Ndërlidhjet

A janë zgjedhjet e përgjithshme të pashmangshme?


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Zhvillimet e fundit politike, analistët në Prishtinë i konsiderojnë si shkas për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ata nuk shohin qëndrueshmëri politike në nivelin qendror pas paralajmërimeve për prishje të koalicionit PDK-LDK.



Zhvillimet e fundit politike, deklarimet e prishjes së koalicionit aktual qeverisës në Kosovë, si dhe akuzat e ndërsjella që kanë ndodhur mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë fushatës zgjedhore, kanë hapur mundësinë që në vitin 2010 të ketë zgjedhje të parakohshme. Këtë vlerësim japin analistët politikë në Prishtinë.

Pas paralajmërimeve të shumëpërfolura për prishjen e koalicionit PDK-LDK, analisti Ilir Deda thotë se nuk sheh qëndrueshmëri politike në nivelin qendror.

“Kjo është thënë shumë në dy muajt e fundit. Tash, duket se zgjidhje e vetme do të jenë zgjedhjet parlamentare dhe kjo mundësi do të jetë më së largu në tetor të vitit 2010”.

“Kjo vetëm e reflekton dobësinë e këtij koalicioni, brishtësinë e marrëdhënieve ndërmjet PDK-së dhe LDK-së. Kjo hap rrugën per zgjidhjen e problemeve ndërmjet këtyre dy partive”,
thotë Deda.

Për të dalë nga, siç e quan Deda, jofunksionaliteti aktual qeverisës, zgjedhjet e përgjithshme, sipas tij, do të ishin rrugëdalja e vetme. Ai konsideron se kjo situatë ka ardhur si pasojë e fjalorit të ashpër gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale.

Ka qenë e qartë, që nga kampanja parazgjedhore, se koalicioni qendror ka filluar të lëkundet dhe, me ashpërsimin e retorikës së dy partive, gjithashtu edhe me rastin e tentimit të ndryshimit të qeverisë, marrëdhëniet në mes të këtyre dy partive ranë në nivel shumë të ulët”.

“Të gjitha ato që ndodhën edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve dhe tash me rivotime, tregojnë qartë se zgjedhjet parlamentare janë zgjidhja e vetme për të dalë nga jofunksionaliteti në qeveri”,
deklaron Deda.

Edhe analisti Halil Matoshi shpreh mendimin se të gjitha zhvillimet e fundit në Kosovë çojnë vendin drejt zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Ai thotë se në pranverën e 2010-ës duhet të mbahen zgjedhjet.

“Posaçërisht pas 19 nëntorit, kur njerëzit kryesorë të PDK-së shpallën prishjen e njëanshme të koalicionit në një kafene në Prishtinë, del që Kosova nuk ka qeveri efektive, por kjo qeveri mbahet me infuzion nga ai që ne e perceptojmë si komunitet ndërkombëtar në Kosovë dhe mbahet me inercion”.

“Prandaj, unë mendoj se është koha që pranvera e vitit të ardhshëm ta çojë Kosovën në zgjedhje të reja parlamentare, të cilat edhe ashtu nuk janë zgjedhje të jashtëzakonshme, por janë zgjedhje të rregullta”,
thotë Matoshi.

Mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme nuk e ka përjashtuar as presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ai ka deklaruar se për të është me rendësi që në çdo rrethanë të krijuar të respektohet Kushtetuta dhe ligjet në fuqi të vendit.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi ka hedhur poshtë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, por ka deklaruar se, gjatë vitit që po vjen, do të ketë rifreskim të qeverisë së tij.

Për një gjë të tillë, analisti Matoshi thotë:

“Ky është një veprim pragmatik i kryeministrit aktual Thaçi, i cili tenton që t’i fusë në qeverinë e re disa të pakënaqur nga tabori i LDK-së dhe t’i përjashtojë disa, që, në mënyrë jo fort vullnetare, ta mbajë koalicionin deri në vitin 2011, kur parashihen zgjedhjet”.

“Mirëpo, mua më duket se kryeministri nuk do t’i ketë numrat edhe nëse rimandatohet nga presidenti Sejdiu dhe aty do të paraqitet nevoja që presidenti Sejdiu ta shpërndajë Kuvendin e Kosovës dhe t’i shpallë zgjedhjet e reja”,
thotë Matoshi.

Sido që të jetë, analistët konsiderojnë se çështja për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme pritet të bëhet më e qartë pas përfundimit të procesit zgjedhor për nivelin lokal në tri komunat: Prizren, Gjilan dhe Lipjan.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG