Ndërlidhjet

Udhëheqësit kosovarë paraqesin pikëpamje të ndryshme në lidhje me zhvillimet e vitit 2009. Ndërsa presidenti Fatmir Sejdiu tha se 2009-a ishte përplot sfida e suksese, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vlerësoi se ky vit ishte përplot me dështime.


Viti 2009 ka qenë përplot sfida, por edhe suksese, tha presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjatë një konference të fundvitit, ku ai bëri një rekapitullim të zhvillimeve gjatë vitit që po e lëmë pas.

Për herë të parë, Sejdiu komentoi zhvillimet e natës së 19 nëntorit, kur Partia Demokratike e Kosovës njëanshëm shpalli prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sejdiu tha se atë natë e kishte marrë shumë me qetësi këtë lajm dhe se, pavarësisht pretendimeve politike, ai ishte i bindur se çdo ndryshim do të duhej të kalonte sipas ligjeve dhe Kushtetutës.

“Ka qenë një sekuencë jo e nevojshme dhe e ngutshme që ka ndodhur. Mendoj se çdo veprim që bëhet në këtë drejtim, duhet të bëhet konform legjislacionit në fuqi. Koalicionet janë dhe s’janë, prishen, ndërtohen”.

“Po e quaj figurativisht, është çështje e dashurisë së partnerëve të koalicioneve për të ndërtuar formacione qeverisëse të përgjegjshme”,
deklaroi Sejdiu.

Ndërsa presidenti si dhe udhëheqës të tjerë të institucioneve flasin për një vit të sfidave dhe sukseseve, opozita ka vlerësime të tjera. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se viti 2009 ka një listë të tërë dështimesh.

“Një dështim është gjendja në veri, dështim është cilësia e qeverisjes, do të thotë edhe niveli i demokracisë në vend. Pastaj, situata ekonomike, korrupsioni në shkallën e lartë... Në planin e jashtëm, Kosova ka munguar dhe nuk mund të mburremi me vitin që shkoi”, vlerësoi Haradinaj.

Ai përsëriti qëndrimin e partisë së tij për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare gjatë vitit të ardhshëm.

Në këtë temë, edhe presidenti Sejdiu sot nuk e përjashtoi mundësinë që në vitin 2010, të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sidoqoftë, vendimin për një gjë të tillë ua la partnerëve të koalicionit qeverisës.

“Si president i vendit, unë u përmbahem afateve ligjore. Unë, asnjëherë, nuk jam ai që mund të prishë konceptin e marrëveshjeve politike, që arrihen në nivel të vendit”.

“E di se qarkullon edhe ideja se mund të ketë riformatizim të qeverisë – unë s’mund të jap përgjigje sot, sepse është çështje e marrëveshjes së partnerëve të koalicionit”.


“Por, nëse ata do të kenë idenë e gjetjes së një formule plus për të dhënë kontribut në këtë drejtim, është çështje e lirisë së tyre dhe, fundi i fundit, është e drejtë e tyre”, theksoi Sejdiu.

Në anën tjetër, Ramush Haradinaj tha se Kushtetuta parasheh disa forma se si mund të shkohet në zgjedhjet e ardhshme, pa e pritur vjeshtën e vitit 2011, siç kishte vendosur më herët presidenti Sejdiu.

Janë disa variante se si mund të shpallen zgjedhjet. Një variant është kur dy partnerët e koalicionit qeverisës bien dakord për shpalljen e zgjedhjeve përmes presidentit të vendit”.

“Varianti tjetër është kur presidenti i vendit ndodhet në domosdoshmëri për t’i shpallur zgjedhjet, për shkak të vendimit të njërit nga akterët qeverisës. Më e udhës do të ishte po të kishim një dakordim të përbashkët të të gjithë neve”,
tha Haradinaj.

Ndonëse me pikëpamje e vlerësime të ndryshme për zhvillimet gjatë vitit 2009, pritjet e liderëve në pushtet dhe atyre në opozitë janë që viti 2010 të sjellë zhvillim më të madh ekonomik, qeverisje efikase e demokratike, si dhe më shumë njohje për Kosovën.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG