Ndërlidhjet

logo-print

Obama: Dështim i sistemit në incidentin me aeroplanin



Presidenti amerikan Barak Obama tha se ka pasur “dështime të sistemit” në përpjekjen për të sulmuar aeroplanin që fluturonte në Shtetet e Bashkuara.

Obama tha se “shkelja katastrofike e sigurisë” ka lejuar që 23 vjeçari nga Nigeria të hyjë në aeroplan për në SHBA përkundër lidhjeve të dyshuara të tij me Al Kaidën dhe paralajmërimeve nga babai i tij.

“Sot përsëri dua t’i flas popullit amerikan sepse disa informata preliminare që dolën në sipërfaqe në 24 orët e fundit kanë ngritur shqetësime serioze. Është raportuar se babai i të dyshuarit në incidentin e Krishtlindjeve, i ka paralajmëruar zyrtarët në Afrikë për pikëpamjet ekstremiste të djalit të tij. Tash po shihet se para disa javësh, informata i kishte kaluar një komponente të komunitetit tonë të zbulimit, por nuk është shpërndarë siç duhet, në mënyrë që emri i të dyshuarit të mos gjendej në listën e udhëtarëve”, tha presidenti Obama.

Ai tha se mangësitë kanë lejuar që i dyshuari të shkojë aq larg sa ka shkuar.

Obama tha se ai dëshiron të dëgjojë se ku ka qenë gabimi dhe se si munden Shtetet e Bashkuzara t’i mbrojnë më mirë qiejt e tyre.

Umar Faruk Abdulmutallab, 23 vjeçar nga Nigeria, dyshohet se është përpjekur ta aktivizojë eksplozivin në fluturimin 253 që i afrohej Detroitit në 24 dhjetor.

Abdulmutallab i kaloi kontrollet e sigurisë në Lagos dhe Amsterdam, ku detektorët standardë të metaleve nuk arritën ta regjistrojnë armën e tij.
XS
SM
MD
LG