Ndërlidhjet

logo-print

Zgjedhje apo rifreskim i Qeverisë


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Partitë në koalicionin aktual qeverisës, si prioritete të punës në vitin 2010 shohin sundimin e rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik dhe perspektivën evropiane, përderisa ato opozitare thonë se janë për ndryshime, duke preferuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare gjatë 2010-ës.


Prioritetet e partive politike në pozitë dhe atyre në opozitë për vitin 2010 dallojnë në shumë fusha.

Ndërsa partitë në pushtet mendojnë të bëjnë një rifreskim të qeverisë për të vazhduar deri në fund të mandatit, opozita vazhdon të insistojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Partia Demokratike e Kosovës, prioritetet e saj i sheh në kuadër të angazhimeve në Qeverinë e Kosovës.

Zëvendëskryeministri dhe nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, thotë se rifreskimi i Qeverisë është çështje e partnerëve të koalicionit. Kurse, prioritetet e vitit 2010, sipas tij, janë pikërisht vazhdimi i qeverisjes aktuale dhe përmbushja e synimeve në planin e politikave të brendshme dhe atyre ndërkombëtare.

“Ne, si Qeveri, kemi vënë tri prioritete, të cilat kanë qenë edhe më herët, por kësaj radhe koncentrohen në tri shtylla: në rendin dhe ligjin, në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale dhe në perspektivën evropiane”.

“Ka qenë një përparësi do ta quaja, që pesë shtetet e BE-së, edhe pse nuk e kanë njohur Kosovën, megjithatë e kanë dhënë dritën e gjelbër për perspektivën evropiane”,
thotë Kuçi.

Ndërkohë, partia tjetër në Qeveri, Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas nënkryetarit të saj, Lutfi Haziri, pret që në 2010-ën të ketë reforma në ekzekutiv.

Haziri mbështet qëndrimin e presidentit që zgjedhjet të mbahen sipas afateve ligjore, pa pasur nevojë për zgjedhje të parakohshme.

“Ne e kemi ruajtur pozitën tonë politike, sepse pozita jonë kushtetuese në Presidencë dhe Parlament na bën të paprekshëm. Roli ynë në Qeveri do të jetë me peshë dhe i bazuar në orientimet politike e programore, të cilat i ka votuar Kuvendi dhe për të cilat ne jemi dekoruar”.

“Sa u përket zgjedhjeve, ne, në parim, e mbështesim agjendën e presidentit të definuar në janar të këtij viti”,
thotë Haziri.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i konsideron të vonuara dhe jo të parakohshme zgjedhjet eventuale gjatë vitit 2010.

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, thotë se Kosova ka nevojë për ndryshime dhe se këto zgjedhje duhet të organizohen në pranverë.

Do të jetë një vit i vazhdimit të sfidave të trashëguara nga viti 2009, por edhe sfidave të reja që i ka Kosova”.

“Burimi i vështirësive për Kosovën është në cilësinë e qeverisjes, e cila nuk ka qenë e mirë nga Qeveria Thaçi, andaj uroj të jetë një vit i zgjedhjeve parlamentare
”, shprehet Haradinaj.

Viti 2009 konsiderohet si kthim prapa nga Aleanca Kosova e Re. Nënkryetari i saj, Ibrahim Makolli, thotë se zhvillimet në vitin 2009 duhet të merren shembull që një qeverisje e tillë të mos përsëritet në të ardhmen.

“Viti 2010 duhet të shënojë përfundimisht një vit të zhvillimit ekonomik të vendit, që do të garantonte pastaj edhe stabilitet politik, por edhe siguri të përgjithshme në vend”.

“Po ashtu, viti 2010 duhet t’i shënojë edhe hapat e parë për plotësimin e standardeve për integrim në familjen e gjerë evropiane”,
deklaron Makolli.

Duke mbështetur organizimin e parakohshëm të zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Dardanisë, sipas zyrtares së saj, Besa Gaxherri, beson se ndryshimet në Kosovë mund të ndodhin vetëm nëse fillojnë të zbatohen ligjet dhe Kushtetuta.

“LDD-ja do të vazhdojë në kontinuitet punën e saj, në radhë të parë me prioritetet, për të vënë sistem të drejtësisë dhe të ligjshmërisë në Kosovë. Kjo, për mendimin tim, është kruciale për Kosovën, pasi që po shohim që vërtet në Kosovë nuk funksionon ligji”, thotë Gaxherri.

Ndërsa në planin e brendshëm vërehet dallim i madh i prioriteteve ndërmjet subjekteve rivale politike, në planin e jashtëm pritjet e spektrit politik të Kosovës kryesisht kanë të bëjnë me njohjet e reja dhe me mendimin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG