Ndërlidhjet

Në një konferencë për gazetarë, të fundit për këtë vit, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme i vlerësuan të suksesshme arritjet e tyre në luftimin e dukurive negative si dhe në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit.



Të arriturat në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar, siguria publike, si dhe reformat në Policinë e Kosovës, nga përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme u vlerësuan si sukseset më të mëdha në 2009-ën.

Por, pavarësisht këtyre, sfidat mbeten. Këtë e pohoi edhe vetë ministri i Brendshëm, Zenun Pajaziti, në konferencën e fundit për media për këtë vit.

“Ne, sot, mund të vlerësojmë se kemi pasur një vit të suksesshëm, duke qenë të vetëdijshëm për sfidat që po lëmë pas, të cilat, pa dyshim, do të vazhdojnë të adresohen gjatë vitit të ardhshëm”, theksoi Pajaziti.

Ministri Pajaziti po ashtu dha disa detaje rreth angazhimit të Policisë së Kosovës.

“Sa i përket luftimit të krimit të organizuar, Policia e Kosovës, përkatësisht shtylla e hetimeve në kuadër të drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Kosovës, gjatë periudhës kohore janar-dhjetor, ka qenë mjaft e angazhuar në luftimin e krimit të organizuar, duke ndërmarrë aksione të shumta, ku disa prej tyre kanë rezultuar me sukses. Janë ndërmarrë 148 operacione, janë arrestuar 142 persona dhe janë shkatërruar 15 grupe kriminale”, theksoi Pajaziti.

Situatë relativisht e qetë gjatë 2009-ës vlerësohet edhe nga ekspertët e sigurisë. Por, ata njëherësh theksojnë nevojën e riorganizimit në Policinë e Kosovës, në aspektin strukturor dhe organizativ.

Eksperti Ramadan Qehaja tha se veriu i Kosovës ka qenë dhe do të mbetet sfidë për institucionet e vendit. Krimi i organizuar në kufirin Kosovë-Serbi po zhvillohet pa u penguar, tha ai.

Ende kemi një barrierë shumë të madhe ndaj veriut të Kosovës. Atje nuk ka qasje qeveria, përkatësisht nuk ka pasur qasje Ministria e Punëve të Brendshme me Policinë e Kosovës. Krimi i organizuar atje është duke lulëzuar”, u shpreh Qehaja.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, pranoi sfidat që sjell veriu i Kosovës për institucionet e vendit. Përpjekjet më të mëdha gjatë 2010-ës, sipas tij, do të përqendrohen në instalimin e pushtetit në atë pjesë të Kosovës.

Ju e dini se ka qenë dhe mbetet ende sfidë veriu. Po bëjmë strategji për luftimin e krimit. Në një pjesë të madhe, kjo strategji do ta ketë efektin kur të luftohet krimi në të gjithë vendin. Nuk kemi parë ndonjë nevojë të veçantë për veri, ose për jug, ose për ndonjë vend”.

“Instalimi i institucioneve në veri do të jetë puna dhe angazhimi kryesor i të gjithë neve si qeveri dhe Ministri e Punëve të Brendshme”,
tha Pajaziti.

Sidoqoftë, progresi në liberalizimin e vizave, luftimi i krimit të organizuar, luftimi i migrimit ilegal, lëshimi i pasaportave biometrike, menaxhimi i integruar i kufijve – janë vetëm disa nga prioritetet me të cilat do të vazhdojë të përballet Ministria e Punëve të Brendshme gjatë vitit 2010.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG