Ndërlidhjet

Ngritjet dhe rëniet e dollarit në 2009-ën

  • Claire Bigg

Për dollarin amerikan, viti 2009 ishte vit i rënieve dhe i ngritjeve, derisa Shtetet e Bashkuara e luftuan recesionin më të thellë për disa dekada.



Në fillim të krizës globale financiare, në fund të vitit 2008, dollari fillimisht kishte fituar në vlerë, derisa investitorët ishin larguar nga tregjet me rrezikshmëri për sigurinë relative të monedhës së Shteteve të Bashkuara.

Në shkurt, dollari kishte arritur ngritje të madhe ndaj euros, e cila në atë kohë vlente 1.25 dollarë.

Kjo ndodhi atëherë kur Banka Qendrore Amerikane ndërmori masa emergjente për t’u ballafaquar me krizën dhe për ta luftuar rënien ekonomike.

Në këto masa përfshihej edhe zbritja e shkallës së kamatave në nivelin rekord të ulët dhe duke e lansuar programin për shtypjen efektive të qindra miliarda dollarëve, duke e blerë borxhin e qeverisë - hap i njohur si lehtësi kuantitative.

Derisa ekonomia tregonte shenjat e para të ripërtëritjes, megjithatë investitorët iu kthyen shmangies së dollarit në favor të investimeve, që premtonin fitime më të mëdha.

Së shpejti, kjo u bë temë dominante e vitit, thotë Neil Mekinon, strategjist global nga Londra.

“Këtë vit, veçanërisht prejse rezervat federale e miratuan lehtësinë kuantitative si politikë formale dhe i ulën kamatat pothuajse në zero, dollari amerikan, në mënyrë efektive, për investitorët dhe tregtarët u bë monedhë financuese. Pra, investitorët dhe tregtarët do të huazonin në dollarë dhe këto fonde do t’i shfrytëzonin për investim në sektorët prodhues, në tregjet e reja e të tjera”, thotë eksperti Mekinon.

Në muajin tetor, dollari shënoi rënie në nivelin më të ulët gjatë vitit, kështu që një euro vlente 1.5 dollarë.

Por, rënia e dollarit këtë vit nuk ishte aq dramatike sa frikësoheshin disa.

Vanesa Rosi është analiste ekonomike në Institutin Katam Haus në Londër.

Momenti i kësaj lëvizjeje gjatë verës duket se ishte shumë i shpejtë, prandaj kishte shqetësime se dollari do të zhvlerësohej shumë shpejt. Tash, ne shohim se kjo nuk ka ndodhur. Ajo që pamë gjatë gjashtë muajve të fundit, ishte thjesht kthimi i dollarit aty ku ishte atëherë kur kriza filloi”, thotë Rosi.

Gjatë këtij muaji është shënuar një rritje e dollarit; euroja vlente 1.43 dollarë.

Dilerët thonë se një nga shkaqet ishte arritja e një morie të lajmeve të këqija nga pjesë të ndryshme të Eurozonës.

Ka pasur probleme të mëdha me borxhe në Greqi. Austria e ka nacionalizuar njërën nga bankat e saj, duke sugjeruar se kriza e bankave evropiane ende ekziston dhe është larg nga përfundimi. Vendet e tjera të Eurozonës, Irlanda, Spanja dhe Portugalia, po luftojnë me deficitet e larta.

Një raport nga Standard Bank, këtë muaj, e ka përshkruar situatën ekonomike në Greqi dhe Irlandë si të “patolerueshme”.

Për dallim nga kjo, lajmet nga Shtetet e Bashkuara janë inkurajuese.

Është rritur besimi se ekonomia amerikane po rimëkëmbet nga recesioni më i thellë prej Luftës së Dytë Botërore.

Ajo zyrtarisht është kthyer te rritja 2.8%, në periudhën korrik – shtator, pas katër tremujorëve të rënies. Edhe të dhënat e tjera ishin pozitive.

E gjithë kjo i ka shtuar pritjet se Banka Qendrore Amerikane ndoshta së shpejti do të bëjë lëvizje që do ta forcojë dollarin.

Eksperti nga Londra, Neil Mekinon, shpjegon:

“Tregu po reagon lidhur me të dhënat më të reja të punës dhe numrave të shitjes me pakicë”.

Por, megjithatë, nuk mund të thuhet se nuk ka rrezik për dollarin.

Duke llogaritur çmimin e luftërave në Irak dhe Afganistan, pastaj ndihmat për banka dhe paketën masive stimuluese, deficiti ka arritur shumën rekorde prej 1400 miliardë dollarësh për vitin fiskal 2009, që është mbyllur në fund të shtatorit.

Megjithëqë mendohet se deficiti i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara aktualisht është zvogëluar, ai është ende faktor rreziku për dollarin, thotë Xhon Viliamson, analist në Institutin për Ekonomi Ndërkombëtare, me seli në Uashington.

“Mendoj se do të ishte e hershme të thuhet se nuk ka rrezik për kolaps të dollarit. Nuk shoh se kjo do të ndodhë në një periudhë afatshkurtër, por nëse deficiti i Shteteve të Bashkuara riparaqitet, me gjithë rënien e dollarit, atëherë mund të flitet për dollar të dobët”, thotë Viliamson.

Bankat Qendrore të Jashtme janë të brengosura për sigurinë e rezervave të tyre që dominohen nga dollari, e veçanërisht në Rusi dhe Kinë, që kanë rezervat më të mëdha në dollarë, të cilat vlerësohen në 2 mijë miliardë dollarë.

Këto dy vende kanë ftuar që të lëvizet nga dollari në një shportë të monedhave më pak të ndjeshme.

Pra, ku qëndron dollari ? A të mbahet monedha amerikane apo duhet liruar nga ajo?

Analistja Vanesa Rosi thotë se për këtë pyetje nuk ekziston përgjigje magjike.

Në këtë moment, nuk ekziston sinjal i menjëhershëm që dollari do të bëhet edhe më i dobët, apo edhe më i fortë. Mendoj se gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, ne do të shohim nëse ka ndodhur një ripërtëritje e qëndrueshme”, thotë Vanesa Rosi. (F.B.)
XS
SM
MD
LG