Ndërlidhjet

logo-print

Tadiqit i lejohet vizita


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq.

Qeveria e Kosovës do të lejojë vizitën e presidentit serb, Boris Tadiq, në Kosovë, por vetëm si vizitë të karakterit fetar. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj i tha Radios Evropa e Lirë se Qeveria e ka marrë kërkesën nga Zyra e Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian dhe, pasi e ka shqyrtuar, ka marrë vendim të lejojë vizitën, por me disa kushte.




Kërkesa e presidentit serb, Boris Tadiq, për të vizituar Kosovën, përkatësisht Manastirin e Deçanit, me rastin e Kërshëndellave Ortodokse, ka marrë përgjigje pozitive nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se vizita e Tadiqit do të lejohet, por me kusht që ajo të mbetet në kuadër të karakterit fetar.

Qeveria e Kosovës
“Ai vjen në shtetin e Kosovës dhe ai nuk mund të keqpërdorë qëndrimin e tij për fjalime politike. Këto janë edhe vërejtjet që i janë bërë ICO-së dhe në këtë kontekst, në këto rrethana, në këtë mënyrë i lejohet vizita presidentit të Serbisë”,
tha Manaj.

Presidenti serb, Boris Tadiq, ka njoftuar përfaqësuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, se dëshiron të vizitojë Kosovën më 7 janar, kur edhe janë Kërshëndellat ortodokse. Këtë kërkesë, përfaqësuesit evropianë ua kanë përcjellë institucioneve të Kosovës.

Zëdhënësja e Përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Julia Reuter, përmes një deklarate me shkrim, i tha Radios Evropa e Lirë se zyrtarët evropianë janë konsultuar ngushtë me Qeverinë në lidhje me vendimin për të lejuar ose jo vizitën e Tadiqit.

“Ne jemi në dijeni për qëllimin e presidentit për të vizituar Kosovën dhe kemi marrë një njoftim për këtë. Jemi në konsultime të ngushta me Qeverinë dhe aktorët tjerë. Siç e dini, ekzistojnë procedurat për vizitat e zyrtarëve serbë”.

“Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i ofrojë mundësitë e kontaktit mes Prishtinës dhe Beogradit dhe të kontribuojë në ngritjen e raporteve të mira fqinjësore në përputhje me perspektivën rajonale“,
tha Reuter.

Por, Manaj tashmë konfirmoi se vizita me kushte, është përgjigjja që do t’i përcillet Tadiqit përmes Përfaqësuesit të BE-së.

“Kjo është përgjigjja që do t’i jepet Zyrës së BE-së apo ICO-së. Vizita do të jetë e karakterit fetar”, tha Manaj.

Vizitën për Kërshëndellat Ortodokse, analistët kosovarë e shohin si një vazhdimësi të provokimeve, që Serbia i bën Kosovës.

Analisti Agron Bajrami tha se institucionet e Kosovës nuk duhet të zgjedhin heshtjen përballë këtij provokimi.

Mendoj se institucionet e Kosovës e kanë për obligim që t’i trajtojnë edhe mënyrat e tilla dhe qasjet e tilla negative, që vijnë nga Serbia dhe Beogradi”.

“Po ashtu, mendoj se është koha e fundit, që në lidhje me këto zhvillime të konsultohen më tepër mes vete dhe më pak me faktorin ndërkombëtar, që duket se për të ruajtur ‘qetësinë’, insiston që Prishtina zyrtare t’i mbyllë sytë para provokimeve dhe tendencave të tilla destabilizuese nga Beogradi”,
u shpreh Bajrami.

Ai tha se institucionet e Kosovës dhe elita politike duhet të ndryshojnë mentalitetin politik dhe me sjelljen e tyre të tregojnë se Kosova me të vërtetë është e pavarur.
Një prej gjërave kryesore - në vend se t’i presim që të na sfidojnë zyrtarët e ndryshëm, që lirisht mund të themi se janë armiq të Kosovës që vijnë nga Beogradi - është koha që Kosova t’i sfidojë ata...

“Një prej gjërave kryesore - në vend se t’i presim që të na sfidojnë zyrtarët e ndryshëm, që lirisht mund të themi se janë armiq të Kosovës që vijnë nga Beogradi - është koha që Kosova t’i sfidojë ata”.

“Mendoj se Tadiqi është dashur të marrë ftesë nga presidenti Sejdiu për një takim të presidentëve rajonalë dhe jo të pritet që Tadiqi të vijë në Kosovë pa ftesë dhe ta sfidojë, them edhe një herë, në mënyrën më të vrazhdë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës”,
tha Bajrami.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka qëndruar për herë të fundit në Kosovë më 17 prill të vitit 2009 dhe ka vizituar Manastirin e Deçanit me rastin e ditës së Pashkëve Ortodokse.

Në Kosovë, Tadiq kishte hyrë pas një kërkese që i kishte bërë Zyrës së Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Piter Feith, dhe me miratimin e institucioneve qendrore në Kosovë.

Këto të fundit patën tërhequr vërejtjen se nëse presidenti i Serbisë bën çfarëdo deklarimi politik, që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, atij do t’i ndalohet hyrja në Kosovë në të ardhmen, qoftë në kapacitet privat apo zyrtar.

Ndryshe, autoritetet e rendit kanë bërë të ditur se nëse institucionet e Kosovës lejojnë vizitën e Tadiqit, do të ofrojnë siguri. Policia e Kosovës ka thënë se pa lejen e institucioneve, Tadiqit nuk do t’i lejohet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG