Ndërlidhjet

Google nxjerr në treg super-telefonin

  • RFE /RL

Zëvendëspresidenti i kompanisë Google, Mario Kueriozi, duke prezantuar telefonin, 5 janar 2010.

Zëvendëspresidenti i kompanisë Google, Mario Kueriozi, duke prezantuar telefonin, 5 janar 2010.

“Sot po nxjerrim Nexus One”, njoftoi me solemnitet Mario Kueriozi, zëvendëspresidenti i kompanisë Google.

Telefoni Nexus One është paraqitur edhe si telefoni i mençur. Kjo është hera e parë që një gjigant i internetit hedh në treg një telefon celular.

Nexus One përdor sistemin Android të Google, funksionon me prekjen e ekranit, peshon 130 gramë dhe është vetëm 11.5 milimetra i trashë.

Ky lloj telefoni shkruan emaile, të cilat diktohen gojarisht nga përdoruesi.

Të gjitha këto e bëjnë super-telefon.

“Përkufizimi i Nexus-it sipas fjalorit është konvergjenca, apo aty ku telefoni takohet me internetin. Nexus është shembulli i qartë se çfarë është në gjendje të bëjë një telefon mobil që përdor sistemin Android”,
tha Kueriozi.

Telefoni i ri është një konkurrent i fuqishëm i iPhone të kompanisë Apple. Megjithatë, Apple ka shitur 30 milionë telefona të këtij tipi, andaj Google ka shumë për të bërë që të arrijë Apple.

Çmimi i telefonit të Google është relativisht i lartë. Ai fillon me 179 dollarë nëse ke një kontratë me T-Mobile Amerika, e shkon deri në 529 dollarë nëse nuk ke asnjë lidhje me ndonjë kompani telefonike.

Karolinë MekKarthi tha se është përparësi e Google fakti se u jep mundësi klientëve të zgjedhin vetë rrjetin e tyre, pavarësisht faktit se për këtë duhet të paguajnë më shumë.

Kompanitë e telefonisë celulare në Shtetet e Bashkuara janë të përfshira në një luftë fjalësh se cila prej tyre ka rrjetin më të mirë të mbulimit.

Në këtë mënyrë, klientët e Google mund të zgjedhin vetë kompaninë.

“Nëse Google është në gjendje të ofrojë mesazhin se u jep njerëzve zgjedhje, duke tejkaluar skërmitjen e dhëmbëve mes kompanive celulare, mendoj se do të ketë sukses të njëjtë, le të themi si politikanët që pohojnë se janë mbi sulmet e vogla, të bëra në reklama të paguara nga kundërshtarët”, tha MekKarthi, gazetare e specializuar në çështjet e teknologjisë.

Google shet reklama në vlerë prej 20 miliardë dollarësh në vit. Por, njerëzit gjithmonë e më shumë po përdorin internetin përmes telefonave të tyre celularë, sesa përmes kompjuterëve, çfarë mund të shkaktojë rënien e biznesit të Google.

Google ka njoftuar se në Evropë do të bashkëpunojë për të sjellë telefonin e ri në pranverë me Vodafonin. (I.B.)
XS
SM
MD
LG