Ndërlidhjet

logo-print

Të gatshëm për freskimin e Qeverisë


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet t’i njoftojë partitë në koalicionin qeverisës, PDK-në dhe LDK-në, me vendimin e tij për riformatizimin e Qeverisë aktuale. Ky proces tashmë është pranuar nga partitë në Qeveri.



Dy partitë në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë në pritje të vendimit të kryeministrit Hashim Thaçi për listën e emrave të ministrave që do të largohen dhe atyre që do të rifreskojnë Qeverinë aktuale të Kosovës.

Partitë partnere në koalicion janë pajtuar që të ketë një riformatizim apo rifreskim të kësaj qeverie.

Këta hapa të PDK-së dhe LDK-së shihen edhe si hapa që shmangin mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, pas përplasjeve të shumta që kishin dy partitë në koalicion gjatë fushatës dhe zgjedhjeve lokale.

Nënkryetari i PDK-së, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se përplasjet gjatë zgjedhjeve lokale ishin një zhvillim normal në demokraci, pasi që PDK-ja dhe LDK janë dy partitë më të mëdha dhe garojnë për më shumë pushtet në nivelin lokal. Kurse, në nivelin qendror, ai thotë se qeverisja vazhdon me disa rifreskime.

Hajredin Kuçi
“Natyrisht që nevoja për ngritjen e cilësisë gjithmonë ekziston, por, njëkohësisht, ekzistojnë edhe mundësitë e tilla”.

“Ne do t’i shohim ato pika, ku ka mundësi që të përmirësohet gjendja, jo me logjikën e ndonjë revolucioni, por me logjikën e lëvizjeve të natyrshme, që do të krijojnë efektivitet dhe efikasitet më të madh qeverisës në vendin tonë”,
thotë Kuçi.

Në bazë të autorizimeve që ka, kryeministri ua propozon partive në koalicion ndryshimet në qeveri. Pasi që të marrë aprovimin e tyre, kryeministri vendos për këto ndryshime, pa pasur nevojë për miratimin në Kuvend.

Aktualisht qarkullon si opsion largimi i dy apo tre ministrave që vijnë nga radhët e PDK-së dhje po aq nga radhët e LDK-së.

Gjatë vlerësimeve për punën e Qeverisë, kryeministri Thaçi në vazhdimësi ka deklaruar se Qeveria dhe ministrat e kabinetit të tij qeveritar janë shembull i qeverisjes së mirë në gjithë rajonin.

Megjithatë, duket se edhe kjo qeverisje ka nevojë për ndryshime dhe këtë e konfirmon edhe LDK-ja, përmes nënkryetarit të saj, Lutfi Haziri.

Lutfi Haziri
Flasim për një kabinet qeveritar, ku ka ministra nga radhët e LDK-së, PDK-së dhe nga radhët e minoriteteve, të cilët vazhdojnë të flenë në Qeveri dhe të mos e japin kontributin, çfarë do të duhej të ishte”.

“Në parim, është vendosur për një riformatizim të Qeverisë. Presim rolin e kryeministrit dhe natyrisht që edhe ne do ta kemi rolin tonë. Pra, LDK-ja do ta ketë vulën e vet të punës edhe në këtë çështje”,
thotë Haziri.

Analistët kanë veçuar tri momente si goditje të rënda për Qeverinë Thaçi. Së pari, janë veçuar kritikat e ashpra të zyrtarëve të LDK-së gjatë fushatës elektorale drejtuar Qeverisë dhe afrimi i saj me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovë në nivelin komunal.

Së dyti, deklarimi i zyrtarëve të PDK-së për prishjen e koalicionit me LDK-në e më pas ideja për riformatizimin e qeverisë dhe, së treti, rasti i Nazim Bllacës dhe deklaratat e tij publike për përfshirje në krime dhe implikime të zyrtarëve shtetërorë të Kosovës në ato raste.

Riformatizimi konsiderohet se do të mund t’ia vazhdonte mandatin kësaj qeverie deri në afatin ligjor, që nënkupton fundin e vitit 2011, sidomos tash kur janë shtuar kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Sidoqoftë, mbetet sfidë nëse PDK-ja dhe LDK-ja do të arrijnë që edhe pas riformatizimit të ruajnë shumicën e nevojshme në Kuvendin e Kosovës, ku ka deputetë nga të dyja partitë, të cilët, mes dy opsioneve, haptas janë shprehur në favor të zgjedhjeve dhe jo riformatizimit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG