Ndërlidhjet

KQZ: Rinumërimi në Gjilan më 6 janar


Hetimet dhe rinumërimi i votave për Gjilanin do të fillojë më 6 janar dhe do të jetë i hapur edhe për vëzhguesit e partive politike, por edhe për mediat në Kosovë. Këtë e bëri të ditur kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Xhemajl Peçani.



Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë gati planin operativ për hetimin dhe rinumërimin e votave për komunën e Gjilanit, të cilin ua ka dorëzuar anëtarëve të këtij komisioni.

Sipas këtij plani, i cili u hartua në bashkëpunim me përfaqësuesit e Fondacionit Ndërkombëtar për Sisteme Elektorale (IFES) dhe të atyre të USAID-it, rinumërimi i fletëvotimeve për Gjilanin, të cilat gjenden në rreth 130 kuti të votimit në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, mund të nisë më datën 6 janar.

Këtë e bëri të ditur kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Xhemajl Peçani, i cili tha se gjatë procesit të numërimit do të jetë i pranishëm një numër i madh i vëzhguesve ndërkombëtarë.

Për shkak të, siç thuhet, ndjeshmërisë së procesit, KQZ-ja ftoi edhe mediat dhe vëzhguesit e partive politike të përcjellin procesin e rinumërimit.

“Erdhëm në konkludim që më 6 janar, 2010, të fillojë procesi i hetimit dhe i rinumërimit për komunën e Gjilanit. Kjo do të thotë se do të punohet dy ditë, ku në Qendrën e Numërimit do të punohet në tri ndërrime. Gjithashtu do të punohet në tri ndërrime në ditën e nesërme, më 7 janar”, njoftoi Peçani, para miratimit të këtij plani nga të gjithë anëtarët e KQZ-së.

Edhe përfaqësuesit e IFES-it shprehën bindjen se rinumërimi i votave për komunën e Gjilanit nuk do të marrë më shumë kohë se dy ditë. Përfaqësuesi i këtij misioni, Chad Flego, shpjegoi:

“Besoj se një deri në dy ditë do të mjaftojnë. Kjo varet nga stafi lokal, të cilin do ta ndihmojmë për të bërë rinumërimin. Pra, varet se a do të zhvillojmë rinumërimin në katër tavolina (raunde) ose gjashtë. Por, kjo nuk do të marrë më shumë se dy ditë, shpresoj se do të marrë vetëm një ditë”.

Vendimi i KQZ-së për zhvillimin e hetimeve dhe rinumërimin e votave për komunën e Gjilanit ishte marrë pas udhëzimit të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa drejtuar këtij institucioni, për të shpallur rivotim në Prizren, Lipjan e Gjilan.

Për dy komunat e para, KQZ-ja kishte vendosur përsëritjen e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, që do të bëhet më 31 janar të vitit të ardhshëm, ndërsa rivotimi për Gjilanin do të shpallet eventualisht nëse, siç thuhet, hetohen parregullsi dhe shkelje të mëdha gjatë rinumërimit të votave për këtë komunë.

Ish-kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Mazllum Baraliu, tha se autoritetet që po administrojnë procesin zgjedhor në Kosovë, duhet të bëhen gati për përfshirjen eventuale të Gjilanit në procesin e rivotimit.

Andaj, sipas tij, KQZ-ja duhet të porosisë që tani fletëvotimet e nevojshme për përsëritjen eventuale të balotazhit në Gjilan.

“Patjetër duhet paraparë, sepse është mundësi potenciale, jo vetëm teorike, por edhe praktike, që gjendja të përsëritet edhe në Gjilan, sikurse në këto dy komuna. KQZ-ja duhet të jetë e gatshme dhe t’i bëjë të gjitha përgatitjet sikurse për këto dy komuna, që, për çdo rast, edhe Gjilanin ta inkorporojë në këtë situatë të rivotimit”, tha Baraliu.

Ndërkohë, në mbledhjen e fundit, KQZ-ja po ashtu certifikoi rezultatet përfundimtare të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale për 18 komuna.
XS
SM
MD
LG