Ndërlidhjet

Sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, mbi 6 për qind është shkalla e analfabetizmit në Kosovë, megjithëse, siç thuhet, këto shifra nuk mund të jenë të sakta, për shkak të mungesës së regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë.

Në anën tjetër, nga të dhënat e disa organizatave joqeveritare, supozohet se kjo dukuri arrin deri në 20 për qind.

Por, pavarësisht shifrave, sipas Deklaratës së Mijëvjeçarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, analfabetizmi duhet të eliminohet deri në vitin 2015.

Zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë shpresojnë se një gjë e tillë do të ndodhë gjatë pesë vjetëve të ardhshëm. Afërdita Jaha, zyrtare për arsim joformal në Ministrinë e Arsimit, tregon përpjekjet për zhdukjen e këtij fenomeni.

“Eliminimi i analfabetizmit është një ndër standardet, që Kosova duhet t’i përmbushë në fushën e arsimit, për të mundësuar integrimin në Bashkimin Evropian, deri në vitin 2015. Gjithëpërfshirja e qytetarëve në arsim është edhe synim, edhe prioritet i Ministrisë së Arsimit. Jemi në rrugë të mirë dhe po punojmë që të arrijmë realizimin”, thotë Jaha.

Në anën tjetër, ekspertët e arsimit shprehen skeptikë se analfabetizmi mund të eliminohet deri në 2015-ën. Jonuz Salihu thotë se është shumë vështirë të eliminohet kjo dukuri, nëse nuk rritet përfshirja e fëmijëve në arsim të obliguar. Sipas tij, mbi 30 mijë fëmijë nuk përfshihen fare në arsim të obliguar.

“Derisa kemi këtë numër kaq të madh të mospërfshirjes në arsim, edhe pse Ministria e Arsimit vitin 2008 e ka shpallur vit të përfshirjes dhe s’e ka realizuar këtë objektivë, atëherë është shumë vështirë ta eliminojmë analfabetizmin”.

“Besoj se duhet të bëhen shumë punë që të eliminohet kjo dukuri në Kosovë. Në strategji është paraparë afati, por, thënë të drejtën, jemi larg zhdukjes së kësaj dukurie
”, thotë Salihu.

Për çrrënjosjen e analfabetizmit, Ministria e Arsimit ka vite që ka filluar mbajtjen e mësimeve joformale. Me këtë projekt mundësohet mësimi për shkrim-lexim për qytetarët, të cilët, për arsye të ndryshme, nuk kanë mundur të vijojnë shkollimin.

Afërdita Jaha thotë se në këtë program, deri më tani, janë përfshirë mbi 3,000 gra dhe vajza në gjithë Kosovën.

“Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me UNICEF-in, realizoi projektin ‘Shkrim-lexim bazik për gra dhe vajza’. Me këtë projekt përfituan të gjitha ato gra dhe vajza, të cilat, për arsye të ndryshme, nuk kanë arritur të përfundojnë nivelin e parë të arsimit të obliguar”.

“Në realizmin e projektit, MASHT-i kishte parasysh elementet strukturore të së drejtës për arsim bazik: qasje të përgjithshme, qasje pa diskriminim, pranueshmëri dhe përshtatshmëri të programit”,
thekson Jaha.

Ndryshe, mësimi joformal mbahet vetëm te gratë, pasi, sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, 14 për qind e femrave të viseve rurale janë analfabete, kundruall 4 për qind të meshkujve.

Ndërsa, sipas një raporti të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, UNDP, niveli aktual i analfabetizmit në mesin e femrave të mjediseve rurale është mbi 60 për qind.

Në këtë raport po ashtu thuhet se diferenca në analfabetizëm në mes të meshkujve dhe femrave të moshës mbi 35 vjeç, është e vogël.

Lidhur me mësimin joformal, Jonuz Salihu thotë:

Edhe qeveria, edhe ministria kanë shumë deklarata bombastike, por, në të vërtetë, situata në terren është krejt tjetër. A keni dëgjuar ndonjëherë se dikush është gjobitur, sepse nuk e ka dërguar fëmijën në shkollë, në vitet e fundit? Sigurisht që jo, edhe pse me ligj shkollimi prej klasës së parë deri në të nëntën është i obliguar”.

Sidoqoftë, analfabetizmi duhet të eliminohet deri në vitin 2015, meqenëse ky është njëri nga standardet që Kosova duhet t’i përmbushë në nivelin e arsimit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG