Ndërlidhjet

KQZ: Rivotimet në Prizren e Lipjan më 31 janar


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me shumicë votash datën e rivotimit për dy komunat. Data për fillimin e hetimeve dhe rinumërimin e votave për Gjilanin, pritet të caktohet në mbledhjen e së martës të Komisionit.


Pas diskutimeve që u zhvilluan përgjatë javës së kaluar në lidhje me caktimin e afatit kohor për përsëritjen e zgjedhjeve për kryetarë komunash në Prizren dhe Lipjan, autoritetet për administrimin e procesit zgjedhor në Kosovë kanë rënë në ujdi, duke e caktuar 31 janarin e vitit të ardhshëm si datë zyrtare për zhvillimin e këtij procesi.

Sipas Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, kjo datë është, siç thuhet, koha optimale për përsëritjen e raundit të dytë të votimeve në këto dy komuna. Vendimin e KQZ-së për këtë çështje e bëri të ditur kryetarja e këtij komisioni, Nesrin Lushta, gjatë takimit të radhës së këtij institucioni.

“Me një votë kundër, propozimi u aprovua”, tha Lushta.

Derisa u mor vendimi për kohën e zhvillimit të rivotimit në komunën e Prizrenit dhe të Lipjanit, KQZ-ja nuk arriti të caktojë një afat kohor për nisjen e procesit të numërimit të votave dhe të hetimeve për komunën e Gjilanit.

KQZ-ja kishte vendosur, kohë më parë, që vendimi për rivotim eventual edhe në Gjilan të merret pas hetimeve dhe pas rinumërimit të votave në këtë komunë. Në lidhje me këtë proces, anëtarët e KQZ-së kërkuan që të shtohet prania e misioneve vëzhguese ndërkombëtare, për shkak të, siç thuhet, ndjeshmërisë dhe për hir të transparencës së këtij procesi.

Anëtari i KQZ-së, Florian Dushi, tha se rinumërimi i votave për komunën e Gjilanit nuk është një proces i thjeshtë.

Kërkesa ime është që të sigurohet një prani ndërkombëtare. Përndryshe, ne nuk jemi duke e zhvilluar një proces të rinumërimit të thjeshtë, por kemi thënë se do të zhvillojmë dhe një hetim. Mendoj se kjo, për të gjithë ne do të ishte shumë e mirëseardhur. Takimi me përfaqësues të IFES-it, të USAID-it dhe të tjerëve do të duhej që, si rezultat, të sjellë një prani më të madhe”, u shpreh Dushi.

Kjo kërkesë, siç duket, nuk do të mund të realizohet në ditët e fundit të këtij viti. Përfaqësuesi i misionit vëzhgues amerikan, IFES, Tched Flego, tha se është e vështirë që në periudhën e festave të fundvitit të sigurohet një prani më e madhe ndërkombëtare.

“IFES-i, për momentin, do të mund të siguronte vetëm një grup të stafit lokal, diku 5 njerëz, për të bërë rinumërimin dhe kjo do të mund të bëhej vetëm nesër apo pasnesër. Kjo do të ishte e mundshme në aspektin kohor”, u shpreh Flego.

Plani operativ për rinumërimin e votave për komunën e Gjilanit, që pritet të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, sipas kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së, Xhemalj Peçani, do të jetë i gatshëm të martën.

“Nesër do ta keni një plan të detajuar se kur do të fillojë procesi i rinumërimit të votave, duke filluar prej tavolinave, prej ndërrimeve, prej ndarjes së pozitave, prej vendeve. Do të thotë, do të jetë një plan i detajuar për procesin e rinumërimit dhe të hetimit”, tha Peçani.

Ecuria e zhvillimit të hetimeve dhe rinumërimit të votave për komunën e Gjilanit do të jetë përcaktues për vendimin se a do të ketë nevojë të përsëritet balotazhi i 13 dhjetorit edhe në këtë komunë. Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa kishte udhëzuar KQZ-në që të shpallë rivotim për komunën e Prizrenit, Lipjanit dhe Gjilanit, ndërsa vendimi ishte marrë fillimisht vetëm për dy komunat e para.

Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, nëpërmjet një komunikate për opinion, pati shprehur besimin se “pas shqyrtimit të mëtejmë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të njohë, siç thuhej, në tërësi obligimin e vet, të respektojë vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për të përsëritur zgjedhjet edhe në Gjilan".
XS
SM
MD
LG