Ndërlidhjet

Klinton: Al Kaida në Jemen - kërcënim global


Hillari Klinton
Hillari Klinton

Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, tha se bashkësia ndërkombëtare do t’i bëjë presion Qeverisë së Jemenit që ta luftojë Al Kaidën në Gadishullin Arabik, që është përgjegjëse për përpjekjen e dështuar për të hedhur në erë aeroplanin amerikan.



Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, tha se aktivitetet në rritje të Al Kaidës në Jemen përbëjnë kërcënim që shkon përtej vendit dhe Lindjes së Mesme.

“Ne po i shohim implikimet globale nga lufta në Jemen dhe përpjekjet aktuale të Al Kaidës në Jemen që ta përdorë atë si bazë për sulmet terroriste përtej rajonit”, tha Klinton.

Komentet e saj në Departamentin e Shtetit u bënë pas takimit me kryeministrin e Katarit, Hamad Bin Jasim Jabr al-Thani.

Përveç çështjeve të tjera, ata thanë se i diskutuan mënyrat se si të stabilizohet Jemeni, i cili në dekadën e kaluar ka pësuar një varg luftërash të brendshme.
Klinton foli vetëm disa orë pasi autoritetet e Jemenit shpallën se kanë vrarë dy militantë të Al Kaidës, afër kryeqytetit Sana.

Përderisa kryediplomatja amerikane i lëvdoi përpjekjet e Jemenit kundër grupit, i cili e quan veten Al Kaida në Gadishullin Arabik, ajo tha se kërcënimi potencial është aq i madh, saqë në takimin në fund të janarit në Londër, përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare do t’i bëjnë shtypje Qeverisë së Jemenit që të veprojë më forcërisht.

“Është koha për bashkësinë ndërkombëtare që t’ia bëjë të qartë Jemenit se ka pritje dhe kushtëzime në ndihmën tonë të vazhdueshme për qeverinë, në mënyrë që të ndërmarrin veprime, të cilat do të kenë gjasa më të mira për t’u ofruar paqe dhe siguri njerëzve në Jemen dhe në rajon”,
tha Klinton.

Al Kaida në Gadishullin Arabik, javën e kaluar, tha se qëndron prapa përpjekjes për të hedhur në erë aeroplanin nga Amsterdami, i cili po bëhej gati të aterojë në Detroit.

Nigeriasi i dyshuar, 23-vjeçari Umar Faruk Abdulmutallab, nuk ishte në listën e udhëtarëve të ndaluar, por më herët ishte apostrofuar si kërcënim për sigurinë amerikane.

Zyrtarët në SHBA thanë se babai i Abdulmutallab u kishte thënë autoriteteve në Nigeri se i biri ishte bërë radikal dhe mund t’i rrekej dhunës.

Shtëpia e Bardhë tha se planifikon që Abdulmutallab të gjykohet në gjykatë federale dhe të ofrojë lehtësime nëse ai u tregon hetuesve se çfarë di për përgjegjësit, të cilët e kishin rekrutuar dhe stërvitur.

Komuniteti amerikan i kundërzbulimit është vënë në fokus të vëmendjes, për shkak se nuk i ka ndarë informatat që i ka disponuar për të dyshuarin Abdulmutallab. Disa thonë se kjo ka mundur ta pengojë të futet në aeroplan në Ditën e Krishtlindjeve.

Vetë presidenti Barak Obama pati deklaruar se dështimet e sistemit të agjencive amerikane të zbulimit lejuan që i dyshuari të hyjë në aeroplan dhe këtë e quajti “totalisht të papranueshme”.

Klinton e mbrojti punën e agjencisë së saj, duke thënë se Departamenti i Shtetit ka bërë gjithçka që ka mundur. Por, ajo tha se kjo nuk nënkupton që Shtetet e Bashkuara nuk do të duhej ta rishikojnë protokollin e sigurisë, që ta përmirësojnë edhe më shumë.

Duke u bazuar në atë që dimë, Departamenti i Shtetit plotësisht është në një vijë me kërkesat e parashtruara për raportet ndërmjet agjencive, se çfarë duhet bërë kur ka kërcënim, ose kur ka dijeni për kërcënim potencial. Por, ne po shohim nëse këto procedura duhet të ndryshohen”, tha Klinton.

Ky rishikim do të fillojë të martën, kur presidenti Barak Obama, pas pushimit 11-ditësh në Havai, do të takohet me këshilltarët kryesorë të sigurisë në Shtëpinë e Bardhë. (V.P.)
XS
SM
MD
LG