanit, analisti Dardan Gashi thotë se qëndrimet e KQZ-së do ta thyejnë besimin e qytetarit.

“Nëse vota e lirë, që është institucioni themelor i demokracisë, cenohet nga partitë politike, cenohet nga institucionet e shtetit, atëherë është dëmtim i rëndë i demokracisë”, thekson Gashi.

Analisti tjetër kosovar, Bardh Hamza, thotë që mendon se me vonesën e certifikimit të rezultateve, pastaj me mosmarrjen e shpejtë të vendimeve për komunat, për të cilat ka pasur ankesa të shumta në Komisionin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, po zvarritet edhe formimi i kuvendeve t reja komunale.

“KQZ-ja është dashur që më shpejt ta përmbyllë çështjen e ankesave, që do të kishte rezultuar me konstituim më të shpejtë të kuvendeve komunale, të cilat duke marrë parasysh gjendjen që janë tash, pa një pushtet të qartësuar, do të kenë pasoja që do të vërehen në jetën e qytetarëve”, shprehet Hamza.

Hamza konsideron se demokracia po dëmtohet edhe me anulimet e vendvotimeve në komuna të caktuara të Kosovës.

Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit kanë marrë nota pozitive si nga institucionet vendëse, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare.

Por, balotazhi i 13 dhjetorit, megjithëse u lavdërua si votim edhe më i mirë sesa ai i 15 nëntorit, nxori në pah ankesa të shumta të partive politike në pushtet.

Pas shqyrtimit të ankesave, KZAP-i udhëzoi rivotim në Prizren, Gjilan e Lipjan, të tri këto komuna, ku kandidatët për kryetarë janë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

KQZ-ja vendosi për rivotime në Prizren e Lipjan, por jo edhe në Gjilan, ku pritet së pari të rinumërohen votat.
XS
SM
MD
LG