Ndërlidhjet

Rreth 80 për qind e obligimeve tatimore, sipas përfaqësuesve të Administratës Tatimore të Kosovës, përmbushen në mënyrë vullnetare nga tatimpaguesit. Ata thonë se janë krijuar mekanizma të nevojshëm për mbledhjen e këtyre mjeteve nga qytetarët dhe bizneset kosovare. Ndërkohë, ekspertët e ekonomisë kritikojnë Qeverinë e Kosovës për neglizhencën e treguar ndaj projektit për pajisjen e bizneseve me arka fiskale.



Ndër institucionet më të rëndësishme për mbledhjen e të hyrave në Kosovë janë Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe Doganat e Kosovës. Këto dy institucione mbledhin mbi 90 për qind të të hyrave të planifikuara për shtetin e Kosovës.

Përfaqësuesit e tyre thonë se shumica e qytetarëve dhe bizneseve kosovare janë vetëdijesuar në përmbushjen e obligimeve që kanë ndaj shtetit të tyre.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, thotë se përqindja më e madhe e bizneseve kosovare i kryen obligimet, por, megjithatë, shton ai, ende ekzistojnë biznese, të cilat nuk i zbatojnë ligjet në fuqi.

“Në përgjithësi, nuk kemi pasur vështirësi në mbledhjen e të hyrave, por ende ballafaqohemi me dukurinë që një pjesë e tregtarëve - pasi që pjesa më e madhe e tregtarëve tani janë vetëdijesuar për obligimet e tyre - mundohen t’iu ikin obligimeve përmes rrugëve ilegale, ose përmes prezantimit të rrejshëm të vlerave të mallit”, thotë Huruglica.

Edhe drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Behxhet Haliti, pohon se në Kosovë ekzistojnë ende biznese, të cilat me vështirësi i përmbushin këto obligime. Por, pavarësisht kësaj, ai shprehet i kënaqur me mbledhjen e tatimeve.

“Pakoja e re fiskale, që Qeveria ka miratuar vitin e kaluar, dhe përfundimisht në fund të vitit 2009 Kuvendi ka miratuar edhe katër ligje të sponsorizuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave - bëjnë një bazë të mirë ligjore që të trajtohet kjo çështje në mënyrë profesionale”, thotë Haliti.

Ndërkohë, Administrata Tatimore e Kosovës ende nuk ka të dhëna përfundimtare të mjeteve financiare, të cilat janë mbledhur nga tatimpaguesit gjatë vitit 2009. Drejtori i ATK-së, Haliti, sqaron:

“Në bazë të informacioneve preliminare, Administrata Tatimore mund të konstatojë se ka realizuar planin e planifikuar nga Qeveria, gjegjësisht 201 milionëshin e ka arritur. Dhe tash, në çfarë mase e ka arritur ose tejkaluar, ne presim shënimet përfundimtare”.

Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, Isa Tahiri, thotë se grumbullimi i mjeteve financiare, që duhet të hyjnë në buxhetin e Kosovës përmes grumbullimit të të ardhurave nga ana e tatimeve, nuk është i kënaqshëm.

Tahiri thotë se Qeveria duhet të bëjë vendosjen e arkave fiskale në të gjitha bizneset. Sipas tij, pas vendosjes së këtyre arkave, qarkullimi do të jetë më real sesa që është prezantuar deri më tash.

“Qeveria duhet të marrë hapa konkretë dhe, nëpërmes këtyre të ardhurave që mblidhen përmes tatimeve, duhet të krijohen kushte të mira edhe për punëtorët e Administratës Tatimore të Kosovës”, shprehet Tahiri.

Vendosja e arkave fiskale në të gjitha bizneset, sipas tij, mundëson zvogëlimin e ekonomisë joformale dhe zvogëlimin e evazionit tatimor.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, në fund të vitit 2009, ka konfirmuar se procesi i fiskalizimit do të fillojë në fillim të këtij viti dhe do të zhvillohet gradualisht.

Arkat fiskale do të jenë të lidhura me ATK-në nëpërmjet rrjetit GPRS apo ndonjë rrjeti tjetër dhe ato do t’i transmetojnë të dhënat në ATK, në lidhje me qarkullimin që realizon biznesi.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG