Ndërlidhjet

Vizita e Tadiqit


Në Manastirin e Deçanit, 6 janar 2009.
Në Manastirin e Deçanit, 6 janar 2009.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, nga Manastiri i Deçanit, ku ka marrë pjesë në ceremoninë e Krishtlindjeve Ortodokse, ka përçuar mesazhe për pajtim. Ai ka folur edhe për tema të karakterit jofetar. I pyetur nëse e sheh integrimin e Kosovës në BE si shtet të vetëm, apo bashkë me Serbinë, ai ka thënë se, “nuk do të doja të shihja vetëm Serbinë, që do të thotë dhe Kosovën, në BE, por gjithë vendet e rajonit të integrohen sa më shpejt që është e mundur në BE”.


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka dërguar nga Manastiri i Deçanit një, siç ka thënë, "mesazh paqeje për të gjithë qytetarët që festojnë Krishtlindjet Ortodokse, por edhe për ata që nuk i festojnë, duke vlerësuar se Krishtlindjet shënojnë një periudhë për pajtimin e atyre që janë në përçarje".

“Duke e shënuar lindjen e Krishtit, dërgojmë mesazh paqeje te të gjithë njerëzit, pavarësisht nga identiteti i tyre; mesazh paqeje të gjithë atyre, të cilët sot dhe nesër shënojnë këtë festë të krishterë, por edhe atyre që nuk e festojnë, sepse ky është një shans edhe për ata që kanë qenë të përçarë dhe në mosmarrëveshje, të pajtohen, t’i shtrijnë dorën njëri-tjetrit, të merren vesh më mirë seç janë marrë vesh gjatë gjithë vitit të kaluar”, ka thënë Tadiq në Manastirin e Deçanit.

”Unë, si president i Serbisë, sot në Manastirin e Deçanit dërgoj mesazhe paqeje gjithandej dhe cilitdo në emër të qytetarëve të Serbisë, në emër të shtetit të Serbisë dhe në emrin tim personal, duke besuar se paqja është më se e domosdoshme në këtë hapësirë të përbashkët ku jetojmë, se paqja është e nevojshme për të gjithë popujt, për të gjithë njerëzit, të cilët ndajnë një të ardhme të përbashkët në këtë hapësirë shumë komplekse dhe të rënduar ballkanike”, ka theksuar Tadiq.

Presidenti i Serbisë ka qëndruar në Manastirin e Deçanit, për të marrë pjesë në ceremoninë e Krishtlindjeve Ortodokse. Vizita e tij në Deçan është përcjellë me një protestë të qytetarëve të atjeshëm, të cilët e kanë kundërshtuar ardhjen e zotit Tadiq.

Autoritetet janë përmbajtur nga dhënia e çfarëdo informacioni mbi agjendën e plotë të presidentit të Serbisë, duke u thirrur në ndjeshmërinë e situatës.

Qeveria e Kosovës lejoi dje vizitën e presidentit serb, Boris Tadiq, në Kosovë, por duke thënë se kjo duhet të jetë vizitë vetëm e karakterit fetar.

Megjithatë, presidenti Tadiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ka folur edhe për çështje tjera të karakterit jofetar.

I pyetur nëse e sheh integrimin e Kosovës në BE si shtet i vetëm, apo bashkë me Serbinë, Tadiq ka thënë:

“Nuk do të doja të shihja vetëm Serbinë, që do të thotë dhe Kosovën në Bashkimin Evropian, por gjithë vendet e rajonit të Evropës Juglindore të integrohen sa më shpejt që është e mundur në BE, shpresoj në vitin 2014”.

Ndryshe, presidenti i Serbisë ka marrë pjesë në meshën që shënon ceremoninë qendrore të Krishtlindjeve Ortodokse. Ceremonia do të përcillet të mërkurën me një liturgji të shenjtë.

Presidenti serb për vizitën e tij ka njoftuar përfaqësuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian në Beograd dhe në Prishtinë. Njoftimi, më pas, u është përcjellë institucioneve të Kosovës.

Këto të fundit, sikurse me rastin e vizitës së kaluar, në prill të vitit të kaluar, sërish kanë tërhequr vërejtjen se presidenti i Serbisë nuk duhet të bëjë çfarëdo deklarimi politik, që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

XS
SM
MD
LG