Ndërlidhjet

“Më duhet të them se është lajm i mirë që nuk ka sfida nga jashtë. Ndërsa, nga brenda, mendoj se ka ende hendeqe mes grupeve etnike”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler.







RADIO EVROPA E LIRË

Gjeneral Bentler, këtë muaj, KFOR-i pritet të reduktohet. Si do të reflektohet ky veprim në terren?

MARKUS BENTLER
Ajo që po bëjmë, është përshtatja e KFOR-it në situatën ekzistuese dhe të favorshme të sigurisë. Kjo nënkupton që ne do të shkurtojmë kryesisht anën logjistike, do të shkurtojmë infrastrukturën, do të rregullojmë pak masën aktuale.

Ne e kemi vëzhguar këtë me kohë dhe duhet thënë se nuk po i reduktojmë kapacitetet tona, të cilat sigurojnë një ambient të qetë dhe të sigurt. Ky është argumenti kryesor që dua t’ia përçoj popullit të Kosovës, se reduktimi do të jetë i rregullt, KFOR-i do të jetë një organizatë e rregullt, fleksibile dhe e lëvizshme.

Në muajt e ardhshëm do të shohim shumë stërvitje të ushtarëve të KFOR-it, në mënyrë që të trajnohen për qëndrimin e ri. Dhe kjo, pak a shumë, është një erë e re, por, në përgjithësi, nuk do të ketë reperkusione negative për situatën e sigurisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Udhëheqësit ushtarakë të NATO-s kanë thënë se reduktimi është lajm i mirë për Kosovën. Megjithatë, në rast të përkeqësimit të situatës së sigurisë, a do të ketë trupa të mjaftueshëm për të ruajtur sigurinë?

MARKUS BENTLER
Po. Më lejoni ta konfirmoj këtë. Së pari, nuk duhet të fokusoheni në numra, sepse nëse e mendoni këtë, do të nënkuptonte që secili ushtar prodhon siguri. Por, fatkeqësisht, nuk është kështu.

Struktura e përgjithshme, struktura mbështetëse është shumë e rëndësishme për organizatën. Kështu që, si çdo organizatë e madhe që fokusohet në rregullimin dhe dhënien e formave të tjera instrumenteve të saj, edhe ne po e bëjmë të njëjtën.

Dhe, këtë po e bëjmë duke racionalizuar trupat, duke u fokusuar në efikasitet, në mënyrë që të prodhohet niveli i njëjtë i sigurisë si në të kaluarën.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të pritet që reduktimi të shkojë nën 10 mijë trupa?

MAKRUS BENTLER
Për këtë, nuk mund të spekuloj, sepse i përket nivelit politik të NATO-s që të vendosë. Por, nëse kemi zhvillime afatgjate stabile të sigurisë, siç kemi tash, mund të ketë edhe përshtatje të ardhshme, por nuk është diçka për të cilën është marrë vendim.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjeneral, çfarë shihni si sfidë kryesore të sigurisë në Kosovë?

MARKUS BENTLER
Pikësëpari, ajo që nuk e shoh si sfidë, janë sfidat nga jashtë. Më duhet të them se është lajm i mirë që nuk ka sfida nga jashtë.

Ndërsa, nga brenda, mendoj se ka ende hendeqe mes grupeve etnike, të vendosura në disa pjesë të kufizuara, që mund të çojnë në akte dhune. Në përgjithësi, nuk shoh përpjekje për ndonjë, le ta quajmë zhurmë, por ende ka potencial që mund të shkaktojë probleme.

Megjithatë, në përgjithësi, mendoj se situata e sigurisë ka qenë shumë e qetë në vitet e fundit, gjë që më bën optimist se kjo edhe do të vazhdojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Forca e Sigurisë e Kosovës po trajnohet nga NATO-ja. Si e përshkruani këtë forcë dhe kapacitetet e saj?

MARKUS BENTLER
Ajo që po bëjmë ne, është trajnimi i një force joushtarake, e hapur për të dyja gjinitë, që punon në ofrimin e ndihmës në rastet e katastrofave natyrore, asistencës humanitare brenda Kosovës, e më vonë misioneve humanitare edhe jashtë vendit.

FSK-ja ka pesë kapacitete thelbësore: zjarrfikësit, mbështetja mjekësore, marrja me minat, me materiet e rrezikshme dhe kërkimet shpëtuese. Ne i kemi trajnuar deri tash, ndërsa numri i pjesëtarëve të tyre ka arritur në 1,800 burra e gra.

Po vazhdojmë t’i trajnojmë, në mënyrë që të arrijnë kapacitete të plota për dy ose dy vjet e gjysmë. Ata po bëjnë përmirësime.

Ne kemi një fushatë të re rekrutimi, që do të fillojë në fund të janarit. Do të mundohemi që t’i bindim minoritetet, veçanërisht serbët, që t’i bashkohen kësaj force, sepse besojmë se është një shans i mirë për zhvillimin e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund t’i zëvendësojë FSK-ja trupat e KFOR-it që po largohen?

MARKUS BENTLER
Nuk ka lidhje reale mes tyre. Se si do ta mbushim vakuumin dhe në cilën fushë të sigurisë, me këtë do të merret sërish KFOR-i.

Deri tash, KFOR-i ka punuar me EULEX-in dhe përmes EULEX-it me Policinë e Kosovës, në mënyrë që situata e sigurisë të mbetet nën kontroll. Në këtë kuadër, FSK-ja aktualisht nuk ka ndonjë rol. Roli i ardhshëm i FSK-së duhet të vendoset në kontekstin politik, atëherë kur të arrijmë në atë fazë.

RADIO EVROPA E LIRË
Një tjetër çështje që është ngritur ditëve të fundit, ka të bëjë me hapësirën ajrore. NATO-ja e kontrollon hapësirën ajrore të Kosovës për mbifluturime. A do t’i lejoni mbifluturimet, siç synojnë autoritetet kosovare, duke marrë parasysh përfitimet financiare e të tjera?

MARKUS BENTLER

Është një pyetje e rëndësishme. Keni të drejtë. Hapësira ajrore është në “pronësi” të KFOR-it.

Ekzistojnë të ashtuquajturat bisedime për normalizimin e hapësirës ajrore në baza të përhershme në Bruksel dhe ato do të vazhdojnë. Ndërsa, si pjesë e vendimit të ardhshëm politik, do të ketë diskutime të tjera.

Por, deri më tash, është KFOR-i ai që ka në “pronësi” hapësirën ajrore dhe kjo natyrisht që do të duhej të diskutohej nga trupa të ndryshëm politikë.

RADIO EVROPA E LIRË

A keni diskutuar mbi hapësirën ajrore me autoritetet e Kosovës apo të Shqipërisë, meqë, muajin e kaluar, është nënshkruar mes tyre një marrëveshje për hapësirën ajrore, ndërsa ata kanë thënë se janë konsultuar me KFOR-in?

MARKUS BENTLER
Nuk ka pasur negociata për këtë çështje me KFOR-in. Ne negociojmë për hapësirën ajrore në kuadër të bisedimeve për normalizimin e hapësirës ajrore, në baza të përhershme, por ende nuk është marrë ndonjë vendim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG