Ndërlidhjet

Obama: SHBA-të e dinin se përgatitej sulmi

  • Heather Maher

Presidenti Barak Obama - Uashington, 5 janar 2010.

Presidenti Barak Obama - Uashington, 5 janar 2010.

Presidenti Barak Obama tha se shërbimet e kundërzbulimit kishin mjaft informata për ta penguar përpjekjen për sulmin në aeroplanin amerikan, por dështuan t’i bëjnë lidhjet e duhura për ta kuptuar rrezikun. Ai tha se nuk do të tolerojë dështime të tilla.


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, tha se agjencitë amerikane të kundërzbulimit kishin informata të mjaftueshme për ta penguar përpjekjen për sulmin në aeroplanin amerikan, në Ditën e Krishtlindjeve, por dështuan që ta kuptojnë tablonë më të gjerë.

“E fundit është kjo: Qeveria amerikane kishte mjaft informata që ta zbulonte dhe mundësisht ta prishte sulmin në Ditën e Krishtlindjeve, por komuniteti ynë i kundërzbulimit dështoi t’i lidhë këto pika, që do ta vinin të dyshuarin në listën e ndalim-fluturimit”.

“Ky nuk është dështim i grumbullimit të informatave, por dështim për t’i integruar dhe kuptuar informatat që i kishim”,
tha Obama.

Ai e quajti dështimin të papranueshëm dhe tha se ka zero tolerancë për këto lloje gabimesh që u bënë.

“Unë do të pranoj se, për nga natyra, kundërzbulimi nuk është i përsosur, por është tejet e qartë se kundërzbulimi nuk ishte analizuar plotësisht. Kjo është e papranueshme dhe nuk do ta toleroj”, tha presidenti Obama.

Përpjekja e nigeriasit 23-vjeçar, Umar Faruk Abdulmutallab, për të shkaktuar shpërthim në aeroplanin, i cili duhej të ateronte në Detroit më 25 dhjetor, u pengua nga udhëtarët, të cilët i vërejtën flakët dhe vepruan shpejt që t’i shuajnë.

Abdulmutallab u arrestua dhe tash ndodhet në paraburgim federal.

Pas incidentit, Obama menjëherë urdhëroi shtrëngimin e procedurave të skanimit të udhëtarëve nëpër aeroporte dhe u urdhëroi këshilltarëve të sigurisë që t’i rishikojnë mangësitë e mundshme.

Komentet e tij, të martën, u bënë pas takimit me drejtuesit e pothuaj dhjetë agjencive në Shtëpinë e Bardhë.

“I thirra këta drejtues në Shtëpinë e Bardhë për shkak se përballemi me një sfidë urgjente. Siç e pamë në Krishtlindje, Al Kaida dhe aleatët e saj ekstremistë nuk do t’i ndalin përpjekjet e tyre për të vrarë amerikanë”.

“Ne jemi të vendosur që jo vetëm t’i zbulojmë këto plane, por edhe t’i prishim dhe ta mundim rrjetin e tyre njëherë e përgjithmonë”,
tha Obama.

Presidenti e lëvdoi punën e agjencive të kundërzbulimit, të zbatimit të ligjit dhe agjencive për sigurinë e atdheut për grumbullimin e informatave, për të cilat tha se kanë penguar komplote dhe kanë shpëtuar jetë të amerikanëve prej sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001.

Por, Obama e karakterizoi praninë e Abdulmutallabit në aeroplanin amerikan si dështim të sistemit kombëtar të sigurisë.

“Kur një terrorist i dyshuar është në gjendje të hyjë në aeroplan me eksploziv në Ditën e Krishtlindjeve, atëherë sistemi ka dështuar në mënyrë katastrofike”.

“Është përgjegjësia ime që të zbuloj përse dhe t’i korrigjoj dështimet e tilla, në mënyrë që të mund të parandalojmë sulme të ngjashme në të ardhmen”,
tha presidenti amerikan. (V.P.)
XS
SM
MD
LG