Ndërlidhjet

CEFTA problematike


CEFTA, vendet anëtare
CEFTA, vendet anëtare

Edhe pse ka kaluar një vit që kur Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë bllokuar produktet kosovare, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur ende ta zgjidhë këtë problem. Ekspertët e ekonomisë dhe komuniteti i biznesit kanë kritikuar vazhdimisht ekzekutivin e vendit për, siç thuhet, neglizhencën e treguar karshi kësaj çështjeje.





Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë - CEFTA, Kosova ka pasur probleme me të gjitha vendet e rajonit, por këto probleme u theksuan që nga 3 dhjetori i vitit 2008, kur Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina bllokuan produktet e Kosovës, për shkak të ndërrimit të vulës së doganave nga ajo e UNMIK-ut në Doganat e Kosovës.

E gjithë kjo është përcjellë me zhurmë dhe me pakënaqësi të madhe te komuniteti i biznesit, i cili ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë hapa në drejtim të aplikimit të parimit të reciprocitetit, i cili thuhet se nuk është i ndaluar as me rregulla të CEFTA-s, e as me rregulla të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, mendon se ajo çka ka ndodhur deri më tani, është problem politik, të cilin Kosova e ka me këto dy vende, si dhe një neglizhencë e madhe e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si organ kompetent për menaxhimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së CEFTA-s.

“Deri më tani, kjo ministri ka qenë shumë pasive. Ne i kemi shprehur ankesat tona edhe në Bruksel, edhe dhe në Komisionin Evropian. KE thotë se, përderisa institucioni juaj, që është kompetent, nuk sqaron dhe nuk propozon zgjidhje, ne nuk mund të veprojmë”.

“Sipas informatave, deri më tani, ministria ka dërguar vetëm një letër në Sekretariatin e CEFTA-s dhe më tutje nuk është bërë asgjë. Ministria ende mendon se kjo çështje mund të zgjidhet vetvetiu”,
thotë Rukiqi.

Më 16 dhjetor, 2008, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka njoftuar Sekretariatin e CEFTA-s, i cili, në përgjigjen e tij drejtuar ministrisë, e ka vlerësuar si çështje politike problemin e adresuar, duke theksuar se si i tillë nuk mund të zgjidhet në nivel të sekretariateve.

Lidhur me zgjidhjen e këtij problemi, Rukqi thotë se Kosova, gjatë këtij viti, ka qenë shumë pasive dhe është tërhequr nga shumë takime. Sipas tij, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është treguar e papërgatitur për zgjidhjen e problemit në fjalë.

“Unë mendoj se duhet të merret pjesë në çdo takim, të shprehet reagimi i Kosovës ndaj kësaj bllokade. Në çdo takim të lobohet që vendet evropiane dhe Komisioni i Evropian të bëjnë presion te Serbia dhe Bosnja që ta tërheqin këtë. Të dëshmohet që ne kemi kapacitete institucionale për t’i respektuar këto marrëveshje”, thotë Rukiqi.

Autoritetet kosovare, kohë më parë, kishin hequr dorë nga vendosja e reciprocitetit, pasi që një veprim i tillë, sipas tyre, nuk ka sjellë lumturi te popujt, por vetëm ngatërresa.

Ndërkohë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lufti Zharku, i kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, tha se nuk dëshiron të komentojë problemin e CEFTA- s, derisa të bëhet ndonjë zgjidhje.

Përfaqësuesi i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se, që nga momenti kur Serbia dhe Bosnja kanë vendosur embargo për eksportin e produkteve kosovare, janë shënuar humbje të mëdha.

“Paqartësitë politike nuk mund të hakmerren me bllokada ekonomike. Ne, si treg i Kosovës, kemi një import nga shteti i Serbisë rreth 200 milionë”.

“Kjo tregon se ne kemi një rrugë të bashkëpunimit të drejtë, por kjo rrugë është vetëm një kahe”,
thotë Shahini, për të shtuar se institucionet e Kosovës, deri më tani, është dashur të marrin ndonjë vendim, duke mos njohur origjinën e produkteve të këtyre dy vendeve.

Ndryshe, Kosova, ashtu si edhe Serbia e Bosnja, është nënshkruese e Marrëveshjes për Tregti të Lirë, CEFTA, e cila ka gjithsejtë 8 anëtarë. Por, në emër të Kosovës ka nënshkruar përfaqësuesi i UNMIK-ut, ndërkohë që Serbia njeh ende si autoritet legal në Kosovë UNMIK-un, ndërsa bazë legale Rezolutën 1244.

Ekspertë për çështje ekonomike vazhdimisht kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i kundërpërgjigjet Serbisë dhe Bosnjës me masa të njëjta, duke ndaluar hyrjen e mallrave të këtyre dy shteteve në Republikën e Kosovës.

Muhamet Sadiku, ekspert i çështjeve ekonomike, shprehet:

“Meqenëse Kosova ka këmbim tregtar të nivelit të konsiderueshëm me Serbinë, Kosova do të ishte dashur të arrijë edhe një marrëveshje shtetërore tregtare, që ka të bëjë me këtë çështje. Kjo do të ishte e rëndësishme, nëse nuk do të mund të bëhet zgjidhje në kuadër të ombrellës së Marrëveshjes për Tregti të Lirë - CEFTA”.
XS
SM
MD
LG