Ndërlidhjet

Cili pushtet do të mbijetojë në Graçanicë?


Është konstituuar kuvendi komunal i Graçanicës, i dalë nga zgjedhjet e 15 nëntorit. Kështu, në Graçanicë u vendos administrata lokale, që për bazë ka ligjet kosovare, krahas asaj të deritashmes, që vepron sipas ligjeve serbe.



Të zgjedhurit në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit dhanë betimin në seancën konstituive të komunës së Graçanicës. Kështu, në Graçanicë nga sot u vendos administrata lokale, që për bazë ka ligjet kosovare, krahas asaj të deritashmes, që vepron sipas ligjeve serbe.

Graçanica ka qenë fshat në përbërje të komunës së Prishtinës. Ky vendbanim është shndërruar në komunë në bazë të Planit të Ahtisarit, plan ky që u jep rastin serbëve të udhëheqin komunat ku janë shumicë.

Në mungesë të objektit komunal, kryetari i ri, Bojan Stojanoviq, dhe 15 këshilltarët dhanë betimin në një restorant.

“Nëse fillon historia, kjo nënkupton se do të jetë ndonjë gjurmë që do të shënohet në diçka, që mund të quhet libër. Dhe tash, zotërinj këshilltarë, lapsin në dorë dhe ngadalë të shkruajmë fjalët e para dhe faqet e para të diçkaje, që në fund duhet të japë rezultate, sepse nuk kemi alternativë”, tha kryetari Bojan Stojanoviq.

Situatë të ngjashme si në Graçancië, ku ekzistojnë dy administrata lokale, ka edhe në mjediset tjera ku serbët janë shumicë. Në Graçanicë funksionon komuna e zhvendosur e Prishtinës, e cila është nën juridiksionin e Qeverisë së Serbisë.

Pas vitit 1999, kur serbët lëshuan Prishtinën, qeveria komunale ka vazhduar punën në Graçanicë. Shërbimet komunale punojnë sipas ligjeve të Serbisë, por nuk mund të kenë këshill ekzekutiv, sepse të gjitha shërbimet publike, ujësjellësi, rryma, transporti, janë përgjegjësi e institucioneve të Kosovës.

Megjithatë, në komunën paralele lëshohen dokumente të ndryshme serbe. Edhe shëndetësia, arsimi dhe shërbimet postare punojnë sipas ligjeve serbe.

Mirëpo, serbët që kanë zgjedhur të punojnë në institucionet e Kosovës, besojnë se strukturat paralele nuk mund t’i ofrojnë prosperitet dhe integrim komunitetit serb, pasi që veprimi i tyre është i papranueshëm dhe i kufizuar.

Mu për këtë, ata kanë kuptuar realitetin, i cili po ndërtohet në bazë të ligjeve të Kosovës.
Këshilltar komunal i Graçanicës është edhe Nebojsha Periq, i cili vlerësoi se është arritur ajo që ata e kanë pritur prej kohësh.

“Kjo, praktikisht, është çështja që ne në Graçanicë e kemi pritur shumë vjet. Decentralizimi ka ndodhur dhe ky është realiteti”,
u shpreh Periq.

Edhe këshilltarja Jellena Maksimoviq tha se është krenare që është pjesë e ekipit historik të komunës së re të Graçanicës. Ajo tha se beson në të ardhmen e popullit serb në Kosovë.

“Ne, si komunë, së pari do të angazhohemi që të bëjmë atë që është e nevojshme për popullin tonë”, tha Maksimoviq.

Por, nuk janë vetëm këshilltarët komunalë ata që besojnë në funksionimin e komunës, që për bazë ka Kushtetutën e Kosovës. Kështu mendon edhe politikania serbe e Graçanicës, Rada Trajkoviq, e cila vetë drejton një strukturë paralele në këtë qytezë - Shtëpinë e Shëndetit.

Ajo tha se komuna ekzistuese, e zgjedhur sipas ligjeve të Serbisë, do ta ketë rolin e vet derisa të mos definohen lidhjet në mes të komunës së themeluar sot dhe institucioneve të Serbisë, të cilat, sipas Planit të Ahtisarit, janë të lejuara. Por, kush, sipas Trajkoviqit, do të mbijetojë?

“Besoj se komuna, e cila ka kapacitete shumë të gjera institucionale, do të jetë në gjendje që t’i zgjidhë më mirë problemet e serbëve. Andaj, ai institucion, i cili do të jetë në gjendje që t’u ofrojë më shumë serbëve, t’i zgjidhë problemet e tyre, besoj se do ta ketë edhe përkrahjen e tyre dhe ajo do të mbijetojë”, tha Trajkoviq.

Zonja Trajkoviq vlerësoi se nuk do të merrte pjesë në zgjedhje sikur të mos besonte se komuna e Graçanicës nuk ka perspektivë.
XS
SM
MD
LG