Ndërlidhjet

Mesiq: Rrota e historisë s'kthehet pas


Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq - Prishtinë, 8 janar 2010.
Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq - Prishtinë, 8 janar 2010.

Rrota e historisë nuk mund të kthehet më pas dhe as Kosova nuk mund të rikthehet më në Serbi, ka thënë në Prishtinë presidenti kroat, Stipe Mesiq. Ai i bëri thirrje Beogradit që ta pranojë realitetin e ri në Kosovë dhe të mos e pengojë integrimin e komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës. Mesiq u dekorua nga presidenti i Kosovës me “Medaljen e Artë të Pavarësisë" si dhe u shpall “Qytetar Nderi” i Prishtinës.



Kroacia do ta ndihmojë Kosovën në realizimin e synimeve të saj për integrim në familjen e bashkuar evropiane, tha sot në Prishtinë presidenti kroat, Stipe Mesiq.

Këto komente, Mesiq i bëri gjatë vizitës së tij njëditëshe në Kosovë, ku presidenti Fatmir Sejdiu i ndau “Medaljen e Artë të Pavarësisë” dhe më pas u shpall “Qytetar nderi” i Prishtinës.

Presidenti Mesiq tha se Kosova dhe Kroacia kanë kultivuar marrëdhënie të mira edhe në kohën e ish-Federatës Jugosllave.

Ndërkaq, gjatë kohës së rënies së ish-Jugosllavisë, ai tha se populli kroat nuk e harron kurrë kontributin e kosovarëve në luftën për lirinë e këtij vendi. Tani, e ardhmja janë integrimet, tha Mesiq, dhe premtoi ndihmën e Zagrebit për realizimin e qëllimeve të Prishtinës.

“Kroacia është e gatshme që ta ndihmojë Kosovën me përvojën dhe dijen e vet, përfshirë edhe ndihmën e saj në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane, që tani paraqet një të ardhme të rëndësishme”, tha Mesiq.

Duke iu drejtuar Parlamentit të Kosovës, gjatë një seance solemne të thirrur për nder të tij, Mesiq tha se vizita e tij në Kosovë ishte interpretuar në mënyra të ndryshme. Por, ai tha se vinte në Kosovë si mik i shqiptarëve, i serbëve dhe popujve tjerë dhe se kjo vizitë nuk ishte e drejtuar kundër askujt.

Mesiq i bëri thirrje edhe Serbisë që të mos e pengojë integrimin e serbëve dhe e ftoi këtë vend që ta pranojë realitetin e ri në Kosovë.

“Federata Jugosllave është shkatërruar dhe dihet botërisht se me fajin e kujt është shkatërruar. Rrota e historisë nuk kthehet më pas dhe as Kosova nuk mund të rikthehet më në Serbi”,
tha Mesiq.

Duke iu referuar raporteve kroato-serbe, Mesiq tha se ishte shteti serb ai që bëri gjenocid në Kroaci dhe për këtë ka edhe padi në Gjykatën Ndërkombëtare.

Sidoqoftë, ai tha se drejtësia i ka punët e veta, kurse politika vazhdon tutje dhe se i gjithë rajoni, përfshirë vendet ish-jugosllave, të ardhmen e kanë të përbashkët në kuadër të integrimeve evropiane.

Arkitektura e këtij rajoni është e përfunduar dhe i tërë rajoni duhet të integrohet në Bashkimin Evropian. Tash është vetëm çështja se me çfarë shpejtësie disa vende të caktuara do t’i bashkohen BE-së”, tha Mesiq.

Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kroacia paraqet një vend të veçantë për Kosovën. Kurse, presidenti Mesiq, nënvizoi Sejdiu, është një prej personaliteteve që dha kontribut të madh për pavarësinë dhe njohjen e Kosovës, andaj e dekoroi atë me “Medaljen e Artë të Pavarësisë”.

Pata nderin e veçantë që presidentin Mesiq ta dekoroj me ‘Medaljen e Artë të Pavarësisë’, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për pavarësinë e Kosovës dhe për zhvillimin e saj si shtet demokratik i gjithë qytetarëve”, tha Sejdiu.

Presidenti Stipe Mesiq është shpallur më pas “Qytetar Nderi i Prishtinës” nga Kuvendi Komunal. Ai është pritur në Prishtinë me ceremoni të lartë shtetërore.

Mesiq ka zhvilluar takime të ndara edhe me kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi. Po ashtu, ai ka vizituar ushtarët kroatë në kuadër të KFOR-it, si dhe komunitetin kroat që jeton në qytezën e Janjevës.
XS
SM
MD
LG