Ndërlidhjet


Reformat në Universitetin e Prishtinës, edhe pse aplikohen që nga viti 2005, vlerësohen të jenë në nivel të pavolitshëm dhe në mospërputhje për integrimin në Bashkësinë Evropiane.

Kështu thotë Halim Hyseni, ekspert për çështje të arsimit.



“Të gjitha nismat reformuese nuk po i realizojnë qëllimet që janë paraparë të realizohen”.

“Kjo ndodh ngase ka një qasje që ndryshimet të bëhen në mënyrë autoritative, me dekrete e me vendime ku nuk marrin pjesë njerëzit, qytetarët, truri jonë nacional kolektiv. Këto ndodhin nëpër zyra dhe unë mendoj se po bëhen sa për sy e faqe”,
thotë Hyseni.

Sipas Hysenit, mungojnë politikat zhvillimore, për të cilat duhet zhvilluar shumë debate.

Qeveria duhet ta ketë arsimin objektivisht prioritet nacional, sepse nuk ka zgjidhje të asnjë problemi tjetër nëse gjendja në arsim nuk ndryshon.

Hyseni shton se mungon mbështetja financiare dhe, krahasuar me vendet evropiane, te ne niveli është shumë i ulët.

“Secili ndryshim që bëhet në ndonjë shtet, kërkon 6 për qind minimum të bruto-prodhimit nacional për kokë banori”.

“Ndërsa, te ne kjo është 3.8 për qind, që do të thotë se me një përqindje kaq të vogël në arsim, nuk ka mundësi që këto ndryshime të ndodhin”,
thekson Hyseni.

Në anën tjetër, Avdullah Aliu nga Ministria e Arsimit, thotë se janë duke vazhduar me reformimin e të gjitha niveleve arsimore në mënyrë që të ketë një sistem të integruar arsimor në Kosovë.

“Reformat po zhvillohen sipas Strategjisë mbi Zhvillimin e Arsimit të Lartë, që është hartuar në vitin 2004 dhe është paraparë të realizohet në periudhën 2005-2015”.

“Kjo strategji është në përputhje me objektivat e procesit të Bolonjës, në mënyrë që arsimi i lartë në Kosovë të jetë i krahasueshëm me arsimin e lartë të shteteve evropiane”,
sqaron Aliu.

Mirëpo, eksperti Hyseni thotë se pozita materiale e mësimdhënësve duhet të ndryshojë. Sipas tij, duhet bëhet një monitorim dhe të ardhurat e mësimdhënësve duhet të shkojnë me arritjet e tyre.

Ndërkaq, Avdullah Aliu shton se Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, janë duke punuar në këtë drejtim.

“Ministria e Arsimit me Qeverinë e Kosovës kanë sjellë vendim që këtë vit të rriten të ardhurat personale të stafit akademik për 100 për qind”, deklaron Aliu.

Sipas Aliut, është sukses që Universiteti i Prishtinës ka marrë edhe akreditim institucional.

Ndërsa, ende ka programe akademike që nuk e kanë kaluar procesin e akreditimit, që do të thotë se vazhdon të ketë vend për punë.

Në anën tjetër, studentët në Universitetin e Prishtinës thonë të jenë të kënaqur me reformat. Kështu shprehet Bardhyl Jashari, student në Fakultetin Juridik.

“Reformat funksionojnë, gjithë Evropa i aplikon këto reforma, e edhe ne patjetër dhe jemi të kënaqur”, shprehet Jashari.

Edhe Agron Kastrati, student në Fakultetin Ekonomik, thotë se mendon që në universitet reformat aplikohen dhe zbatohen.

“Unë mendoj që te shumica e profesorëve funksionon. Ata i zbatojnë reformat, si në ligjërata, ashtu edhe në provime. Unë jam i kënaqur prej kur jam këtu, qe dy vjet, dhe zbatohen reformat”, pohon Kastrati.

Ndryshe, reformimi i sistemit arsimor në Kosovë është në pajtim me procesin e transformimit në arsim, që drejtohet nga Pakti i Stabilitetit, respektivisht nga Këshilli i Përgjithshëm i Bashkëpunimit, me seli në Sarajevë.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG