Ndërlidhjet

Kosova mbetet në recesion


Ekonomia e Kosovës vazhdon të mos ketë ngritje të theksuar, e cila do t’i adresonte problemet kryesore; ajo gjendet në pikën më të ulët të zhvillimit, e cila quhet recesion. Kështu vlerësojnë ekspertët për çështje ekonomike në Kosovë.

Muhamet Sadiku, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore “Riinvest”, thotë se Kosova ende po përballet me debalancim tregtar dhe me një varg problemesh të tjera në fushën e zhvillimit ekonomik.

“Ende realizojmë një import tejet të lartë, ndërkaq që eksporti është tejet i ulët. Pastaj, të gjitha vlerësimet tregojnë se nuk kemi pasur ndryshime në rritjen e punësimit. Do të thotë, Kosova vazhdon të ketë një kohezion të brishtë social”.

“Më pas varfëria, ndoshta edhe është ashpërsuar si rezultat i përkeqësimit të disa indikatorëve të tjerë. Këtu, në radhë të parë, kishim një rënie të remitancave ose të dërgesave nga bota e jashtme, si dhe është treguar rënie në sektorin e investimeve të huaja”, vlerëson Sadiku.

Edhe Musa Limani, drejtues i Institutit Ekonomik të Kosovës, konsideron se norma e lartë e papunësisë, rritja e varfërisë dhe problemeve sociale, janë vetëm disa nga specifikat që e karakterizojnë gjendjen e moszhvillimit ekonomik të Kosovës.

Ai thotë se këtë gjendje po e karakterizojnë edhe një varg problemesh të tjera.

Ekonomia e Kosovës ballafaqohet me pikën më të ulët, të cilën ne në ekonomi e quajmë recesion; me një rritje shumë të madhe të bilancit të pagesave, i cili aktualisht është diku mbi 1 miliard e 700 milionë; me suficitin buxhetor, që është i pakuptueshëm në këtë situatë të rëndë sociale, në të cilën gjendet Kosova”.

“Mandej, kemi kleptokratinë, që në gjuhën shqipe i thuhet vjedhje; pastaj kemi korrupsionin, evazionin fiskal, ekonominë joformale, e cila rreth 30 - 40 për qind formon GDP-në, dhe kështu me radhë”,
thotë Limani.

Ekspertët për çështje ekonomike vlerësojnë se shqetësimet, të cilat i ka ngritur, kohë më parë, raporti i Komisionit Evropian lidhur me zhvillimin e Kosovës, duhet të bëhen pjesë e agjendës së Qeverisë së Kosovës dhe të kuptohen si rekomandime për fillimin e përmirësimit të gjendjes ekonomike dhe sociale në Kosovë.

Eksperti Muhamet Sadiku thotë se Qeveria e Kosovës, së bashku me partnerët ndërkombëtarë, duhet t’i adresojë çështjet më kritike. Kosova, siç vlerëson ai, aktualisht është nën ethet e trendëve negativë afatgjatë, prandaj kërkohet përkushtim i të gjithë akterëve të involvuar për krijimin e progresit në Kosovë.

Sipas Sadikut, progresi mund të ketë kuptim vetëm nëse adresohet problemi i papunësisë.

“Ne mund të kemi rritje ekonomike, mund të kemi rritje të investimeve, por nëse rritja e investimeve nuk orientohet në luftimin e papunësisë dhe varfërisë, atëherë, vërtet, popullata këtë nuk do ta përjetojë si prosperitet ekonomik”.

“Prandaj, mbetet obligim i të gjithëve që të përfundojë sa më shpejt procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, të përmirësohet dukshëm mjedisi biznesor dhe mjedisi i investimeve, të mbështetet zhvillimi i sektorit privat dhe të bëhen përgatitjet e duhura për privatizimin e disa pjesëve të kompanive publike”,
thekson Sadiku.

Ndërkaq, Musa Limani shpreh mendimin se, për përmirësimin e gjendjes ekonomike në Kosovë, Qeveria e Kosovës fillimisht duhet t’i luftojë dukuritë negative, siç janë: korrupsioni, moskontrollimi i çmimeve, futja e mallrave në mënyrë ilegale apo ekonomia joformale e të tjera.

Sipas tij, qeveria duhet të hartojë strategjinë e zhvillimit ekonomik.

“Ta ketë një dokument, në bazë të të cilit duhet të shtrojë politikën zhvillimore makroekonomike, duke përfshirë nënsistemet kryesore të politikës së zbatuar ekonomike, siç janë: politika fiskale, politika monetaro-kreditore dhe politika e tregtisë së jashtme”.

“Politika fiskale, ashtu siç po zbatohet në Kosovë, nuk është në funksion të zhvillimit të biznesit vendor. Në ekonomi është sikurse te rryma: nëse e prek gabimisht rrymën, ajo të mbyt... Nuk ka pardon”,
përfundon Limani.
XS
SM
MD
LG