Ndërlidhjet

Kosova pa ligj për alkoolizmin


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese


Njerëzit e varur nga alkooli në Kosovë, nuk kanë qendër rehabilituese, ku do të mund të trajtoheshin deri në shërimin e tyre.

Madje, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se nuk ka as ligj, në bazë të të cilit do të ndalohej konsumimi i alkoolit nga personat nën moshën 18-vjeçare.

“Ne, si Qeveri e Kosovës, në bashkëpunim edhe me institucionet e shëndetësisë dhe mirëqenies, do të bëjmë përpjekje që në fillim të vitit të ardhshëm, të draftojmë legjislacionin, që do t’i adresojë edhe çështjet e tilla, meqenëse këto janë edhe pjesë e kritereve të Bashkimit Evropian“, thotë Krasniqi.

Ai thekson se do të ndiqet shembulli i Ligjit të duhanit, me të cilin janë sanksionuar blerja dhe konsumi i cigareve për personat nën moshën 18-vjeçare.

Ministria e Shëndetësisë, në një të ardhme të afërt, planifikon të krijojë një qendër rehabilituese për alkoolizmin. Faik Hoti, zëdhënës në këtë ministri, shpjegon më shumë:

“Ministria e Shëndetësisë bën politika për jetë të shëndoshë dhe u kushtohet rëndësi programeve, si: lënia e duhanit, heqja dorë nga droga dhe alkooli... Nuk ka qendër të veçantë për alkool. Në të ardhmen, është në program që të krijojmë qendra të këtilla edhe për alkoolistët”.

Ndërkaq, psikologu Safet Blakaj, alkoolizmin e sheh si sëmundje të varshmërisë. Sipas tij, shumë njerëz konsumojnë alkool dhe një numër i caktuar varet prej tij. Blakaj thotë se kjo ka të bëjë me gjendjen e tyre shpirtërore.

“Mendoj se ata njerëz, të cilët kanë ankth brenda vetes, më lehtë bien në varshmëri të alkoolit. Duhet të ketë një institucion, që duhet të merret vetëm me tematikën e alkoolit. Ne, tash, nuk kemi probleme të mëdha; jam shumë i sigurt që, brenda 5 vjetëve të ardhshëm, do të kemi probleme me alkoolizmin kronik”,
thotë Blakaj.

Policia e Kosovës, alkoolizmin nuk e trajton si rast të veçantë. Çdo lajmërim që bëhet nga ana e qytetarëve në polici, merret si prishje e rendit dhe qetësisë publike. Kështu thotë Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës.

“Policia reagon dhe konform (rasteve) merr masa. Statistika nuk mund të jap, sepse regjistrohen si prishje e rendit dhe qetësisë, e pastaj specifikohet se ka qenë në pyetje alkooli”, shpjegon Kelani.

Autoritetet s’kanë as të dhëna mbi përmasat e këtij fenomeni në Kosovë. Në mungesë të ligjit, aktualisht, çdo fëmijë mund të hyjë në një dyqan, të blejë alkool, e madje edhe ta konsumojë atë. Për dallim nga duhani dhe droga, ky fenomen, sipas organizatave joqeveritare, është lënë anash.
XS
SM
MD
LG