Ndërlidhjet

Frika nga helmimi


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Inspektorati Sanitar i Kosovës ka ndaluar përkohësisht shitjen e disa llojeve të lëngjeve që prodhohen në Serbi, nën dyshimet se janë të dëmshme për organizmin. Mostrat e tyre janë dërguar për analiza në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.




Gjashtë lloje të lëngjeve që prodhohen në Serbi: “Fruvita”, “La Vita”, “Zdravo”, “Takovi”, “Nektar”, janë bllokuar përkohësisht në tregun kosovar, për shkak të dyshimeve se përmbajtja e tyre është e rrezikshme për shëndetin.

Inspeksioni Sanitar i Kosovës ka ndaluar përkohësisht shitjen, për të konfirmuar nëse përmbajtja e tyre përputhet me atë që deklarohet në paketim.

Zëvendësinspektori i Inspektoratit Sanitar të Kosovës, Ibrahim Tërshnjaku, shpjegon më hollësisht arsyet e bllokimit:

“Arsyeja e bllokimit të këtyre produkteve është pas dyshimit të ngritur rreth cilësisë së përmbajtjes së produkteve në deklaracion, me të cilin janë publikuar në Serbi”.

“Inspektorati Sanitar i Kosovës ka ndërmarrë një aksion gjatë ditës së djeshme në nivel lokal dhe qendror, me të cilin ka bërë bllokimin e këtyre produkteve për qarkullim, për konsum njerëzor. Pas kësaj, kemi marrë mostrat për verifikimin dhe konstatimin e gjendjes faktike të produkteve me deklaracion”,
thotë Tërshnjaku.

Mostrat e 6 llojeve të lëngjeve janë dërguar në Institutin e Shëndetit Publik për t’u analizuar. Tërshnjaku sqaron hapat që do të ndërmerren nëse analizat tregojnë se lëngjet kanë përmbajtje të dyshimtë.

“Pas kryerjes së analizave, në varësi nga rezultatet, do të ndërmerren të gjitha masat ligjore, që nënkuptojnë largimin e këtyre produkteve nga tregu, fletëparaqitjen në gjykatë... Nëse rezultatet janë në rregull, atëherë do të lejohet leja për qarkullim”, thotë Tërshnjaku.

Ndalimi i përkohshëm i shitjes së lëngjeve serbe është bërë pasi që për përmbajtjen e tyre ka dhënë alarmin Shoqata e Konsumatorëve të Serbisë. Por, në të vërtetë ka pasur edhe më herët zëra, që kanë kërkuar bojkotimin e disa produkteve serbe, nën dyshimin se po prodhoheshin linja të veçnata për Kosovën.

Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, flet për një problem të tillë:

Me vetë faktin që kemi pasur indikacione apo informacione jozyrtare se ekzistojnë linja të prodhimit, të cilat janë të dedikuara vetëm për tregun e Kosovës, ka qenë shqetësimi më i madh se kurrë - nuk e kemi ditur se çfarë është futur në substancën e këtyre produkteve”.

“Por, kur në Serbi nuk janë të kënaqur me produktet e veta, që kanë një kontroll shumë më rigoroz, paramendoni çfarë ka shfrytëzuar apo çfarë ka përdorur konsumatori kosovar”,
shprehet Gërxhaliu.

Oda Ekonomike e Kosovës, ashtu sikurse edhe Aleanca Kosovare e Biznesit, kanë kërkuar nga institucionet përkatëse që të kontrollojnë çdo produkt që hyn në tregun kosovar.

Safet Gërxhaliu thotë se ky kontroll nuk ka qenë asnjëherë në nivelin e duhur.

Është koha kur duhet të kontrollohet kualiteti i produkteve që hyjnë në tregun kosovar. Për fat të keq, një rekomandim i tillë apo një sugjerim i ekspertëve ka hasur në vesh të shurdhër”, thotë Gërxhaliu.

Ndryshe, ndërsa Serbia eksporton mallra në Kosovë, shteti i ri nuk mund të eksportojë asnjë produkt të tij në Serbi. Madje, bizneseve kosovare nuk u lejohet që të kalojnë as transit me mallrat e tyre nëpër territorin e Serbisë.
XS
SM
MD
LG