Ndërlidhjet

Pro dhe kundër lejimit të vizitës së Tadiqit


Prishtinë
Prishtinë

Duke e komentuar vizitën e presidentit serb, Boris Tadiq, në Kosovë, analistët ndajnë pikëpamje të ndryshme rreth lejimit të kësaj vizite dhe mesazheve që jep ajo për komunitetin serb dhe opinionin kosovar në përgjithësi.



Analistët në Prishtinë e vlerësojnë në mënyra të ndryshme vizitën e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, dhe lejen që Qeveria e Kosovës i dha atij për të marrë pjesë në ceremoninë e Krishtlindjeve ortodokse.

Për disa analistë, vendimi i Qeverisë së Kosovës për të lejuar vizitën e Tadiqit, ishte një mesazh i pjekurisë politike.

Kurse, për analistë të tjerë, Kosova është dashur të mos lejojë vizita të presidentëve dhe qeverive që angazhohen në vazhdimësi kundër stabilitetit dhe pavarësisë së Kosovës.

Drejtori i Institutit KIPRED, Ilir Deda, thotë se Qeveria e Kosovës mori një vendim shumë të gabuar kur lejoi vizitën e Tadiqit.
Është bërë një gabim shumë i madh nga ana e Qeverisë së Kosovës që ka lejuar presidentin e Serbisë të vijë për Kërshëndellat Ortodokse...

Ai rikujton vendimin e para një jave të Beogradit për sforcimin e strukturave paralele serbe të drejtësisë në Kosovë, të cilat veprojnë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Është bërë një gabim shumë i madh nga ana e Qeverisë së Kosovës që ka lejuar presidentin e Serbisë të vijë për Kërshëndellat Ortodokse, duke pasur parasysh se Serbia, pak para Vitit të Ri, mori një vendim, me të cilin fuqizoi strukturat e saj në Kosovë, e që realisht punojnë kundër shtetësisë dhe stabilitetit në Kosovë”,
thotë Deda.

Në anën tjetër, analisti Ramush Tahiri thotë se Qeveria e Kosovës mori një vendim të drejtë kur e lejoi këtë vizitë. Pavarësisht mesazheve të Tadiqit, thotë Tahiri, me këtë veprim, Prishtina ka treguar përkushtimin e saj për një politikë pro-evropiane dhe pro-integruese.

“Qeveria e Kosovës, me vendimin për t’ia lejuar vizitën presidentit Tadiq, ka treguar përgjegjshmëri dhe mendoj se kjo është në vazhdën e logjikës së mirë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe të integrimeve evropiane”.

“Edhe pse vizita e Tadiqit si kërkesë paraqitet në institucionet tjera dhe jo në institucionet e Kosovës, institucionet e Kosovës e kanë legjitimitetin që të vendosin për këto çështje”,
thekson Tahiri.

Ndryshe nga Tahiri, vlerëson analisti Ilir Deda. Ai i sheh si të panevojshme kushtet që janë vendosur për Tadiqin gjatë vizitës së tij, pasi që vetë lejimi i kësaj vizite, sipas Dedës, është mesazh që Tadiq transmeton te serbët e Kosovës dhe tek opinioni kosovar në përgjithësi.

“Nuk është çështja te kushtet, të cilat mund t’i vendosë Prishtina; më shumë ka të bëjë me një mungesë të vetë-respektit të shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës”.

“Nuk ka asnjë arsye që shteti, i cili punon me të gjitha energjitë kundër kësaj pavarësie dhe kundër stabilitetit në Kosovë, presidenti i këtij shteti të vijë dhe t’i jepet leja që të vijë e të japë një mesazh çfarëdo që të jetë ai”,
shprehet Deda.

Ndërkohë, Ramush Tahiri thotë se Kosova nuk ka nevojë t’i kundërpërgjigjet Serbisë, kështu që, sipas tij, edhe nëse Tadiq ka dashur që t’i shfrytëzojë festat fetare për qëllime politike, ajo është politikë e Beogradit dhe Prishtina duhet ta ketë politikën e vet që nuk varet nga veprimet serbe.

Ramush Tahiri
Kosova duhet të japë mesazhe të mira, pavarësisht mesazheve që jep Serbia edhe Kosova duhet ta ketë politikën e vet, e cila në çdo moment dhe në çdo kohë nuk duhet të jetë përgjigje, ose ana tjetër e politikës së Serbisë”.

“Kosova duhet ta ketë identitetin e vet edhe sa i përket identitetit të politikës së saj të brendshme e të jashtme, edhe sa u përket standardeve, të cilat i respekton”,
vlerëson Tahiri.

Në një pritje për media gjatë festave të fundvitit, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pati deklaruar se ai nuk do ta ftojë Tadiqin në kuadër të një mini-samiti rajonal, ku ai tashmë kishte ftuar presidentët e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Sidoqoftë, presidenti Tadiq vjen në Kosovë edhe pa ftesën e institucioneve, çka, sipas analistëve, tregon se Beogradi nuk merret me deklaratat e zyrtarëve kosovarë, por me strategjinë e vet, ku ndër synimet kryesore është mbajtja e tensioneve në Kosovë dhe mbajtja në jetë e strukturave paralele, me shpresë se një ditë sërish do të hapet për dialog çështja e viseve të caktuara të Kosovës, ku shumicën e përbëjnë serbët.
XS
SM
MD
LG