Ndërlidhjet

Prishtina: Tadiq shkeli kushtin


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Presidenca e Kosovës konsideron se presidenti serb, Boris Tadiq, gjatë qëndrimit në Kosovë, ka treguar se nuk heq dorë nga qasja destruktive ndaj Kosovës. Ndërkohë, opozita kritikon institucionet për lejimin e vizitës së Tadiqit.


Zyrtarë të Presidencës së Kosovës thonë se presidenti serb, Boris Tadiq, shkeli kushtin për të mos dhënë deklarata politike, por vetëm të karakterit fetar, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.

Tadiq ka marrë pjesë në ceremoninë e Kërshëndellave Ortodokse në Manastirin e Deçanit, nga ku është larguar sot për në Beograd.

Tadiq, i pyetur nëse e sheh integrimin e Kosovës në BE si shtet të vetëm apo bashkë me Serbinë, ka thënë: “nuk do të doja të shihja vetëm Serbinë, që do të thotë dhe Kosovën, në BE, por gjithë vendet e rajonit”.

Kjo deklaratë, sipas zëdhënësit të presidentit Xhavit Beqiri, tregon se Beogradi nuk heq dorë nga qasja e vjetër destruktive ndaj Kosovës.

Edhe në deklaratat e djeshme, presidenti Tadiq, sado që mundohej që këtë herë të ishte pak më i moderuar, nuk mundi të qëndronte pa theksuar se Kosova kinse është pjesë e Serbisë, ndonëse edhe vetë e di se dje ai ka qenë në një shtet tjetër, ka qenë në Republikën e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur”.

“Natyrisht që synimi i popullit dhe institucioneve të Kosovës është integrimi sa më i shpejtë në BE, në NATO dhe në institucionet tjera ndërkombëtare, por gjithsesi jo bashkë me Serbinë, por ndaras, secili më vete”,
thotë Beqiri.

Qeveria e Kosovës ka thënë se i jep leje Tadiqit për të vizituar Kosovën, vetëm nëse ai nuk jep deklarata politike, që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Zyrtarë të ekzekutivit nuk kanë qenë të arritshëm sot, për të marrë përgjigje nëse Tadiq shkeli kushtin.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, gjatë qëndrimit në Manastirin e Deçanit, 6 janar 2010.
Ngjashëm, as zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së, që ka ndërmjetësuar mes Beogradit e Prishtinës për vizitën e Tadiqit, nuk ka komentuar deklaratat e presidentit serb.

Por, është opozita ajo që kritikon vendimin e institucioneve për lejimin e vizitës së Tadiqit.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, thotë se nuk mund të pritet nga një president i një shteti, të mos bëjë deklarata politike.

Presidenti i Serbisë nuk është patriark, ai është president, politikan i zgjedhur me vota të popullit në Serbi dhe ai nuk mund të ketë vizitë vetëm fetare në Kosovë. Është një palaçollëk politik i institucioneve të Kosovës”.

“Nuk guxojnë të sillen kështu me vendin; është dashur të kushtëzojnë vizitën e presidentit Tadiq në Kosovë. Ne e dimë se në kishë mund të shkojë gjithkush, është tepër e qartë, mirëpo ai nuk është fetar, por është president
”, thotë Gjini.

Në të njëjtën frymë shprehet edhe analisti për çështje politike, Behlul Beqaj. Ai mendon se kjo nuk është hera e parë dhe as e fundit që presidenti Tadiq jep deklarata politike në Kosovë, meqë, siç thotë ai, deklaratat do të ngjyrosen politikisht edhe sikur ta kishin në thelb motivin e qartë fetar.

“Mendoj se kërkesat që presidenti Tadiq të mos japë deklarata politike, janë të paqëndrueshme, nga fakti se në Kosovë nuk ka ardhur një klerik i Serbisë, por ka ardhur presidenti i Serbisë”.

“Vetë fakti se kryetari i Serbisë ka ardhur në Kosovë, ka domethënie, para se gjithash, politike. Ndërkaq, fakti që ka të bëjë me aspektin fetar, për mendimin tim është margjinal, karshi vizitës së tij të natyrës politike”,
deklaron Beqaj.

Zyrtarë të Qeverisë, një vit më parë, kur Tadiq kërkoi të vinte në Kosovë për Pashkët Ortodokse, patën thënë se, po qe se presidenti serb bën deklarata politike, atij në të ardhmen do t’i ndalohet hyrja në Kosovë, qoftë ajo e karakterit zyrtar, apo privat.

Qëndrim pak a shumë të njëjtë kanë mbajtur edhe tash. Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë se me deklaratat e tij, Tadiq po ia ngushton vetes hapësirën për të ardhur në Kosovë.

“Në një mënyrë, presidenti Tadiq po ia ngushton vetes rrugët e ardhjes herëve të tjera në Kosovë. Është vetë fajtor ai, që, në njëfarë mënyre, po i ngushton udhët e bashkëpunimit dhe të lëvizjes së ndërsjellë”, thekson Beqiri.

Ndryshe, autoritetet që kanë bërë përcjelljen e Tadiqit në Kosovë, kanë qenë tejet të rezervuar në dhënien e informatave mbi agjendën. Tadiq është transportuar në dhe nga Manastiri i Deçanit me helikopter të KFOR-it, forcë kjo që edhe ka qenë përgjegjëse për përcjelljen e tij.
XS
SM
MD
LG