Ndërlidhjet

Presidenca spanjolle, prova e Traktatit të Lisbonës


Bruksel
Bruksel

Nga 1 janari, Spanja do të marrë kryesinë gjashtëmujore të Bashkimit Evropian, duke funksionuar me rregullat e reja të Traktatit të Lisbonës. Kjo do të ketë ndikime në politikën e jashtme evropiane. Megjithatë, pritet të shihet nëse ndryshimet do ta bëjnë më të qëndrueshme apo jo politikën e jashtme evropiane.



Përpara hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, politikat e jashtme të Bashkimit Evropian ishin objekt ndryshimi, në varësi të përparësive të vendit që kishte kryesinë e radhës.

Nëse gjithçka do të ishte si para Traktatit të Lisbonës, marrja e presidencës së Unionit nga Spanja automatikisht do të thoshte fokusim në jug të kontinentit, në vendet e Afrikës së Veriut dhe jo shumë vëmendje për projektet në lindje.

Por, me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, nuk do të jetë më kështu, së paku teorikisht.

Bashkimi Evropian po hyn në ujëra të pashkelura më parë, sa i përket mënyrës së bërjes së politikës së jashtme. Politika e jashtme e Unionit do të përdorë mekanizma të vjetër, siç është presidenca gjashtëmujore e vendeve anëtare, por dhe elemente të reja, si posti i shefit të diplomacisë evropiane dhe ai i presidentit të BE-së.

Në 1 janarin e 2010-ës, Spanja do të jetë vendi i parë që do të marrë kryesinë e Unionit pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës.

Mënyra se si do të veprojë apo si nuk do të veprojë Spanja, do të mund të ketë pasoja të rëndësishme në funksionimin e BE-së sipas traktatit të ri.

Shenjat e para se gjërat mund të ndryshojnë, janë deklaratat e Spanjës se Madridi do t’i kushtojë rëndësi të veçantë të ashtuquajturit “Partneritet lindor”, ku përfshihen fqinjët lindorë të BE-së, si: Ukraina, Bjellorusia, Moldavia, Armenia, Azerbajxhani dhe Gjeorgjia - të gjitha vende të dala nga shpërbërja e ish-Bashkimit Sovjetik.

“Si përfaqësues i presidencës së ardhshme, dua të them se politika evropiane e fqinjësisë dhe në veçanti ‘Partneriteti lindor’ do të jenë një nga përparësitë e agjendës sonë”, tha Diego Lopez Garrido, sekretar shteti për çështjet evropiane në Qeverinë spanjolle.

Premtimi spanjoll ishte befasi për disa. Gjatë dekadave të fundit, Spanja, ashtu si dhe Franca, kanë qenë nxitëse të fuqishme të angazhimit evropian në vendet e Magrebit, që shtrihen përgjatë Mesdheut, si: Maroku, Algjeria, Tunizia, Libia dhe Mauritania.

BE-ja i menaxhon raportet me këto vende përmes mekanizmit të quajtur “Procesi i Barcelonës”.

Por, këtë radhë, duket se presidenca spanjolle nuk do ta orientojë politikën e jashtme evropiane tërësisht drejt jugut.

Piot Kazçinski, nga Qendra për studime politike evropiane, thotë se “nuk duhet të presim që Madridi do të heqë dorë nga angazhimet që ka marrë për rajonin e Mesdheut”.

Padyshim, gjatë presidencës spanjolle, ‘Partneriteti lindor’ nuk do të jetë shumë lart në agjendën e kryesueses së radhës. Ajo që kanë thënë spanjollët, është se nuk do t’i bllokojnë zhvillimet rreth ‘Partneriteti lindor’”, tha Kazçinski.

Fati i “Partneritetit lindor” nuk do të varet shumë nga Spanja, por nga dy postet e reja, ato të presidentit dhe të ministres së jashtme të BE-së, përkatësisht belgut, Van Rompe dhe britanikes Eshton.

Van Rompe dhe Eshton do të jenë tashmë drejtuesit e takimeve të Bashkimit Evropian dhe të ministrave të jashtëm.

Duke qenë se të zgjedhurit në postet kyçe nuk kanë ndonjë përvojë si liderë dhe duke qenë se i është hequr përcaktimi i agjendës së politikës së jashtme vendit që ka kryesinë, atëherë kjo krijon një vakuum në zemër të funksionimit të BE-së.

Spanja, sipas kryeministrit spanjoll, nuk është e gatshme ta mbushë këtë vakuum dhe nuk synon të krijojë një dublikat për Van Rompenë.

Ndonëse takimet në Bruksel janë përgjegjësi e Van Rompesë, Madridi pritet të drejtojë së paku 10 samite me vendet jo anëtare të BE-së, përfshirë ato me SHBA-të dhe Rusinë. (I.B.)
XS
SM
MD
LG