Ndërlidhjet

CIA paralajmëron ndryshime


CIA (Central Intelligence Agency)

CIA (Central Intelligence Agency)

Rasti me përpjekjen për të hedhur në erë aeroplanin mbi Detroit, ka shtyrë kreun e CIA-s të paralajmërojë ndryshime në funksionimin e agjencisë.


Drejtori i Agjencisë qendrore të kundërzbulimit CIA, Leon Panetta, ka urdhëruar të premten ndryshime brenda organizatës, me qëllim të ndjekjes më të mirë të terroristëve të dyshuar dhe këmbimit më të shpejtë të informatave për aktivitetet e tyre.

Ky hap i pasoi kritikat e ashpra të Shtëpisë së Bardhë në llogari të agjencive, për shkak se nuk kishin arritur të zbulojnë me kohë qëllimet e nigerianit, i cili u përpoq ta hedhë në erë aeroplanin mbi Detroit më 25 dhjetor.

Në komunikatën nga CIA, theksohet se drejtori Panetta e ka udhëzuar agjencinë që t’i finalizojë dhe t’i dërgojë informatat për “ekstremistët dhe terroristët e dyshuar komunitetit të gjerë të zbulimit brenda 48 orësh”.

Bëhet e ditur se CIA ka planifikuar ta rrisë numrin e analistëve, të cilët do të përqendrohen në Jemenin dhe Afrikën.

Të mërkurën, Gjykata Federale ngriti padi kundër nigerianit Umar Faruk Abdulmutallab, të dyshuarit për sulmin me bombë në aeroplanin amerikan të udhëtarëve.

Sipas aktpadisë prej gjashtë pikash, 23-vjeçari Abdulmutallab akuzohet për përpjekje të përdorimit të armës për shkatërrim në masë dhe për tentim vrasje.

Zyrtarë amerikanë kanë thënë se Abdulmutallab është stërvitur në Jemen nga pjesëtarët e rrjetit terroist Al Kaida. (V.P.)
XS
SM
MD
LG