Ndërlidhjet

Në Qeverinë e Kosovës do të ketë freskime, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi. Ai nuk e ka parë si opsion organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, përderisa kryekuvendari Jakup Krasniqi ka thënë se ato mund të organizohen vetëm nëse paraqesin interes për Kosovën.


Në Kosovë ka qëndrueshmëri të institucioneve qeverisëse e legjislative, kanë vlerësuar udhëheqës vendorë.

Duke u bërë rekapitullime zhvillimeve gjatë vitit 2009 dhe prezantimit të prioriteteve për vitin 2010, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, thanë se viti 2009, me gjithë sfidat, ka qenë i suksesshëm.

Kryeministri Thaçi edhe një herë shprehu besimin se Qeveria që ai drejton, nuk është në krizë dhe, rrjedhimisht, Kosova nuk do të shkojë kah zgjedhjet e parakohshme.

Në vend të zgjedhjeve, Thaçi nuk e përjashtoi mundësinë e rifreskimeve në kabinetin e tij qeveritar.

“Do të ketë freskime më gjithëpërfshirëse, më të gjera, në kuptimin edhe brendapartiak apo ndërpartiak; shoqëria civile - të gjithë do të jenë të hapur dhe unë do ta mirëpres ndihmën që të ecim përpara sa më mirë e sa më bashkërisht”, tha Thaçi.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se mbështet respektimin e afateve ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve.

Por, Krasniqi tha se në këto zhvillime duhet të ketë fleksibilitet dhe, nëse shihet e nevojshme dhe në interes të Kosovës, edhe zgjedhjet e parakohshme mund të jenë një opsion real.

“Ne e kemi thënë se, nëse është në interesin e Kosovës të ketë zgjedhje, le të mbahen ato. Por, konsideroj se duhet të mësohemi me respektimin e ligjit dhe normave ligjore”.

“Ne kemi pasur një proces zgjedhor para 2 vjetësh dhe dihet rezultati i tij. E, po ashtu, edhe zgjedhjet e 15 nëntorit të këtij viti realisht nuk treguan ndonjë rikonfigurim të ri të forcave politike, sidomos atyre që janë në bashkëqeverisje”,
theksoi Krasniqi.

Ndërkaq, duke folur për prioritetet e vitit 2010, kryeministri Hashim Thaçi u ndal në çështjet si: zhvillimi ekonomik, demokratizimi i brendshëm; në planin e jashtëm, ai tha se pret vendim pozitiv për Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe njohje të reja.

“Prioritetet e Qeverisë së Kosovës për periudhën e ardhshme janë: vazhdimësia e qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, luftës së pakompromis të krimit të organizuar dhe korrupsionit, anëtarësimi i Kosovës në institucionet tjera ndërkombëtare, përfitimi i opinionit pozitiv nga GJND-ja, vazhdimi i njohjeve edhe më të fuqishme ndërkombëtare, krijimi i vendeve të reja të punës, rritja e mirëqenies sociale dhe e investimeve të gjithanshme në Republikën e Kosovës”, tha Thaçi.

Vlerësimet e krerëve të institucioneve të Kosovës për vitin 2009 kanë qenë kryesisht pozitive, përderisa opozita këtë vit e ka cilësuar si një kthim prapa, sidomos në aspektet e qeverisjes, demokratizimit të shoqërisë dhe luftimit të dukurive negative.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG