Ndërlidhjet

Kuvendi miraton buxhetin pa opozitën


Ligjvënësit kosovarë
Ligjvënësit kosovarë

Me 66 vota për, 4 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar buxhetin e vitit 2010, i cili arrin vlerën në 1 miliard e 461 milionë euro. Gjatë miratimit të buxhetit, tri partitë opozitare kanë lëshuar seancën.



Partnerët e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e kanë kaluar testin e fundvitit, duke e miratuar në Kuvend, pa votat e opozitës, buxhetin e vitit 2010.

Njëherësh, pas PDK-së, edhe LDK-ja ka konfirmuar zyrtarisht se është marrë vesh me partnerin qeverisës, që koalicioni t’i nënshtrohet riformatizimit, duke hequr tash për tash dilemat e prishjes së koalicionit dhe thirrjes eventuale të zgjedhjeve të parakohshme.

Dy partitë partnere në koalicion vlerësuan se miratimi i buxhetit është një test që tregon për qëndrueshmërinë e qeverisë aktuale, pas krizave të muajve të fundit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se e sheh miratimin e buxhetit si një moment shumë të rëndësishëm për Kosovën dhe qeverisjen aktuale.

“Mendoj se marrëdhëniet janë korrekte. Kjo u pa edhe me votimin e buxhetit. Ky ishte një kohezion i koalicionit. Ne kemi marrëveshje politike për të qeverisur bashkë me vendin, por, natyrisht, jemi edhe rivalë politikë, e në momente të caktuara theksohet edhe kjo”.

“Kërkesat për zgjedhje të parakohshme besoj se duhet të jenë racionale dhe mendoj se nuk duhet të krijohet përshtypja, që ata që nuk janë në qeveri, të kërkojnë zgjedhje”,
tha Kuçi.

Ndërkohë, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, përveçse e ka votuar buxhetin, ka pranuar se qeveria mund t’i nënshtrohet një procesi të rifreskimit.

Nënkryetari dhe deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se formatizimi i këtij koalicioni është miratuar në parim nga partnerët në koalicion, por ende nuk është bërë vlerësimi se cilët ministra mund t’u nënshtrohen procedurave të zëvendësimit me kuadro të reja.

Në parim, ne jemi marrë vesh për riformatizim. Kjo është marrëveshje në parim. Në fazën e parë i takon kryeministrit që ta vlerësojë, rishikojë dhe të propozojë te partnerët e koalicionit, në këtë rast edhe te LDK-ja. Deri tash, ne nuk kemi biseduar si kryesi e LDK-së, por, kur të vijë koha, besoj se do të jemi të gatshëm të ulemi dhe të diskutojmë”, tha Haziri.

Buxheti i Kosovës për vitin 2010 arrin vlerën në 1 miliard e 461 milionë euro. Projektligji për Buxhetin u mbështet nga 66 deputetë - 4 u deklaruan kundër, ndërsa vetëm një deputet abstenoi.

Gjatë kohës së miratimit të buxhetit në seancë plenare, Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ai i Lidhjes Demokratike të Dardanisë nuk morën pjesë fare, kurse Grupi Parlamentar i Aleancës Kosova e Re e lëshoi seancën në shenjë pakënaqësie.

Deputeti i AKR-së, Ibrahim Makolli, tha se procedimi për miratim i buxhetit, pa u shqyrtuar të paktën tri ditë nga grupet parlamentare, paraqet edhe shkelje të rregullores së punës.

Ne jemi detyruar ta lëshojmë seancën e sotme, për shkak se është shkelur rregullorja e punës së Kuvendit, në të cilën kërkohet që materialet për seancë të dorëzohen së paku tri ditë para seancës. Kjo nuk ka ndodhur, andaj jemi detyruar të dalim”, tha Makolli.

Sidoqoftë, miratimi i buxhetit, të paktën tash për tash, thuhet se i ka hequr dilemat e prishjes së koalicionit PDK-LDK. Me këtë akordim, si dhe miratimin e riformatizimit të qeverisë, këto dy parti politike synojnë që të vazhdojnë mandatin qeverisës deri në vjeshtën e vitit 2011 dhe pamundësimin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, siç kërkon opozita.
XS
SM
MD
LG