Ndërlidhjet

Shansi për serbët në komunën e re


Graçanicë

Graçanicë

Komuna e Graçanicës do të konstituohet të martën. Kryetari i saj, Bojan Stojanoviq, premton ndryshime në të mirë të qytezës. Pritjet e qytetarëve janë të mëdha. Graçanica është njëra nga tri komunat e reja me shumicë serbe.



Më shumë punë, kushte më të mira, ambient më të mirë - nuk janë dëshira të thjeshta për Vitin e Ri, që i duan serbët e Graçanicës dhe të fshatrave përreth. Këto janë pritjet kryesore nga qeveria lokale, e cila ka përgjegjësi që fshatin ta shndërrojë në komunë.

Për Dragan Arsiqin, më e rëndësishmja është që qeveria lokale, pamjen e Graçanicës, me rrugë të prishura e mbeturina, ta bëjë pjesë të së kaluarës.

“Nga kryetari i komunës pres që shumë gjëra t’i vendosë në vendin e vet, ta rregullojë tërësisht infrastrukturën, të ketë parkingje, të mos jetë ky lëmsh, rrugët të jenë më të mira, gjithçka të jetë më mirë, gjithçka të funksionojë më mirë. Konkretisht, shërbimet të jenë efikase, ndërsa nëpunësit të jenë të mençur dhe inteligjentë”, shprehet Arsiq.

Ai, së bashku me rreth 20 mijë serbë, janë dëshmitarë të formimit të qeverisë së re komunale në Graçanicë, nga e cila presin që të ndërmarrë hapa për normalizimin e jetës së komunitetit serb në këtë pjesë të Kosovës qendrore.

Disa nga banorët presin zhvillime në tri drejtime - nga zbukurimi i hapësirave publike deri te shërbimet kualitative dhe punësimi. Jellena beson se edhe të rinjtë do të kenë shansin e tyre.

“Nga komuna e re pres që të bëjë diçka më mirë, që gjendja e popullit serb të përmirësohet, duke marrë parasysh se kryetari i ardhshëm ka marrë rreth vetes të rinj. Gjithsesi se mbi ta bie potencial i mirë dhe sigurisht se do të bëhet më mirë”, thotë Jellena.

Afrim Osmani beson se komunitetit rom që jeton në Graçanicë dhe në fshatrat përreth, do t’i ofrohen kushte më të mira.

“Natyrisht, këtu hyjnë privilegje të veçanta, që do të jetësohen me decentralizimin e komunës. Presim zhvillim ekonomik dhe kushte më të mira për komunitetin rom”, thotë Osmani.

Por, ka edhe të atillë që dyshojnë se serbët do ta kenë jetën më të mirë në komunën e re.

Millan Petroviq nga Graçanica ka humbur çdo shpresë.

“Punë nuk do të ketë. Ata nuk kanë kapacitet për të na punësuar, nuk kanë kapacitet për të bërë asgjë. Nuk pres as nga komuna serbe. Nuk kam punë, jetoj nga puna private, s’kam para për të dalë, kështu që pres keq e më keq”, shprehet Petroviq.

Por, optimist është kryetari i zgjedhur i Graçanicës, Bojan Stojanoviq. Ai thotë se komuna e re do të jetë një mekanizëm i fuqishëm i mbrojtjes së serbëve të Kosovës qendrore.

Stojanoviq thotë se prioritet do të jetë mbetja e serbëve në Kosovë dhe ndërtimi i së ardhmes së tyre. Kjo mundësi, sipas tij, është e realizueshme përmes komunës së re.

“Shpresoj se do të dimë ta shfrytëzojmë mirë këtë mekanizëm. Duhet të jenë të sigurt se unë jam i vendosur që ky mekanizëm të përdoret në drejtimin e duhur, në interes të serbëve, por edhe të komuniteteve tjera që jetojnë në komunën e Graçanicës”.

“Të gjithë kanë të drejta të njëjta, por edhe obligime, që të jetojmë si një botë normale, të udhëtojmë, të ndërtojmë shtëpi, shkolla të reja, të shkojmë në teatër dhe të gjitha ato që nuk i patëm për 10 vjet”,
thotë Stojanoviq.

Komuna do të konstituohet të martën, me një mbledhje simbolike, në një restorant të Graçanicës, pasi që objekti i komunës ende nuk ka filluar të ndërtohet. Komuna e re do të ketë kompetenca më të mëdha dhe liri më të madhe të planifikimit të zhvillimit të këtij mjedisi.

Sipas Stojanoviqit, në gjashtë muajt e ardhshëm, shpenzimet e komunës do t’i mbulojë USAID-i, ndërsa janë përgatitur edhe projektet për të kërkuar ndihmë nga donatorët.

Javën e kaluar, Qeveria e Shqipërisë i ka dhuruar 400 mijë euro komunë së re të Graçanicës dhe kjo është bërë e ditur nga vetë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, pas takimit me delegacionin e Partisë së Pavarur Liberale në Tiranë, pjesë e të cilit ka qenë edhe Stojanoviq.

Stojanoviq fton edhe Beogradin që t’i ndihmojë komunës së re.

“Natyrisht se jemi të hapur. Projektet do t’i paraqesim edhe në Beograd. Këto janë projekte me vlerë deri në 50 milionë euro për një periudhë katërvjeçare”.

“Kemi shanse të mëdha që, përmes ndihmës së donatorëve dhe menaxhimit të mirë të administratës, të arrijmë në një situatë që në katër vjetët e ardhshëm të mos ketë të papunë. Unë mund t’ju tregoj se kjo është e mundur”,
shprehet Stojanoviq.

Graçanica është shndërruar në komunë së bashku me Ranillugun dhe Kllokotin, sipas Planit të Ahtisarit, mbi bazë të të cilit u shpall pavarësia e Kosovës. Për herë të parë, zgjedhjet komunale u mbajtën më 15 nëntor, ku, që në raundin e parë, kryetarë komunash u zgjodhën përfaqësuesit serbë.
XS
SM
MD
LG