Ndërlidhjet

logo-print

Iran: Akuzat e televizionit shtetëror

  • RFE /RL

Mbështetësit e opozitës iraniane mbajnë në duar fotografinë e Nedës...

Mbështetësit e opozitës iraniane mbajnë në duar fotografinë e Nedës...


Televizioni shtetëror i Iranit ka bërë një dokumentar në lidhje me Neda Agha Soltanin, e cila ishte qëlluar për vdekje gjatë trazirave pas-zgjedhore, qershorin e vitit të kaluar. Dokumentari pohon se Neda ishte një agjente e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, e cila, siç thuhet, kishte inskenuar vetë vdekjen.

Momentet e fundit të jetës së saj ishin filmuar nga një telefon celular dhe shikuar nga miliona njerëz në mbarë botën.

Në dokumentar thuhet se filmimet e vdekjes së Nedës paraqesin atë duke derdhur gjak në fytyrë, nga një shishe e veçantë që mbante. Dokumentari njëkohësisht supozon se 27-vjeçarja Neda, më pas, ishte qëlluar për vdekje në makinën, me të cilën po dërgohej në spital.

Kjo teori konspiracioni, e cila supozohet në dokumentar, përputhet me komentet e zyrtarëve iranianë, të cilët në vazhdimësi kanë pohuar se vdekja e Nedës ishte “e dyshimtë” dhe, në të njëjtën kohë, “një skenar me paramendim” për të diskredituar Iranin.

* * * * * * * * * *

Neda dhe mijëra mbështetës të opozitës ishin mbledhur në qendër të Teheranit, për të kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, të cilat nxorën fitues kandidatin në pushtet, Mahmud Ahmadinexhad.

Atë ditë, të paktën 10 njerëz u raportuan të vrarë dhe mbi 100 të plagosur, pas përleshjeve mes protestuesve dhe forcave të sigurisë. Por, përshkruhen si të paharrueshme pamjet e vdekjes së Nedës. Ato u postuan në Youtube dhe u shikuan nga miliona njerëz. Brenda orëve, Neda u bë ikonë e lëvizjes së protestave, të cilat zhytën Republikën Islamike në krizën më të keqe ndonjëherë.

Emri “Neda” u bë i njohur në mbarë botën, ashtu sikurse edhe fotografitë e saj, të cilat shfaqeshin në protestat e Lëvizjes së Gjelbër opozitare, anëtarët e së cilës janë zotuar të mbajnë gjallë kujtimin e saj.

Vdekja e Nedës po ashtu ka rezultuar të jetë një çështje shumë e ndjeshme për establishmentin islamik.

Dokumentari, i cili paraqet Nedën si një agjente të huaj, e cila u bë viktimë e një komploti të orkestruar nga të huajt dhe mbështetësit e opozitës, u transmetua më 5 janar.

* * * * * * * * * *

Dokumentari pretendon se Arash Hejazi, shkrimtar dhe mjek që trajtonte Nedën përderisa ajo përgjakej në rrugët e Teheranit, sikurse edhe mësuesi i saj i muzikës, që ishte me të në protestë, ishin anëtarë të ekipit që ka bërë komplotin.

“Ndërsa Neda shtirej e lënduar në makinë, ata nxorën një pistoletë nga xhepat e tyre – një pistoletë që e kishin marrë nga miqtë e tyre perëndimorë dhe iranianë për të hedhur ujë mbi pemën e reformave, për të vrarë njerëz dhe për të krijuar ndarje brenda shoqërisë. Neda, për një moment, e kupton planin e tyre mashtrues dhe lufton për të shpëtuar, por ajo qëllohet nga mbrapa”, thuhet në dokumentar.

Hejazi, i cili qe akuzuar nga zyrtarët e linjës së fortë në Iran si vrasës i Nedës, ka mohuar të ketë qenë në makinën që ka marrë trupin e saj për në spitalin e Teheranit.

Në një intervistë telefonike për Radion Evropa e Lirë nga Britania, vendi ku ai jeton, Hejazi e përshkroi dokumentarin si një përpjekje të turpshme dhe të pavlefshme për të mbuluar të vërtetën dhe për të vënë fajin mbi të tjerët.

“Një vajzë e re, e pafajshme, ishte qëlluar për vdekje derisa po protestonte. Që nga vdekja e saj e deri më sot, Qeveria e Iranit ka bërë gjithçka të mundur për të distancuar veten dhe për të hedhur përgjegjësinë mbi të tjerët, në vend që të veprojë me përgjegjësi dhe të merret me fajtorët”, u shpreh Hejazi.

Ai tha se beson që Neda është qëlluar nga një anëtar i milicisë Baziji, i cili ishte në mesin e turmës së protestuesve.

Hejazi po ashtu deklaroi se ky anëtar i policisë ishte kapur nga turma, e cila i kishte marrë kartelën e identifikimit. Kartela e qitësit të dyshuar, me ermin dhe fotografinë e tij, ishte postuar në ueb-faqet e opozitës.

Edhe pse Hejazi ka identifikuar publikisht njeriun që u kap nga turma dhe u çarmatos, zyrtarët gjyqësorë të Iranit kanë dështuar të nisin një veprim ligjor kundër tij.

Që nga vdekja e Nedës, gjashtë muaj më parë, autoritetet kanë dalë me teori të ndryshme lidhur me rrethanat e vdekjes së saj. Hejazi tha se tregimet e Teheranit për këto rrethana do të vazhdojnë të ndryshojnë.

“Fillimisht ata thanë se ajo është gjallë. Më pas pohuan se filmimi është i rremë. Një ditë tjetër deklaruan se një gazetar i BBC-së e vrau atë. Pastaj thanë CIA. Më vonë thanë se Organizata Mujahedin Khalaq (MKO) qëndron pas saj. I fundit është ky dokumentar”, u shpreh Hejazi.

Sipas tij, vdekja e Nedës është bërë një “thumb” tek autoritetet iraniane, për shkak të vëmendjes ndërkombëtare që ka marrë, duke ndihmuar kështu mobilizimin e opinionit botëror kundër trazirave në Iran.

Në anën tjetër, i fejuari i Nedës, Caspian Makan, i cili ishte ndaluar për një kohë para se të largohej nga Irani, i ka thënë Radio Fardas se imazhi i Nedës, i gdhendur në gurin e varrit, është dëmtuar.

Makan ka akuzuar ata që kanë arrestuar, torturuar dhe vrarë protestues të pafajshëm, duke përfunduar: “Ajo që regjimi i Republikës Islamike bëri në gurin e varrit të Nedës, është sikur të kishte qëlluar atë edhe një herë”.

* * * * * * * * * *

XS
SM
MD
LG