Ndërlidhjet

Nis hetimi e rinumërimi i votave për Gjilanin


Ka nisur hetimi dhe rinumërimi i votave për Gjilanin në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, në Fushë-Kosovë, ndonëse me disa orë vonesë, pasi që vëzhguesit e LDK-së nuk qenë të pranishëm me kohë.



Pas një pezullimi disa orësh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të nisë hetimin dhe rinumërimin e votave për Gjilanin.

Hetimi dhe rinumërimi, të paraparë të fillonin në mëngjes, u shtynë pasi që vëzhguesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk qenë të pranishëm me kohë në qendrën e numërimit.

Por, përfaqësuesit e LDK-së bëjnë të ditur se, në orët e pasdites, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë kthyer më shumë se 15 vëzhgues nga LDK-ja.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se mosprania me kohë e vëzhguesve, ka qenë si pasojë e moskoordinimit.

“Në fakt, vëzhguesit e LDK-së janë duke marrë pjesë, tashmë 15 prej tyre janë konfirmuar. Më shumë ka qenë pjesë e koordinimit apo moskoordiminit në mes të organeve, sesa diçka tjetër. Natyrisht, duke u mbështetur në obligimet kushtetuese, ne e kemi respektuar vendimin e KZAP-it (Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa)”.

“Lënda jonë për interpretim është edhe në Gjykatën Supreme, por nuk e pengon ankimimi ynë që procesi të ecë. Shpresoj që hetimi të konstatojë nevojën që edhe Gjilani të jetë pjesë e rivotimit”,
thotë Haziri.

Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, thekson se hetimi dhe rinumërimi i votave për komunën e Gjilanit, po bëhet paralelisht.

Sa i takon koordinimit dhe informimit të vëzhguesve, Lushta deklaron se gjithçka është bërë me kohë.

“Hetimi dhe rinumërimi do të bëhen paralelisht. Të gjithë vëzhguesit, siç e mora informatën, edhe sot, edhe dje, janë të informuar në mënyrë të rregullt dhe zyrtarisht. Do të thotë, nuk është mungesa e informimit, andaj procesi do të vazhdojë”, deklaron Lushta.

Ndërkaq, zyrtarët e Qendrës për Numërim dhe Rezultate (QNR) bëjnë të ditur se procesi i rinumërimit është duke shkuar mirë. Kështu thotë edhe koordinatori i QNR-së, Burim Ahmeti.

“Me rinumërimin dhe me krahasimin - pas formularëve të rinj, të cilët do të dalin si rezultat i rinumërimit. Atëherë do të jetë shumë më e lehtë që të bëhet hetimi, kështu që ky është hetimi më bindës për të gjithë vëzhguesit”, shpjegon Ahmeti.

Procesi i rinumërimit të votave, sipas koalicionit të organizatave “Demokracia në Veprim”, është i vonuar. Valmir Ismaili thotë:

“Ky është një proces i vonuar. Po bëhen më tepër se 20 ditë që ka përfunduar raundi i dytë i votimeve dhe ne ende nuk e dimë se çka do të bëhet me komunën e tretë, në të cilën ka pasur parregullsi”.

Prej 127 vendvotimeve sa ka pasur kjo komunë në zgjedhjet e balotazhit për kryetar komune, sot pritet të kontrollohen vetëm 52 sosh. Dita e enjte është pushim, për shkak të Kërshëndellave Ortodokse, prandaj procesi do të vazhdojë të premten.

Procesi i hetimit dhe rinumërimit, që nisi sot, nënkupton kontrollimin dhe krahasimin e të dhënave të formularëve që kanë ardhur pas mbylljes së vendvotimeve nga komisionet komunale zgjedhore.

Pritet që pas përfundimit të këtij procesi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të marrë një vendim për përsëritjen ose jo të zgjedhjeve në Gjilan.

Ndërsa, siç dihet, raundi i tretë i zgjedhjeve për kryetarë të Prizrenit dhe Lipjanit, sipas KQZ-së, do të mbahet më 31 janar.
XS
SM
MD
LG