Ndërlidhjet

Kriza ekonomike gjatë 2010-ës


Ekspertë kosovarë për çështje ekonomike shprehin shqetësimin e tyre se në vitin 2010, kriza ekonomike mund të thellohet edhe më shumë. Faktorët kryesorë të stabilitetit ekonomik që vitin e kaluar kanë lëvizur në mënyrë negative, sipas ekspertëve, mund ta përkeqësojnë gjendjen ekonomike gjatë këtij viti.



Viti 2010 do të jetë sfidues në aspektin ekonomik për institucionet kosovare, për shkak të trendit të rënies ekonomike në Kosovë.

Kështu thonë ekspertë për çështje ekonomike. Arsye e kësaj, sipas tyre, është fakti se gjatë vitit 2009, faktorët kryesorë të stabilitetit ekonomik kanë lëvizur në mënyrë negative.

Safet Gërxhaliu, nënkryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se rënia e investimeve të huaja, rënia e dërgesave nga emigrantët, rritja e shkallës së papunësisë dhe varfërisë në 2009-ën, janë elemente që dëshmojnë më së miri se në Kosovë, gjatë këtij viti, do të thellohet edhe më tej kriza ekonomike.

“Ndoshta do të kemi rritje edhe më të madhe. Problemi është se diaspora jonë është duke përjetuar devalvim total, apo një injorim nga institucionet”.

“Përgatitja, apo përmirësimi i ambientit biznesor për të tërhequr investitorë të huaj, është në rënie e sipër. Dhe, si pritet të kemi investitorë, kur shkalla e korrupsionit dhe krimit të organizuar është në nivel të lartë?!”.

“Të gjitha këto janë premisa, të cilat do të ndikojnë që, vërtet, kriza sociale në Kosovë të jetë më e theksuar dhe zhvillimi ekonomik të jetë minor”,
vlerëson Gërxhaliu.

Gjatë vitit 2009, investimet e huaja kanë shënuar rënie për 30 për qind, të ardhurat nga diaspora, po ashtu, kanë shënuar rënie afër 12 për qind, ndërkaq eksportet janë zvogëluar në masë të madhe krahasuar me një vit më parë.

Këta tregues gjatë 2009-ës kanë qenë tejet negativë për ekonominë kosovare, thotë eksperti tjetër i ekonomisë, Shpend Ahmeti.

Ai nuk e përjashton mundësinë që të njëjtit tregues të ndikojnë negativisht edhe gjatë këtij viti.

“Nuk po i shoh sinjalet që të jem më optimist të them që të kemi një rritje me të vërtetë sa i nevojitet Kosovës, prandaj pres një vit të vështirë ekonomik për Kosovën”.

“Jo që dallon shumë nga vitet tjera, mirëpo nuk pres ndonjë përmirësim radikal të situatës duke parë se si po shkon situata tani”,
thotë Ahmeti.

Problem në këtë aspekt, Ahmeti konsideron se paraqet edhe ambienti i papërshtatshëm për investitorët e jashtëm.

Sa i përket investimeve të huaja, ai e vlerëson 2009-ën si vit të vështirë për Kosovën, duke shprehur shqetësimin se një gjë e tillë mund të ndodhë edhe gjatë këtij viti.

“Ende nuk kam parë sinjale pozitive që dikush do të vijë në Kosovë për një investim të madh. Në qoftë se dikush është i interesuar për Ballkanin, atëherë Kosova është pothuajse e fundit në listën e vendeve potenciale për investim”.

“Këtë situatë duhet ta ndryshojmë, duhet të ndryshojmë imazhin, perspektivën dhe në qoftë se e lexojmë raportin e Bankës Botërore, vetëm 19 vende ishin pas neve, si vende atraktive për të investuar”,
shprehet Ahmeti.

Megjithatë, ekspertët nuk janë optimistë për rritje ekonomike në Kosovë, pavarësisht faktit se treguesit e fundit konstatojnë se ekonomia botërore është në rrugë të duhur për të shënuar rritje në të ardhmen.

Safet Gërxhaliu, lidhur me këtë, pohon se ndryshimet pozitive që ndodhin në tregjet botërore, shumë vonë mund të ndjehen në ekonominë e Kosovës.

“Problemi është se edhe kriza, apo influenca e krizës, e ka pasur një aspekt kohor më të zvarritur, por edhe trendët pozitivë do të kenë një periudhë kohore që do të kërkojnë shumë më tepër kohë që të jenë prezente, apo të reflektohen në Kosovë”.

“Mirëpo, problemi më i madh është që Kosova nuk ka probleme me trendin botëror, Kosova ka problem me trendin vendor dhe me vetveten”.

“Atë ditë kur ta marrim me seriozitet që t’i kryejmë detyrat e shtëpisë, atëherë trendët botërorë ne do t’i përshpejtojmë”,
thekson Gërxhaliu.

Sidoqoftë, zyrtarë qeveritarë tashmë kanë deklaruar se edhe pavarësisht krizës globale financiare dhe sfidave të shumta në aspektin ekonomik, Kosova gjatë vitit 2009 ka shënuar rritje ekonomike për 4.4 për qind, përqindje kjo që, sipas tyre, gjatë këtij viti do të jetë edhe më e lartë.
XS
SM
MD
LG