Ndërlidhjet

Autoritetet kompetente tashmë kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për procesin e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në vitin 2011. Sipas zyrtarëve qeveritarë, vendimi për vitin e mbajtjes së këtij procesi, është marrë nga organizatat ndërkombëtare që merren me këtë çështje. Në anën tjetër, ish-ministrja e Shërbimeve Publike thotë se ky projekt është dashur të realizohej më herët.


Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë do të bëhet në vitin 2011, thonë zyrtarë të Ministrisë së Administratës Publike.

Rifat Blaku, zëvendësministër në këtë ministri, thotë se ky vendim është marrë me kërkesë të organizatave ndërkombëtare që merren me këtë çështje.

“Më në fund, definitivisht, është saktësuar data e mbajtjes së regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, më 31 mars deri më 15 prill të vitit 2011. Datë kjo, e cila bën që edhe Kosova, si shtet i ri, të hyjë në skemën e shteteve me statistikë të organizuar”, thotë Blaku.

Rifat Blaku sqaron se, pavarësisht gatishmërisë së institucioneve vendore që ky proces të përfundojë më herët, Komisioni Evropian dhe EUROSTATI, kanë kërkuar që regjistrimi i popullsisë të bëhet në të njëjtën kohë me regjistrimin e popullsisë së shteteve tjera evropiane.

“Kosova ka mundur të bëjë regjistrimin e përgjithshëm, por ai nuk do të ishte ndërkombëtarisht i pranueshëm dhe i përfillshëm”.

“Kurse, në mënyrë të njëanshme ne nuk kemi rrezikuar, aq më pak kur me ekspertët e EUROSTAT-it, kemi rënë dakord për shfrytëzimin e fondeve për aftësimin e kuadrove dhe resurseve humane të reja”,
thekson Blaku.

Me këto arsyetime nuk pajtohet Melihate Tërmkolli, ish-ministre e Shërbimeve Publike.

“Natyrisht, tash ka një arsyetim zyrtar që regjistrimi të bëhet në vitin 2011, për arsye se do të mbahet në disa vende të Evropës. Unë, në fakt, mendoj se shumë nga ato vende, regjistrimin e kanë bërë në vitin 2000 dhe do të duhej ta bëjnë në vitin 2010, ndërkaq të tjerat në 2011-ën”.

“Kështu që një pjesë e tyre, për arsye të veta, kanë mundur të shtyjnë deri në vitin 2011. Por, sido që të jetë unë mendoj se është një dëm shumë i madh”,
shprehet Tërmkolli.

Megjithatë, Blaku thotë se institucionet vendore tashmë janë përgatitur për këtë proces. Ai thotë se për këtë projekt deri më tash janë mbajtur tri regjistrime testuese.

“Në bashkëpunim më EUROSTAT-in, me disa shtete të rajonit dhe me Entin e Statistikave, Kosova ka bërë edhe testin provues të tretin me radhë, i cili është çmuar nga ndërkombëtarët se ka një progres të theksuar”, vlerëson Blaku.

Edhe zyrtarë të Entit të Statistikave të Kosovës, pohojnë për gatishmërinë e tyre për mbajtjen e këtij procesi.

Avni Kastrati, shef ekzekutiv i Entit të Statistikave të Kosovës, beson se në vitin 2011, ky proces do të përfundojë me sukses.

“Në aspektin teknik dhe profesional ne i kemi bërë përgatitjet me kohë. Sigurisht që në vitin 2010 do të ketë një fushatë sensibilizuese”.

“Aspektet tjera teknike janë në finalizim e sipër dhe të gjitha dokumentet apo instrumentet kyçe për regjistrim të popullsisë janë të draftuara. Dhe, besoj se regjistrimi i popullsisë do të jetë një storie e suksesshme gjatë vitit 2011”, shprehet Kastrati.

Regjistrimi i fundit i popullsisë kosovare është bërë në vitin 1982 nga pushteti i atëhershëm serb. Ndërkaq, sipas Rifat Blakut, vlerësohet se në Kosovë tashmë jetojnë rreth 2 milionë e 150 mijë banorë, pa përfshirë qytetarët që jetojnë jashtë vendit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG