Ndërlidhjet

Gjykatat e paligjshme


Gjykata në veri
Gjykata në veri

Prishtina zyrtare e ka cilësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Republikës së Kosovës vendimin e Beogradit për emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në gjykatën në veri të Mitrovicës.


Vendimi i Beogradit për emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë për gjykatën në veri të Mitrovicës është cilësuar nga autoritetet në Prishtinë si ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës.

Gjykata në veri të Mitrovicës, sipas Parlamentit të Serbisë, do të jetë përgjegjëse për gjithë territorin e Kosovës. Gjykatës e prokurorë serbë, të cilët mëtojnë të funksionojnë si strukturë paralele, kanë dhënë betimin para Këshillit Gjyqësor të Serbisë në ditën e fundit të dhjetorit.

Por, ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Nekibe Kelmendi, thotë se ky vendim është ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës. Kjo gjykatë, sipas saj, nuk do të mund të funksionojë.

Nekibe Kelmendi
“Ato janë gjykata ilegale. Çdo vendim që merret nga ato gjykata, nuk mund të zbatohet në Kosovë. E konsideroj ndërhyrje eklatante në punët e brendshme të Kosovës”,
shprehet Kelmendi.

Ajo u bën thirrje autoriteteve ndërkombëtare që të reagojnë, në mënyrë që të mos cenohet funksionimi i gjyqësorit të Republikës së Kosovës.

“Do të duhej të reagonte edhe bashkësia ndërkombëtare dhe natyrisht nuk do të lejojmë që ato institucione gjyqësore të funksionojnë si institucione paralele”, thekson Kelmendi.

Ndaj vendimit të Serbisë për gjykatat në veri ka reaguar edhe Zyra e Presidentit të Kosovës.

Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë se vendimi i Beogradit është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se këto organe në Kosovë do të cilësohen si të paligjshme dhe paralele.
Këto veprime të Beogradit zyrtar janë veprime që shkojnë në vazhdën e destruksioneve të përhershme të Beogradit ndaj Kosovës, por, esencialisht, nuk do të mund të ndikojnë asgjë.

Ato janë absolutisht struktura jolegjitime, struktura paralele, të cilat, për fat të keq, i mban dhe i nxit Beogradi zyrtar, për të krijuar iluzion te një pjesë e qytetarëve serbë të Kosovës, se këtu ende sundon Serbia”.

“Megjithatë, këto veprime të Beogradit zyrtar janë veprime që shkojnë në vazhdën e destruksioneve të përhershme të Beogradit ndaj Kosovës, por, esencialisht, nuk do të mund të ndikojnë asgjë
”, thotë Beqiri.

Veprimet e tilla të Beogradit, sipas Beqirit, nuk do të kenë sukses dhe institucionet e Kosovës nuk do të rrinë pasive në tendencat që gjykata të tilla paralele të shtrihen edhe në pjesë të tjera të Kosovës.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës shprehet e gatshme që të intervenojë në ruajtjen e rendit. Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, thotë se, nëse autoritetet përgjegjëse marrin vendime, policia do të reagojë që të ruajë ligjshmërinë në vend.
...çdo gjë, e cila është e kundërligjshme, Policia e Kosovës është e gatshme të luftojë.

“Policia e Kosovës zbaton Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e aplikueshme në Kosovë. Varësisht prej vendimeve që vijnë nga organet e drejtësisë, policia është e gatshme t’i zbatojë”.

“Pra, çdo gjë, e cila është e kundërligjshme, Policia e Kosovës është e gatshme të luftojë dhe me kërkesë dhe vendim të organeve të drejtësisë, policia i zbaton këto vendime”,
thekson Kelani.

Pas pavarësimit të Kosovës, qysh në shkurtin e vitit 2008, kjo gjykatë fillimisht ishte uzurpuar nga punonjësit serbë atje. Më pas, autoritetet e UNMIK-ut patën ndërhyrë me forcë për të rimarrë nën kontroll objektin. Si pasojë, një polic ukrainas i Kombeve të Bashkuara pati humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë qenë plagosur.

Më pastaj, kjo gjykatë ishte vënë nën mandatin e EULEX-it, si mision që ka përgjegjësi në polici, gjykata dhe dogana.

Sidoqoftë, atje punon një numër krejt i vogël gjykatësish e prokurorësh ndërkombëtarë, përderisa ata vendorë nuk kanë arritur të kthehen në punë.

Kthimi në funksion i gjykatës në veri, si dhe vendosja e ligjshmërisë në atë pjesë, mbeten sfidë si për institucionet vendore, ashtu edhe për ato ndërkombëtare, marrë parasysh shtrirjen që kanë atje strukturat paralele serbe, që mbështeten nga Beogradi zyrtar.
XS
SM
MD
LG