Ndërlidhjet

logo-print

Nëse viti 2009 do t’i takonte një vendi të vetëm, atëherë ky vend është Kina. Nga ndryshimet klimatike te Irani dhe kriza financiare, Kina bëri që zëri i saj të dëgjohet në gjithë botën. Arsyeja e forcimit të Kinës ka të bëjë me rritjen ekonomike.


Bota është mësuar të dëgjojë kur flasin fuqitë tradicionale, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia. Por, gjatë vitit 2009, duket se edhe Kina ka qenë në vend qendror.

Gjatë 2009-ës, bota e dëgjoi Kinën, pasi Pekini dëshmoi një fuqi ekonomike si asnjëherë më parë. E vënë dhe në kuadër të recesionit global, që goditi shumicën e vendeve të botës, atëherë pozita e Kinës fuqizohet dhe më shumë. Për më tepër, ishte vendi i parë që doli nga stuhia ekonomike.

Inteligence Unit, një organizëm i pavarur me bazë në Londër, llogarit se rritja e Kinës për vitin 2009 është 8%, duke mbetur sërish ekonomia me rritjen më të shpejtë në botë.

Nëse do të bënim një krahasim të shpejtë, ekonomia amerikane e përmbyll 2009-ën me një rritje prej 2%, derisa Eurozona me 4%.

Si ia doli mbanë Kina?

Gart Ledher, ekspert për Kinën në Economist Intelligence Unit, thotë se Pekini u përball me recesionin, duke përdorur thuajse të njëjtat metoda si rivalët.

“Shtysa kryesore e rritjes ekonomike kineze për këtë vit ka qenë paketa e ndihmës e qeverisë, që u publikua në fund të vitit 2008. Ajo ka rezultuar në zhvillime masive të infrastrukturës dhe shkrutimin e një numri taksash, që kanë nxitur konsumatorët të blejnë makina dhe mallra të tjera, çfarë ka pasur ndikim të madh në shtyrjen përpara të rritjes ekonomie të Kinës për këtë vit”, thotë Ledher.

Ndonëse masat e Kinës ishin të ngjashme me ato të vendeve të tjera, efekti në Kinë ishte në përmasa të jashtëzakonshme. Kjo shpjegohet me karakterisitkat e vendit dhe shoqërisë.

Kinezët janë përgjithsësisht kursimtarë të kujdesshëm, pasi shteti nuk u ofron as kujdes shëndetësor falas e as pension. Por, në gjysmën e parë të 2009-ës, bankat në Kinë dhanë kredi në vlerë prej 1.1 trilion dollarësh.

Programet e ndihmës të qeverisë dhe kreditë e bankave bënë edhe kursimtarët më të kujdesshëm, që t’i hapnin portofolat dhe të blinin pajisje shtëpiake, madje dhe makina e shtëpi.

Konsumatorët kinezë, në një mënyrë, kompensuan humbjet e shkaktuara nga rënia e eksporteve. Stretegjia e zbatuar nga qeveira, ndonëse ndihmoi së tepërmi, nuk mundi t’i ruante të gjitha vendet e punës. Megjithatë, industria kineze mbeti e fortë dhe në gjendje qe të rimëkëmbet shpejt.

Ledher thotë se kjo nuk është hera e parë që Pekini hedh sasi të mëdha parash për të stimuluar ekonominë kineze.

Është një lloj teknike e provuar edhe më parë nga Qeveria kineze. Mendoj se ajo që është ndryshe këtë rradhë, është sasia shumë më e madhe se në të shkuarën. Dhe padyshim - efikasiteti”, sqaron Ledher.

Ai shton se rimëkëmbja e fuqishme e Kinës po ndihmon dhe vendet e tjera të dalin nga recesioni.

Një nga përfituesit më të mëdhenj të rimëkëmbjes kineze janë ekonomitë e Eurozonës.

Eksportët e këtyre vendeve në Kinë dhe në ekonomitë e Azisë Lindore njohën një rritje prej 6.3% këtë vit.

Analistët thonë se ekonomia kineze ka njohur rritje fenomenale gjatë 30 vjetëve të fundit dhe kjo i dedikohet kombinimit të faktorëve, si kostoja e ulët e fuqisë punëtore dhe kërkesa e lartë për mallra në tregun e brendshëm.

Në ekonomi, vende të tilla quhen zonat e ëmbla për rritje. Në rastin e Kinës ka prodhuar rritjen më të madhe në historinë e ndonjë vendi.

Por, kjo gjendje nuk mund të zgjasë pafundësisht, madje gjendja vetëm sa ka filluar të ndryshojë, thotë Ledher.

“Ajo çfarë keni parë, veçanërisht në pesë vjetët e fundit, është se kostoja e punës po njeh rritje të shpejtë, në një vlerë prej 10% çdo vit. Në këtë kuptim, Kina nuk është më e lirë për të prodhuar mallra ashtu si në vende të tjera të Azisë”, thotë Ledher.

Shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje lidhur me zhvillimet në Kinë. Një prej pyetjeve që haset rëndomë, është nëse rritja e klasës së mesme në Kinë do të shoqërohet dhe me kërkesën për më shumë të drejta të njeriut?

Megjithatë, viti 2009 mbyllet me vizionin e Kinës në krye të lojës së vjetër ekonomike. Nëse dikush do të dalë i fituar nga recesioni, kjo do të jetë Kina. (I.B.)
XS
SM
MD
LG